back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Ardhja e De Radës e italo-arbëresheve në botimet në Shqipëri – mes interpretimit dhe transliterimit si interkulturë – nga Leka Ndoja

Gazeta

Jeronim De Rada - 120 vjetori i Vdekjes
Jeronim De Rada – 120 vjetori i Vdekjes

Ardhja e De Radës e italo-arbëresheve në botimet në Shqipëri

– mes interpretimit dhe transliterimit si interkulturë

nga Leka Ndoja

Ndërsa në kolonitë shqiptare të Italisë, Jeronim De Rada – Dçelorm i Radhenjve – ishte konstituuar si autor qender i letërsisë arbëreshe i shek. 19 i adhuruar nga kolonitë shqiptare të Stambollit, Egjiptit e të qendrave kulturore shqiptare në Greqi në Shqipëri deri në vitin 1935, nuk kishim asnjë botim të këtij autori. Më 1905, Lekë Gruda, botoi në numrin 2 të revistës “Albania”, pjesë nga këngët (V. IX, 1905, f. 43-45);  Izet Bebeziqi botoi 10 këngë në tekstin zyrtar hartuar nga Filip Fishta – “Kangjele nga Milosau” – “Anthologí shqipe, për përdorimin e shkollave të mesme” për gymnaz, për institut teknik, per shkollë normale e për shkollë qytetse, Kristo Luarasi, Tiranë 1935.
Ky botim shkaktoi polemika në shtypin e kohës me rastin e 35 vjetorit të vdekjes së poetit mes Namik Ressulit dhe Izet Bebeziqit në gazetën Drita të Zoi Xoxes në 28 shkurt, deri në mars të vitit 1938. Polemika nisur nga Resuli në gazetën Drita – mbi metoden e paraqitjes se poetit të Makjit – mbronte tezën e mospërshtatjes në gjuhën e sotme të veprës – duke u mjaftuar vetëm në transkriptimin e ortografisë së germave të veçanta – për t’iu paraqitur publikur vepra sa më afër origjinalit.
Resuli e akuzonte Bebeziqin se në botimin e 10 këngëve kishte paraqitur në shqip një nga variantet e përkthyera në italisht – mbase nga botimet në Itali të Gualtierit “Milosao” – dhe të Vittorio Marchianó-it, “Poemi albanesi di G. De Rada” – dhe jo nga origjinali me titullin “Milosaat” – ndërsa përkthimi i vetë De Radës në biling ishte “I Canti di Milosao” – në përkthimin në shqip – shfaqeshin ndryshime stilistike dhe disa herë kuptimore.
Kjo polemikë pas afro 90 vitesh vijon edhe sot, po të marrim parasysh metodën ekdotike të kërkimit dhe botimit ofruar nga Prof. Mateo Mandalà dhe Prof. Francesk Alimari, i cili e ka zbatuar këtë metodë të transkriptimit dhe jo të përshtatjes së veprës së poetit në kolanën prej 6 vëllimesh të veprës – që u botua me rastin e 200 vjetorit të lindjes së poetit, Sh. B. Maluka, Tiranë 2014.
Polemika mes Ressulit dhe Bebeziqit u ba shkas për botimin e parë të librit të Jeronim De Radës më 1938, “Milosāt” pjesë të zgjedhura e të komentuara prej Dr. Namik Ressulit, Tiranë, 1938. Libri përfshin 20 këngë dhe mbyllet me një “Fjalor Ethymologjik”, ku filologu e gjuhëtari shpjegohet për metodën”
Citimi nga Parathenia e botimit Milosaat 1938, fq. 3. “Përdora si tekst edicien e parë të “Milosāve” (1836), sipas një kopjeje dorëshkrim që gjeta në Bibliotekën Kombtare të Tiranës; po mora edhe nonjë këngë nga të edicies së dytë. Sa për orthografinë, u përpoqa me sa më qe e mundur, mos të largohesha asnjë fije nga origjinali. Vetëm gërmat greqishte i zëvëndësova me tonat shqipe të sotshmet.
Nga këngët zgjodha jo vetëm më të bukurat, po edhe ato që vlenin për t’i dhënë lëçitësit një idé të plotë të kulluar të mbrëndisë së poemthit. Gjithashtu kërkova që komenti të jetë sa më i gjërë e më i kthiellët; kështu që lëçitësi të munt ta këndojë lehtë e të munt të kuptojë edhe pjesët më të errëta të De Radës.”
Në tekstin shkollor “Shkrimtarët shqiptarë” botim i Ministrisë së Arsimit më 1941, zëri i De Radës paraqitet nga vetë Namik Resuli që ishte edhe hartues i tekstit Vll. 1, dhe përgatitës i hyrjes metodologjike në Vll. 2 “Rilindja” në këtë kapitull kushtuar De Radës, Ressuli përcakton veprat më të vlefshme të cilat do të pasqyrohen në botimet e mëpasme në Shqipëri: Milosāt, Këngët e Serafina Thopisë, Skanderbeccu i Pa-fān, – Katër Historitë, I Numidi, La caduta della reggia d’Albania, Uno specchio di Umano Transito, Sofonisba.
Në antologjinë e “Letërsisë Arbëreshe”, Tiranë 1952, paraqitur nga Zijahudin Kodra si tekst i Ministrisë së Arsimit, paraqitja e “Këngëve të Milosaut” ruan metodën e përzgjedhjen e Namik Ressulit pa ndërhyrë në tekstin origjinal dhe duke e pajisur me peritekste – aparat didaktik dhe hyrje biobibliografike.
Mbas këtij viti – për nevoja didaktike të shkollës botimet priren nga modelet e përshtatjes – plotësuar me komente – nga studiuesit Jup Kastrati, Shaban Demiraj, e më pas nga Klara Kodra. Praktika e përshtatjes apo përkthimit nga variantet italisht vijoi me botimin e disa veprave të tjera të autorëve Zef Serembe e Gavril Dara i riu.
Kështu diskutimi për metodën e botimit kritik për letërsisnë italo-arbëreshe rinisur nga Mandala dhe aplikuar nga prof. Francesko Altimari në botimin e veprës së plotë të De Radës, ende është në zhvillim.
Këto dy shkolla didaktike VS akribike mund edhe të bashkëjetojnë – didaktiket për nevojat shkollore dhe autentiket ose anastatiket për nivelet universitare e pasuniversitare, si plotësim të njëra tjetrës.
Sipas përvojave të përshtatjes në Itali të soneteve të Dantes, në gjuhën e sotme italiane, kemi një argument se të dyja metodat mund të bashkëjetojnë – mjafton që botimet të anojnë nga ato filologjike sesa nga metoda e licensave poetike e përshtatësve – të cilët mund të tejkalojnë autorin. Atëhere mund të përfshihet receptimi në zonën e “falsifikimit të veprës” dhe këtë e shkakton poetika personale e përshtatësit dhe eufonia – duke shformuar teksturën madje dhe semiotikisht figurat e autorit – duke rikënduar thjesht motive “deradiane” por jo stilin e tij unik që e dallon nga [do vepër tjetër letrare.
Kumtesë e mbajtur në QKLL – 28 shkurt 2023

