Apel nga SHBA i Sami Repishtit: Jo zgjedhje pa opozitën, jo bojkot primitiv i Parlamentit, si zgjidhet ngërçi

Profesor Sami Repishti

Profesor Sami Repishti

Apel nga SHBA i Sami Repishtit:

Jo zgjedhje pa opozitën,

jo bojkot primitiv i Parlamentit,

si zgjidhet ngërçi

Gjendja politike e trazueme, zhvillimi i pamjaftueshëm ekonomik, e paqa sociale gjysëm e thyeme në Shqipëri sot, më frikësojnë! Me afrimin e datës së zgjedhjeve të 18 qershorit “opozita” politike kërcënon me bojkot. Kërkohet “nji qeveri teknike” me sigurue “zgjedhje të lira dhe të drejta” sepse partitë në pushtet akuzohen se nuk gëzojnë mirëbesimin e duhun. Koalicioni sundimtar po thyhet. Zgjedhja e presidentit të ri ka tregue thellësinë e mosmarrëveshjes. Si përfundim, Presidenti, kryetar i shtetit “emnohet” nga udhëheqsit e nji partie politike, pa konsultim me “opozitën” demokratike, dhe me 24 korrik konfirmohet nga nji Parlament i ri i zgjedhun dy muej mbas “emnimit”. Parlamenti i ven vulën nji dokumenti, të cilin nuk e ka konceptue, shkrue ose aprovue ma parë. I gjithë operacioni i zgjedhjes së Presidentit na kujton metodat mesjetare të zgjedhjes së “Mbretit” nga baronët, kalorës të Oborrit. Sot, këta “zgjedhës” janë baronët e ri me pasuni prrallore të grumullueme me mjete të dyshimta. Në çdo etapë të procesit nuk ashtë përfillë vullneti i lirë i popullit, që ironikisht quhet “sovrani”. Nji ndërtesë e ngritun mbi këto themele rrezikon me qenë jo e besueshme dhe jo jetëgjatë.
Ashtu si shumë bashkatdhetarë, edhe unë frikësohem sepse jemi para nji udhëtimi të rrezikshëm, drejt nji kaosi shtetnor, dhe vetëm nji hap larg “luftës së nxehtë” që vendi njohu në vitin 1997, me të gjitha rrjedhimet shkatërrimtare… dhe derën e hapun për të gjitha!
Problemet që rrjedhin edhe nga nji pabarazi e turpshme ekonomike, me vorfëni sidomos në zonat rurale dhe malore të harrueme, pagesa të ulëta deri në dhimbje, papunësi, sidomos për të rinjtë, ndërsa krimi, korrupsioni dhe kanabis sativa lulëzojnë, janë tregues se besimi popullor në aftësinë e “Shtetit” me sigurue nji jetë me dinjitet po grryhet nga ky realitet i frikëshëm. Nga dëshprimi rritet numri i atyne që janë të bindun se Shqipëria ashtë vendi i degradimit moral dhe mbrapambetjes ekonomike si rezultat i qeveritarëve të perceptuem si “klasë hajdutësh” që veprojnë si kapitalistët e pamëshirëshëm, “…udhëheqës politikë që nuk janë tregue të aftë me udhëheq këtë vend gjatë tranzicionit.” (D. L. Pillips) Rrjedhimi ashtë nji emigrim i mallkuem që shterrë energjitë vitale të popullsisë.
Ankimet e shumta tregojnë humbjen e besimit në nji të ardhme ma të mirë, nji ndjenjë të fortë inferioriteti ndaj kombeve të tjera, dhe nji paaftësi me arrijtë nivelin e zhvillimit që të tjerët gëzojnë. Në Shqipëri, në vend që të ndizet qiriu që na jep dritë, mallkohet errësina që na mbulon.
Perspektivë e frikëshme!
Shqipëria po tregon se ende nuk ashtë formue si shtet organik, koordinim sistematik në shërbim të nji tanësie shtetnore. Në Shqipëri qytetarët nuk janë ende koshientë për detyrat e tyne ndaj Atdheut nanë. Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në largimin e tij nga Shqipëria deklaroi: “…E le vendin me përfundimin e hidhur se këtu ka shumë për të berë që njerëzit të bashkëjetojnë brenda një kornize rregullash.” Antikompliment i randë!
Nji burim i “së djathtës” shkruen: “KM Edi Rama drejton nji ndërmarrje kriminale që e ktheu Shqipërinë në qendrën europiane të organizuar të trafikut të drogës”. Nji tjetër burim i “së majtës” paraqet gjendjen në Shqipëri “me ngjyra trëndafili”. Qytetarët e ndershëm janë të hutuem, – ashtu si ministri gjerman. Besimi në autoritetin asht damtue randë. Pa autoritet nuk ka “shtet”, dhe pa “shtet” tatpjetja rritet çdo ditë e ma shumë drejt greminës së hapun nga vetë shqiptarët…!
 
