Aquarel me figurën e Fotaq Filipeut – nga Jozef Radi

Fotaq Filipeu (1915-1992)

Fotaq Filipeu (1915-1992)

Aquarel me figurën e Fotaq Filipeut –

nga Jozef Radi

Fotaq Filipeu i përket asaj shtrese intelektuale shqiptare që u shkollua shkëlyeshëm në Perëndim dhe që menduan e besuan se duke qenë të devotshëm për vendin e tyre do të ishin mjaft të dobishëm për të ardhmen e tij….
Po nuk ndodhi kështu. Ndodhi krejt e kundërta çka kishin besuar këta idealistë të lindur, mbasi shumë shpejt u bënë kontingjent i freskët për të mbushur burgjet e shumta të diktaturës… dhe sigurisht nji ndër ata do të qe edhe Profesor Fotaq Filipeu… edhe pse gjuha e vetme me të cilën fliste profesori ishte muzika e në veçanti violina… e cila futesh dhe dilte prej shpirtit të tij me ngjyrosjet magjike të nji virtuozi, e që për vite e vite shërbeu si shpjegues dhe inspirues i palodhur i shumë fëmijve të qytetit të Lushnjes, që e donin muzikën.
Lushnja e kohës së Filipeut ishte përplot me “armiq” të ndritshëm që mbikqyreshin çdo sekondë. Krahas muzikantit Fotaq Filipeu, ishin edhe arkitekti Gaqo Mosko, aktori dhe shkrimtari Hekuran Zhiti, shkrimtari kosovar Kapllan Resuli, gjeneralët Hulusi Spahiu dhe Iljaz Ahmeti,  komunisti Pandi Kristo, përkthyesi Seit Selfo, piktori Lek Pervizi, juristi Lazër Radi, agronomët me cen Ali Ypi dhe Zyber Juka, drejtuesi Myfit Bega e Mërkur Omari, inxhinjerët Mërgim Korça e Hysen Sinoimeri; dizenjatori Vango Lezo, doktorët me cen Mimoza Selfo, Vasil Kuli, Prrenjo Ymeri dhe Ihsan Çabej, e plot të tjerë… Pra, qyteti i Lushnjes ndrydhte e shtypte në heshtje vlera të mëdha njerzore dhe intelektuale për të cilat sot duhet t’i ndjejë si pjesë e dhimbjes po edhe e krenarisë së saj…
Unë s’e kam pasur fatin të jem nxënës i profesor Fotaq Filipeut, por di të them se kam pasur fatin ta shihja nga afër, ta kundroja pamjen dhe ecjen e tij, të dëgjoja vlerësime me superlativa ndaj tij, të merrja pjesë në koncerte e festa që s’mund të nisnin pa praninë dhe hijen e tij dinjitoze… Fotaq Filipeu, në të keqen më të madhe bëri më të mirën e mundshme për një qytet të vogël si Lushnja, ai mbolli pa lodhje dashuri për muzikën, pasionin për violinën, korrektesë profesionale të pashoqe, disiplinën artistike ndaj kujdo, fëmijë a burrë që e mbështeste mjekrën mbi violinë dhe merrte kordën për ta rrëshqitë mbi katër tela përgjegjshëm dhe me pasion…
Fotaq Filipeu edhe në pamje të jepte përshtypjen e hekurt të një gjermani i lidhur shpirtërisht dhe fizikisht me muzikën… të paktën në kujtimet e mia vizive i tillë ka mbetur dhe ndjehem keq sot që s’mund të kujtoj asgjë nga ndonjë raport apo bisedë me Profesor Filipeun… 

.
15 korrik 2014

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook