back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Arben Shira – Një jetë kushtuar pikturës… – nga Jozef Radi – gjysëm shekulli piktura të artistit Shira

Gazeta

Piktori Arben Shira dhe nje autoportret i hershem i tij
Piktori Arben Shira dhe nje autoportret i hershem i tij

Arben Shira – Një jetë kushtuar pikturës…

nga Jozef Radi

gjysëm shekulli piktura të artistit  Shira

Arben Shira ka një jetë që merret me pikturën, bile mund të thuhet se gjëja e vetme që ai mund të bëjë si duhet është piktuara… Vështirë të njohësh dikë që gjithë jetën ka vetëm ngjarje që lidhen aq shumë me atë që është nyja gordiane e jetës së tij! P-i-k-t-u-r-a!
Ai të rrëfen ashtu shtruar e në mënyrën më sempliste të mundshme, se para se ta shkruante emrin e tij ai kishte pikturuar diçka, e që sot s’e kujton fort mirë se çka ishte. Në moshën pesë vjeçare edukatoret i organizuan ekspozitën e parë e më pas gjithçka e tij ka qenë pikturë e do të kalonte më së shumti përmes një lapsi plumbi, po bota në shpirt do t’i shfaqesh me ngjyra… edhe kur ato i mungonin…
Gjithnji me një bllok shënimesh me vete, ku çdo çast lindte një skicë, ku punët me laps plumbi ishin stërvitja në të cilën ai vriste kohën dashurisht… ose më mirë të thuash: koha vetvritej në pasionin e tij të endjes së botës me laps…
Herët do ta kuptonte se ëndrra e tij do të ishte e pamundura e tij. Sigurisht, i nisur qysh fëmijë ky përjashtim do ta plagoste rëndë, por nuk do mund ta vriste! Kurrë ai s’do të pajtohej me idenë se mund të vritej në ëndrrën e tij, prandaj kur gjithçka i bëhej e pamundur, atij i mjaftonte ai lapsi plumbit, e sado “armik” të ndjehej në vetvete, prej asaj që ia ulërinin bishat, hovin e pasionit të tij nuk mundi t’ia ndalte askush.
Dhe erdhën ditë kur lapsi i tij mbushte fletë pafund, e shpirti i tij endte pëlhurën e Penelopës, në pritje të ditës kur portat e skë-territ të hapeshin për ëndrrat e tij të brishta… po si duket pritja do të mbetesh e tillë, sepse jeta vazhdonte shakatë e saj të pelinta.
Ai iu desh ta linte gjimnazin e ta vazhdonte atë shkollë natën, sepse në familjen me shtatë fëmijë duhesh bukë për të mbushur barkun dhe jo piktura për të mbushur muret… ndaj djaloshi Shira nisi të lodhej deri në rraskapitje, por edhe të gjente kohë të lutej me laps për ëndrrën e tij!

Arben Shira - Autoportret
Arben Shira – Autoportret

Mbasi e humbi betejën e parë për në Liceun Artistik, ai do të hynte në betejë për Institutin e Lartë të Arteve… i bindur se si autodidakt do t’i shkonte deri në fund instinktit të vet edhe sikur t’i shfaqej humnera përpara… Kur iu paraqit së pari Ministres së Arsimit të asaj kohe, ajo thirri ekspertët ta merrnin në konsideratë talentin e tij… por si gjithnjë, do të shfaqej partia me ata lamashët e provincës dhe ëndrra që i mori një fill drite do të përfundonte në koshin e plehrave, por jo për t’u bërë pleh, aq sa të kënaqeshin hijenat!
Arben Shira në vend të ëndrrës së shkollimit u detyrua të veshë rrobën e e ullinjtë e dëshpërimisht do të vazhdonte të vizatonte. Tashmë guximi i tij mbrrin edhe tek ngjyrat e vajit, dhe shpirti perfeksionist i realizmit, pa asnjë mbështetje nis të marrë shkëlqim.
Janë me qindra skicat e tij me rroben e gjelbërt që e mbushën atë zbraztësi që të jep një ëndërr e thyer, edhe kur ti s’ke lënë gur pa lëvizur, por tashmë gurët janë bërë aq të mëdhenj sa s’të lënë të lëvizësh!
Arben Shira ishte vetëm 27 vjeç, kur befas liria i është përplasur në fytyrë dhe ai mund të merrte arratinë prej atij vendi që i kishte thënë: Jo! Vetëm: Jo!! E megjithatë ai sërish gjuen ca thërrime shprese!
Ditën e Ambasadave është gati ta hedhë murin, siç bëri e motra e tij, por e mbajti peng ëndrra: është i regjistruar në konkurs për në Akademinë të Arteve… dhe heq dorë nga aventuara e ikjes për ëndrrën.
Po si duket, i nevojitej edhe ky zhgënjim plotësues… që në mars të ’91, me të fundmen anije të atij marsi të zi, ta mësynte me shpirt të rrënuar bregun e përtejmë të Adriatikut… Ndërsa është ndarë përfundimisht me atdheun… nuk harron të ndalet një çast, e të nxjerrë bllokun e skicave dhe me stilolaps të konturojë anijen “Bashtova” – tashmë e ndaluar e boshatisur nga frymët e ikura e të lerë mbi fletë shënimin – 9 mars 1991. Duket sikur ai çast, me fytyrë të kthyer nga anija dhe skica e tij si një vezullim dëshpërimi do të mbetej nyje në shpirtin e artistit…