Zef Schiroi - Storia della leteratura albanese
Zef Schiroi – Storia della leteratura albanese

Lekë, miku im i mirë,
kaq i përkushtuar si kontributor i avancimit
të njohjeve të literaturës albanologjike.
Meqë shkëmbyem disa komente rreth De Radës bëra
një përkthim dy faqesh nga Skiroi Jr, një ‘impromptu’ nxitimthi.

Gjuha dhe Metrika e De Radës

De Rada kur shkruante në italisht përkthente: ai mendonte dhe fliste në shqip. (Gjuha) e tij ishte dialekti i Macchia-s, mund të themi, me përjashtime të vogla, i San Demetrio-s, i Santa Sofia-s, i San Cosma-s.
Prej traditës më autentike (besnike) zgjedh fjalë dhe shprehje, që kanë shijen më origjinale të jetës vetmitare të popullit. Ndryshe nga Variboba, që i konsideronte të vlefshme të gjitha fjalët që kishin infiltruar në gjuhën e folur të S. Giorgio-s, ai është gjithmonë vigjilent të mos lejonte futjen e një kalabrishte, që kishte fjalën korresponduese shqip.
Studiuesit kanë mbetur gjithmonë konfuzë (të pasigurt) në identifikimin e natyrës së vargjeve të De Radës. Lidhur me rrokëzimet, vargjet e poetit janë të parregullta; por është provuar se principi themelor i metrikës deradiane s’është njësia rrokëzuese, apo theksi(mi), por ritmi, që duhet të riprodhohet me leximin e përshtatshëm (që i shkon, përputhet).
Vargu mbizotërues është tetëshi me theksi(min) mbi rrokjet alternuese. Kush ka patur fatin të dëgjojë poetët popullorë (folk-lorikë), që lulëzojnë në ato vende të Kalabrisë, mundet lehtësisht të rindërtojë dhe të recitojë me zë vargjet e De Radës. Rezulton në një lexim ushtonjës, që kompenson mungesën e rrokëzimit me zgjatimet përshtatëse të zanoreve, ose shkurton të tepërtat me eliminime (krasitje) apo kombinime, duke luajtur mbi të gjitha, me mundësinë për të berë të dëgjueshme zanoret fundore (të pazëshme, mute) ku ato mungojnë, ose duke i heshtur (kthyer në të pazë), atje ku janë.
Po japim një shembull të rikonstruktimin ritmik të një tetëshe të disa vargjeve të Milosao-s me rrokëzim të parregullt (shiko foton e postuar poshtë)