Në kërkim të vetvetes

Në kërkim të vetvetes

Nji pozicionim i këtill i njohun si “the American exceptionalism” shpeshherë ashtë i keqinterpretuem si nji “e drejtë me qenë mbi të tjerët”, ose “imperializëm”. Asht e kundërta: të gjithë janë të barabartë para ligjit, me të drejta të plota dhe të pacenueshme. Dhetë amendamentet e para të Kushtetutës Amerikane janë përcaktime ligjore që mbrojnë këtë barazi dhe “qytetarin” e lirë nga ndërhymja e “shtetit”. Të rinjtë amerikanë edukohen me mendue se identiteti amerikan ashtë lidhun, së pari dhe fuqimisht, me nji ide, dhe jo me nji copë tokë ose nji grup racor të veçantë. Ky qëndrim e ban SHBA-në nji vend “exceptional”, të ndryshëm, të dalluem nga vendet e tjera.

Ky qëndrim doli në sipërfaqe me fuqi edhe me zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA. Senatori Ben Sasse (R. Nebraska) i frikësuem nga zhvillimet e padëshirueshme në politikën amerikane, foli për nji “zgjim të tribalizmit”, dhe shtoi: “Unë jam kundër ‘nji identiteti politik’. Unë jam për ‘nji politikë ideore’, që na tregon se çdo të thotë emni ‘Amerikë’, dhe cili asht qëllimi i jetës sonë të përbashkët!”
Shqip: do të kujdesohen shqiptarët me mbrojtë nji vend që quhet “Shqipëri” dhe se qëllimi i shqiptarëve asht nji jetë e përbashkët në këtë “Shqipëri”? A do të vazhdojnë shqiptarët me jetue të ndamë në grupe e fise me identitete lokaliste, pa “nji ide qendrore” që i bashkon, pa konceptin e jetës së përbashkët për të gjithë pa dallim, pa përjashtim? Sepse, Shqipëria nuk ashtë “çifliku i babajt”, por Atdheu i të gjithë shqiptarëve!
Nga përgjigjja korrekte e kësaj dileme që përballojmë akoma sot, mbas 105 vjetësh pavarësie, varet e ardhmja e jonë si nji popull me perspektivë europiane. Sepse edhe vetë Bashkimi Europian në thelb ashtë nji “ide” ma shumë se çdo gja tjetër: ideja e nji kontinenti të lirë, paqësor dhe të sigurt për të gjithë 500 milionë plus qytetarët që e banojnë. BE që dëshmojmë na sot asht vetëm skeleti që nevojitet me ushqye e me realizue këtë ide.
Thirrjet për rrëzimin e “autoritetit” me dhunë janë akte të rrezikshme që synojnë shkatërrimin, edhe kështu të dobët të strukturës shtetnore të vendit. Dhe kur këto thirrje bahen nga elementë shqiptarë, ata cilësohen nga bota e jashtme si “marrëzina!” Në rastin ekstrem, edhe si “trathëti!”
Në nji situatë të këtillë, nuk duhet të mbështetemi në retorikë politike si udhëheqja e mendimeve tona, sado tërheqëse të jetë ajo, sepse retorika politike ka shumë ngrohtësi, dhe pak arsye. Shqipëria ka nevojë për mendimtarë të pavarun, larg propagandës dhe “fake neës”, të mirinformuem dhe të lirë me u çfaqë. Këto “të drejta qytetare” i siguron vetëm nji “shtet i lirë”.
Kontrasti “e drejta” dhe “shteti”, në dukje nji paradoks, ashtë i pranishëm kudo dhe kurdoherë në mendjet e qytetarëve të informuem. Në SHBA, rinia edukohet me parimin se çdo qenie njerëzore lind me disa “të drejta” të garantueme vetëm për faktin se jemi qenie njerëzore, e që përcaktohen si “të drejta natyrale”: jeta, liria dhe ekzistenca përherë e ma e lumtun (the pursuit of happiness). Ato nuk janë “të drejta që na jep “shteti” (të drejta pozitive), sepse vetë “shteti” formohet nga ne dhe për ne, e vepron vetëm për nji qëllim: me respektue, dhe me mbrojtë këto “të drejta natyrale” të qytetarëve.