Jozef Radi & Arben Shira ne qytetin e Ostunit (Puglie)
Jozef Radi & Arben Shira ne qytetin e Ostunit (Puglie)

Dhe në këtë ikje s’ka asgjë me vete përveç një stilolapsi dhe një blloku, është i bindur në vlerat e veta po jo fort i sigurt nëse talenti i tij mjafton për të qënë piktori që ëndërronte, në atdheun e Rilindjes Europiane. S’ka asgjë prej punëve të dikurshme që magjepsnin miqtë e tij të pakët, më frymën e thellë realiste të pasqyrimit në autoportretet po edhe portretet e të afërmve të tij… asgjë s’ka dhe i duhet të fillojë gjithçka nga e para. Në veprat shfaqet vajza e ëndrrave të tij, që me kohë do të kuptonte se ajo krahas nëna e vajzave të tij do të ishte mbështetja e pakufi që ai të bëhej artist i vërtetë…
Arben Shira shfaq një vullnet të paepur për t’i mbrritur synimet e veta, me çfarëdo kostoje që të ishin ato!

Arben Shira - Natura Morte
Arben Shira – Natura Morte

Në atdhe, i ka mbetur gjithçka e atyre fletëve të pafundme të rinisë dhe ndjehet në faj pse i la në mëshirë të fatit, dhe shpresonte që një ditë të kthehej, t’i gjente e t’i merrte… e kjo do të kthehej në një tjetër zhgënjim të tij
Arben Shira vendoset në qytetet e jugut puliez të Italisë… pranë blusë së thellë të Adriatikut nga hera herë i fanitet Atdheu dhe ullinjve shekullorë që e magjepsin me ato trajtat e tyre deforme e cikllopike që do të bëheshin sa objekte aq edhe subjekte të djaloshit Shira në punët e tij të pafundme…

Arben Shira - Disa Punime të viteve të fundit
Arben Shira – Disa Punime të viteve të fundit

Mbi të gjitha, atij i duhej shkollimi, i duhej Akademia e Arteve, i duhen librat e studimit të artit, i duhet edhe pak shpirt aventure… dhe niset ai për të vizituar muzetë më të rëndësishme të Italisë po edhe Europës… me synimin që përpara se të dëshmojë talentin e tij, të shohë drejtpërdrejtë ç’ka bota ka të madhërishme, që ta mundet ta lexojë në kohë vetveten ashtu si duhet… Dhe vijnë njëra pas tjetrës: regjistrimi në Akademinë e Arteve në Bari, ecejaket e përditshme me kavalet në krah, librat e shumtë me veprat e piktorëve të mëdhenj, vizitat e tij të paharrueshme në Uffizzi, në Louvre, në Museum D’Orsey, në National Galery, fillojnë të shfaqen piktura të njëpasnjëshme ku raporti i tij me shpirtin e tij perfeksionist deri në magjepse, nis të pësojë transformime të dukshme, lidh miqësi me artistë të zonës dhe shfaqet mes tyre me punë të pafundme… Shpejt do t’i vinin dy vajzat… dhe jeta e tij po aq sa merr dritë, mbushet përplot me mundim e sakrifica… sepse Arti asnjëherë s’të jep aq sa të mbash veten dhe familjen… Ndaj i duhet të marrë vendime të vështira, nganjëherë edhe në dëm të shpirtit të tij prej artisti… Po siç e shpreha pak më lart si ëngjell mbrojtës i shfaqet e shoqja, e cila vërtet nuk e kupton aq thellë artin e tij, por ndjen se është diçka tejet e fuqishme, dhe ajo duhet ta mbështesë deri në stërmundime… dhe ndodh ajo që quhet magjia e të ndjerit të tjetrit… ku Shira gjeti mbështetje totale për ëndrrën e vet!