Vargjet e Milosos - analize
Vargjet e Milosos – analize

Megjithatë ndeshen vargje pushimi (ku është qetësuar, ulur tempo-ja), e të një niveli jo fort të arrirë, që kanë për qëllim të thyejnë të ecurën trokaike.
Ndoshta De Rada pretendonte shumë nga gjuha e oxhakut (familjare, e folura e përditëshme), thjeshtësisht therëse dhe e egërt, për të shprehur konceptin e leitmotiveve të tij meditative filozofike; por që mbrrin deri këtu është merita e tij edhe pse, shqipja e pendës së tij mbetet e përdredhur dhe e dërmuar. De Radës i mungonte eleganca e humanistëve të plotësuar, e që në fakt më një disiplinë të kalitur e si duhet, e gjejmë tek Skiroi.
Në gjuhën e De Radës ndeshemi me shumë mbetje të greqishtes të transmetuara në traditën popullore (Paidhe = punim, thurrje me grep; Noerije = mendim; Ampnisu = pushues; Dhistaxia = grindje; Dhistihi – fatkeqësi, e kështu në vazhdim). Ndonjë fjalë vinte nga gjuha liturgjike. Karakteristike, e nuk e di n’se është krijim i të njejtit poet, që është një atribut i Zotit (Dio) “Stoneonmi”, që e ndeshim si në poemën të Serafinës, ashtu edhe atë të Skanderbegut. Është e lehtë të imagjinosh origjinën. Fjala (të shqiptuarit zëshëm të saj) përfshin fjalët e fundit të Gloria-s në greqisht: “Is tus eonas ton ronin. Amin”. Gërma “s” e “eonas” është e përfshirë në fjalë sepse prifti, duke kënduar, e bashkon me fjalën ndjekëse “ton”, ndërkohë, që e bën të pazëshme rrokjen e fundit të “eonon”, duke tërhequr vemendjen në theksimin e “Amin”.
© Artan Kafexhiu (përkthim)
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Artan Kafexhiu
    Nëse ke origjinalin në gjuhën e De Radës, përkthimi në italisht s’duhet të barazpeshohet me atë. Me sa jam i njohur me tekstin origjinal, gjuha e De Radës në një pjesë të saj është e pakuptueshme për studiuesit, megjithëse ka shumë huazime gjithkah prej italishtes, greqishtes, etj.
    Do të ishte me interes bazuar në hulumtime filo-etimologjike De Rada te sillet nga origjinali me shpjegime imtësore, pa ndërhyrë në veprën e tij. Kjo do të pasuronte shqipen e sotme, duke ju përshtatur morfo-fonologjisë së shqipes së sotme.

    Vrethee Lnika – Artan Kafexhiu kështu me transkript të gërmave greke e të veçanta – u botu vepra 6 vll. – dhe në biling nga F. Altimari. Po pa komente – Giordano i ka pasë përdorësh bukur mire. – Studiuesit arbëreshe Mandala e Altimari janë të fundit të kësaj fushë – kështu na e hedhin ne topin. Po në shkollat parauniversitare. nuk depërton dot kjo gjuhë arkaike – prandaj. Si të bahet napolitançja në Romë!!!

    Artan Kafexhiu – Vrethee Lnika Kurrsesi se mendoj se duhet të transplantojmë arkaizmat e shqipes arbëreshe në shqipen e sotme. Por mund të kontribuojë si një ndihmesë etimologjike, ndërkohë mund t’i shtojë shqipes inventar në leksik.
    Vepra s’duhet të transformohet, sepse s’është Divina Commedia, por një këndvështrim historiko-letrar duhet t’i shtohet çdo faqe të De Radës.
    Këtu mund të shtosh kontributin tënd në një proçes krahasues midis gjenezës së këndvështrimit poetik e të shprehurit të De Radës arbnor dhe mbivendosjet e përshtatura në italisht..

    Vrethee Lnika – Nji shembull; Dreq rahjet e deitit
    gëzoi dita e kalthërëz
    valevét kopiljevet:
    komenti – Lindi dita e kaltër dhe u qeshi kundruall valëve të detit – dhe valleve të vajzave (kopiljevet). Në variantin e përkthyer italisht të “Këngëve të Milosaut” De Rada shkruan se agimi bie “mbi det edhe mbi kodrina”: “al mare e alle colline” = keshtu si thu ti kam vepru me duket – shtjelloj narrativën – diegjezën e narrativës. – them që fragmentarizmi i De Radës e ban të pakuptueshëm ma shumë se gjuha.
    L. N.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.