Fatkeqësisht, idetë fisnike të Botës së Lirë, sidomos ato të mbas L2B, gjetën nji terren anmiqsor në vendin tonë, ku popullsia i u nënshtrue nji indoktrinimi të ashpër dhe nji fryme hakmarrëse. Nji shembull: në Plenumin e Gruas… Tiranë, 1979, Nexhmije Hoxha, bashkëshorte e diktatorit E.H., deklaronte: “…Ne do të persekutojmë armiqtë e popullit deri në brezin e shtatë, madje do të lejmë fëmijtë e tyre të pamartuar…!” Nji skenë makabre që ekzekutoi Sigurimi i Shtetit komunist, dhe nji përsëritje makabre e praktikës naziste të hitlerianëve kundër izraelitëve…! E pabesueshme, por e vërtetë!
Cila ashtë vlera morale e politike e “lëvizjes antifashiste” që reklamojnë ende përkrahësit e saj kur ata ballafaqohen me krime të këtilla të përbindshme? Le të gjykojmë me dorë në zemër…!
Kjo atmosferë e rrezikshme përballohet nga antiteza-rezistenca antikomuniste, me plagët e trashëgueme nga e kaluemja e çmendun. I mbijetuemi i Auschwitz-it, John Amery, shkruen: “Kushdo që ashtë torturue, kurrë nuk e ndjen veten të sigurt përsëri në këtë tokë!” Ish-të persekutuemët shqiptarë antikomunistë kanë përbuzë hakmarrjen – cilësi shtazarake – dhe kanë kërkue “drejtësi, e cila u asht mohue me pretekste absurde. Me gjithë këtë gjest kaq fisnik që regjistron historia e popullit tonë, qëndrimi i “fajtorit” që nuk kërkon falje për krimet e kryeme, asgjason procesin e “pajtimit” dhe “bashkimit”, nji proces që na mundon të gjithëve, dhe që na pengon në çdo hap të jetës së përditëshme.
Efektet e nji fryme të këtillë helmojnë ende sot atmosferën shoqnore e politike të vendit tonë me rezultate shkatërrimtare dhe kërcënojnë të mbeten efektive edhe për breznitë e ardhme. Asht mallkimi që na ndjek në mënyrë të pamëshirëshme! Kështu ngjet kur pjesëtarë të Qeverisë deklarojnë haptazi se janë “krynaltë” për prindët e tyne me të kaluemen kriminele. Këtu ndershmënia vdes, dhe vargu i gënjeshtrave dhe i mashtrimeve me ndërgjegje të plotë lind e rritet deri në monstruozitet. (Mbasardhësit e kriminelëve nazistë nuk u martuen ose nuk banë fëmijë me qellim që të zhdukej nga faqja e dheut kjo racë xhelatësh!).
Në Shqipëri, ra heshtja pothuejse e plotë. Kundër kësaj heshtjeje mbytëse, shkrimtari Primo Levi, i Auschwitz-it, në shenjë proteste, vari veten në litar, nji mesazh që tingëlloi në botën mbarë. Nuk u ndigjue në Shqipëri. Unë uroj të mos jemi “Në pritje të z. Godot!”, kur shpreh bindjen time se do të vijë dita që Shqipëria do të udhëhiqet nga nji grupim burrash e grash të ndershëm, të pajisun me guxim qytetar dhe zemërgjanësi, që refuzojnë dukjet e jashtme, e që nuk hipnotizohen nga “e keqja”, por dedikojnë mendjen e djersën e tyne shërbimit për popull e atdhe. Shkruej kështu sepse të shumtë janë ata që qeverisën Shqipërinë; shumë të paktë janë ata që qeverisën Shqipërinë si akt angazhimi patriotik, me mend e me djersë… e që do të kujtohen! Andërr? Jo! Nji dëshirë e ngritun në pasion!
Na duhet guximi dhe vendosmënia për punë ndërtimtare, shpresa dhe sidomos pajtimi në mes nesh, dialogu i hapët dhe i edukuem. Na duhet patriotizmi – dashunia e shërbimi për vendin që quajmë atdhe, pa humbë në errësinën e nacionalizmit romantik e agresiv, sepse nji strategji e ndërtueme mbi “territore” nuk ka sukses. Na duhet fryma e mirëkuptimit të ndërsjellë. Ajo që nuk na duhet asht polarizimi i politikës së vendit, dhe personalizimi i politikës si profesion. Si rrjedhim, sot në Shqipëri nuk kemi “parti kombëtare” por “parti të Tiranës”, nji rezervuar kuadrosh të ricikluemë…!
Diktatura