Arben Shira - Autoportret  i viteve 2000
Arben Shira – Autoportret i viteve 2000

Dhe do të vijnë pafundësisht portrete dhe tablo që pasojnë njëra-tjetrën: përditë… përnatë… përherë! Organizohen mjaft ekspozita, por jo aq sa ai të ndjehet i realizuar dhe i kënaqur nga vetja… E ndjen se diçka duhet të ndryshojë dhe nis të ndryshojë brenda tij… fillojnë kërkimet, eksperimentimet, këndshikimet e reja po edhe një trajtim më filozofik i asaj çka ndodh e asaj çka duhet të ndodhë në artin e tij…
Kemi trajtime të pafundme të ngjyrave dhe dritëhijeve, figurave dhe peisazheve, të mënyrës së punës dhe vëzhgimit të objekteve, ndërsa arti i tij pasurohet objektet shpesh janë të zakonshme të varfëra por trajtimi i tyre artistik është i pazakontë. Shfaqet një periudhë disi gri në krijimet e tij me natyra të qeta, ku me një fill drite godet vetëm balli i objekteve ndërkohë të tjerat zhyten të shprishura në tonet e hijes dhe gjysëmhijes… Ullinjtë edhe pse heroikë shfaqen disi të zymtë e mahmurrshëm, e kuqërremta e tokës puljeze merr gama nga më tronditëset, portretet dhe autoportetet kanë një gdhendje psikollogjke e një tis të hollë trishtimi që i tejkalon ngjyrat!

Arben Shira - Fragmente nga jeta e Fshatit Shqiptar
Arben Shira – Fragmente nga jeta e Fshatit Shqiptar

Kështu nis e merr formë simfonia pikturore e Arben Shirës! Perfeksionisti i diukurshëm i tabllove realiste, tashmë e ka shprishur dhe çmontuar figurën dhe efektet e drejtpërdrejta të ngjyrave, u ka dhënë tjera konotacione atyre, po ndërkohë s’e ka harruar as botën e djeshme të vetes dhe të popullit të vet… S’e harron as diktaturën që e kishte vendosur djaloshin ëndrrimtar në indeksin e së pamundurës! dhe ai e shpalos nën një konceptim modern jetën dhe dramën e popullit të vet, filtruar përmes shpirtit të tij, pa e harruar kurrë atë varfëri të skajme të fshatit shqiptar që ai e njihte aq mirë. Duket se qëllimisht Shira i ka varfëruar mjetet stilistike, figurat dhe koloristikën si një ndihmë ku ai kërkon të dëshmojë të vërtetën lakuriq, duke marrë shpesh edhe qëndrime sociale në përballjen e asaj së keqeje që ende ka peshë të rëndë në ndërgjegjen e tij prej atij fëmije të shpërfillur dhe të indeksuar për t’u mos realizuar kurrë…

Puglia - Atdheu i Trulli-t
Puglia – Atdheu i Trulli-t

Arben Shira si piktor është sot shumë më afër vetvetes. Ai ka një siguri dominuese midis asaj çka mendon dhe asaj çka shpreh! Ka vulën e stilit të tij që e bën atë tejet të dallueshëm, ka botën psikollogjike të personazheve e mëgjithatë ai nuk është i kënaqur! Si artist ai ndodhet midis dy botëve: asaj që ende ia përplas reminishencat e së djeshmes dhe asaj që i ka dhënë liri mendimi, por që ende mbetet disi larg dhe skeptike ndaj artit të tij… e megjithatë ai sot ka një paqe të thellë me veten edhe pse prej përkushtimit të një jete ndaj artit nuk ka marrë atë çka ai ka besuar se meriton në sakrificën e tij…
Arben Shira vazhdon i paepur dhe i sigurt se arti e tij meriton vëmendje…
fasano – ancona maj 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.