Diktatura Njishit

* * *
Zgjidhja e ngërçit politik në Shqipëri sot, nuk mund të bahet me përjashtimin e partive të opozitës, aq ma pak të PD-së, forcë politike me kapital moral të madh. Votimet nuk janë legjitime pa opozitën, me gjithë manipulimet politike të mbrapaskenës. Nji akt i këtillë mohon sakrificat e rezistencës heroike antikomuniste dhe përjashton mundësinë e tyne me marrë pjesë në qeverisjen e vendit. Kjo tezë asht krejtësisht e papranueshme dhe duhet përjashtue! Modalitetet janë nji problem teknik që zgjidhet nga ata që duen Shqipërinë ma shumë se “partinë”. Bojkotimi i Parlamentit asht akt primitiv dhe antidemokratik, sepse në Parlament zhvillohet debati i lirë që sjellë marrëveshjen. Nji qeveri e re duhet të gëzojë jo vetëm besimin e shumicës që e ka votue, por edhe të elementit të pavarun e asnjanës. Grindjet pozitë-opozitë rrezikojnë me e kthye zgjedhjet e 18 qershorit 2017 në nji replikë të zgjedhjeve të 2 nandorit 1945: nji arkë për “Frontin Demokratik” dhe “arka boshe” për “armiqtë e popullit”.
Këtu lind nevoja e nji kompromisi të thellë, ndoshta edhe historik të pranuem lirisht nga shumica dërmuese e popullsisë, dhe i hapun për të gjithë!
Nuk kanë vlerë akuzat absurde që qarkullojnë në tregun e mjeteve të informimit. Aq ma pak kur ato synojnë me diskreditue miqtë e aleatët tonë, e ambasadorët e tyne, akuza banale që na kujtojnë 45 vjetët e izolimit komunist. Asht qëndrim infantil, asht qëndrim vetdamtues! Shqipëria krenohet të jetë nji demokraci parlamentare – me gjithë të metat parlamentare! – që kërkojnë ndryshime rranjësore. Nuk ka shqiptar normal që andrron kthimin e regjimit komunist dhe përdorimin e mjeteve të E. H. me arrijtë qëllimet e diktatorit: mbajtjen e pushtetit me dhunë, e të rolit udhëheqës të PPSH-së “permanent dhe absolut” me “grusht të hekurt”! Shqipëria asht kandidat serioz për anëtarsim në BE, me sigurinë e vendit të garantueme nga NATO, me pluralizëm politik, e shtypin e lirë (të paktën nominal!). Ndamja e qeverisjes në tri pushtete teorikisht ekziston, me gjithë komprometimin e thellë të sistemit gjyqësor (që shpresohet të riformohet). Pa dyshim ka shpresë!
Shqipëria nuk asht nji ishull! Jetojmë në Ballkanin Perëndimor të kontinentit europian, sot zonë e trazueme. Ka shumë mundësi që rajoni të priret drejt nji vale pakënaqësish në nji masë të madhe. Këto vitet e fundit, “Moska ka hapë nji front të ri në Ballkan me qëllim krijimin e nji krize politike”, shkruen J. Bugajski. Ai vazhdon: “Pikësynimi nuk asht me pakësue perspektivat (për vendet ballkanike) e hymjes në NATO dhe BE, por në forma kërcënuese me kthye Ballkanin në nji zonë ku konfliktet shkaktojnë ramjen e influencës së Perëndimit, dhe ngritjen e asaj ruse…”
Tri shtete: Maqedonia, Bosnja dhe Kosova, paraqiten si konstruksione politike të përkohshme dhe artificiale dhe përparimi i tyne drejt Europës duhet të ndalohet. Shqipëria akuzohet se me ndihmën e Uashingtonit kërkon copëtimin e Serbisë dhe të Maqedonisë për formimin e nji “Shqipërie të Madhe” – pjellë e fantazive serbo-greke.
Kjo situatë, propagandon shtypi rus, mund të sjellë konfliktin në mes të kombësive, dhe të detyrojë Shqipërinë (e Kosovën) me ndërhye në mbrojtjen e bashkatdhëtarëve të tyne. Ndërhymja ringjall rivalitetin serboshqiptar, me zhvillime të padëshirueshme, që tërheqin, mundësisht, edhe Turqinë e Greqinë në konflikt. Për studiuesit e origjinës se L1B, nji skenar i këtillë nuk ashtë i mundun. Megjithëse historia nuk përsëritet, ajo përmban tinguj të ngjashëm!
Që nga viti 2000, na jemi dëshmitarë të ngritjes së nji rreziku të ri: “populizmit”, dhe lëvizjes së politikës së nacionalizmit agresiv, lëvizje që kërkon kthimin e pushtetit në duert e “kombit-shtet”, larg nga institucionet ndërkombëtare të mbas L2B, si NATO, BE edhe UNO-si dhe nji serie organizatash ekonomike, shoqnore e kulturore që përbajnë strukturën e ruejtjes së paqes që nga viti 1945.
Përgjigjja jonë asht edukimi i popullsisë, kryesisht rinisë sonë - shkruen Dr. Moshe Kantor – me të drejtat e vlerat e tolerancës, demokracisë, bashkëndamjes së përgjegjësisë dhe sigurimit tonë. Nëse vlerat nuk kalohen nga nji brezni në tjetrën organikisht, e që sistemet tona arsimore mund të japin për këtë brezni, veçanërisht në vitet e krizës dhe mbrapambetjes ekonomike, përfundimi do të ishte fatal”.
Duhet të mobilizohet qytetaria e ndershme dhe koshiente!
Para së gjithash, të projektohen vijat kryesore të diskursit politik: nji bërthamë me ide koherente të kohës që jetojmë. Përcaktohen problemet që kërkojnë zgjidhje, dhe debatohen. Asgja nuk pranohet pa bindje të plotë, dhe nëse nuk u përgjigjet shqetësimeve të popullit mbar.
“Vlerat intelektuale dhe shkencore grumullohen në botën tonë; ata kalojnë nga nji brezni në tjetrën”, spjegon filozofi anglez, John Gray. “Nuk asht kështu me vlerat morale, që fatkeqësisht nuk kanë këtë efekt grumbullimi”. Kjo asht arsyeja që çdo brezni duhet të mësojë këto vlera nga vetë eksperienca e tyne; nëse jo, krijohet mundësia e nji katastrofe të re…” – shton ai.
Çfarë mund të bajmë për breznitë e ardhme? Me paraqitë përvojën e terrorit të kuq si paralajmërim i të ardhmes që i kërcënon. Rishtazi, Presidenti i Izraelit ftoi ish-Presidentin e Gjermanisë me marrë pjesë në përkujtim të Holokaustit. A mund të imagjinojmë na nji ftesë nga ish-të përndjekurit drejtue trashëgimtarëve të terrorit të kuq me vizitue Bedenin, Vloçishtin, moçalet e Myzeqesë, Burrelin, Spaçin, Qafë-Barin e vende të tjera shenjte ku pushojnë pa gjurmë, pa shenjë kufomat e mijëra viktimave të pafajshme të komunizmit? A jemi na aq të pjekun për nji gjest të këtillë që do të trondiste edhe ndërgjegjen ma të fjetun? Gjeste të këtilla sot nuk janë “e kaluemja – e harruemja”; ata janë përpjekje për nji mirëkuptim, sot dhe nesër, nga ata që kërkojnë përsëritjen e katastrofës…!”
Në Europë dhe në Amerikën e Veriut sidomos, qytetarët kanë tendencën me spjegue, për çdo epokë, vendin e tyne në botën ku jetojnë. Ky spjegim asht zakonisht optimist dhe përparimtar: kontribut për pasuninë e përbashkët të njerëzimit. Vlerat perëndimore, randësia e diskursit të lirë dhe racional, e drejta e pronësisë si bazë e lirisë së individit, nevoja për forume publike dhe për informata janë vlera që popujt e mëdhej trashëguen, e lajnë trashëgim. Kjo cilësi “e burrave të shtetit” iu dha popujve sensin e misionit të përbashkët, me nji fjalor të përbashkët, si dhe nji kuadër mbrenda të cilit argumentimet politike gjejnë fushë veprimi për zbulimin e pikësynimeve të përbashkëta.
Me humbjen e besimit në qytetnimin perëndimor nga sulmet e gjithanshme, ai u konceptue si histori e shtypjeve të vazhdueshme. Propaganda komuniste zen këtu vendin e parë! Tue fillue me diktaturën e shumicës, tue kalue në diktaturën e pakicës, e tue përfundue me “diktaturën e njëshit!” trashgimia e jonë e pasun u pezullue. Shtetet mafioze u çfaqën në çdo kand të botës, bashkë me “dorën e hekurt”. Fituen partitë e ekstremit. Vlerat liberale në familje – bërthamë e shoqënisë – u sulmuen randë në shkollat tona. Studentët e pakulturuem u banë agresivë, jo tolerantë, abuzues, e tallës të mësuesve në shkollë e prindëve në shtëpi…! E frikëshme!
Mjaft persona nuk e kuptuen, edhe ma shumë të tjerë nuk e vranë mendjen me kuptue. Çdo gja perëndimore u gjykue si “reaksionare” dhe “shtypëse”. Ma në fund, ndërtesa e ngritun mbi këto parime, u shemb. Ajo që na mbeti ishte nevoja urgjente me rindërtue botën e re, botën e vlerave dhe ideve shoqënore të qytetnueme, hap mbas hapi, çdo ditë nga pak…!
Ma shumë se partitë politike, ma shumë se zgjedhjet katërvjeçare, vendi i jonë ka nevojë absolute për rindërtimin moral të shoqënisë sonë shqiptare. Dhe kjo, “sous peine de mort”! Nën kërcënimin e zhdukjes sonë si komb me identitet shqiptar…!
Mos e dhashtë Zoti!
http://www.shkodra.news 5 maj 2017
 
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook