back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Anton Harapi: “Kam derdhë djersë me ba Shqipninë” – nga Fritz Radovani

Gazeta

At Anton Harapi (1888-1946)
At Anton Harapi (1888-1946)

Anton Harapi: “Kam derdhë djersë me ba Shqipninë”

nga Fritz Radovani

At Anton Harapi O.F.M.

(5 Janar 1888-20 Shkurt 1946)

At Anton Harapi O.F.M., Françeskan Shqiptar, asht le me 5 Janar 1888 në fshatin Shirokë, pranë qytetit të Shkodrës. Studimet e nalta i ka përfundue në Universitetin e Vjenës dhe u shugurue Meshtar në vitin 1916. Me kambnguljen e Lef Nosit u zgjodh Antar i Rregjencës Shqiptare tue u vue si kusht nga At Antoni që: “Marr pjesë në Rregjencë me kusht mos me nënshkrue asnjë dënim me vdekje!” Dhe, i qendroi vendimit të Tij deri në fund. Në nandorin e 1944, asht në ilegalitet në Dukagjin.
5 Qershor 1945: Arrestohet nga forcat e Ndjekjes komuniste i tradhtuem.
Dosja 1086: Trupi gjykues i përbamë nga Kryetari major Irakli Bozo, antarë majorët Tonin Jakova dhe Gjon Banushi, sekretar aspirant Thoma Rino dhe Zalo Xhomaqi, e prokuror major Misto Treska, me daten 1 Janar 1946 marrin në pyetje At Anton Harapin.
Prokurori kërkon dënimin e At Antonit me vdekje. Ky dënim ju dha Lef Nosit dhe Maliq Bushatit, Antarë Rregjence. Me 14 Janar i dergohet per aprovim Gjykatës Ushtarake.
At Anton Harapi edhe përpara se të shkonte në Regjencë ishte një personalitet Fetar, antar i Institutit Studimeve Shqiptare, drejtues i “Orës së Maleve”, “Hyllit të Dritës” dhe letrar i njohun… Një predikator dhe konferencier i përsosun…
Dosjet, deponimet, kallximet e dhunueme në tortura, ballafaqimet apo mohimet e pakta nën dhunën mizore të Sigurimit komunist, janë dishmi që kanë vlerë të madhe për me dashtë me kuptue karakterin e të pandehunit në hetuesi.
Në vitin 1998, kur kam pa disa Dosje, unë jam ndalue kryesisht tek Fjala e Fundit që ka thanë i dënuemi me vdekje. Aty shihet kjartë aktivizimi i qelizave të trunit që për të gjithë jetën janë kenë të paaktivizueme asnjë sekond… Aty shihet vetëm e vërteta!
.
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist
Prandej në kët përvjetor të At Anton Harapit, zgjodha Fjalën e Fundit në gjyqin e Tij:
“Falnderoj Drejtësinë Popullit që po më jep fjalën e fundit në kët kohë të kritikshme për mue. Fjala jeme e fundit asht kjo: Nuk shembet Shqipnija pse gjykohet për dekë Padër Anton Harapi. Gjithashtu, nuk prishet Shqipnija nëse nuk gjykohet për dekë Padër Anton Harapi. Kur përpara 40 vjetëve, në Shkodër u përpiqshim me ba Shqipninë, shumë gjysha na thojshin se nuk duem Shqipni, por na nuk i kena vue këta n’litar.

Nuk kërkoj z. Kryetar, nji tolerancë: unë, simbas mundit, kam derdhë djersë me ba Shqipninë. Franca e qytetnueme asht shembulla e Revolucioneve popullore, e gjykoi Petain dhe e fali, e kët nuk ja njoftën për të keq, por ja njoftën për mirë. Kujtoj se edhe Shqipnija kur gjykon Regjentat, besoj se sikur t’i falin këta, nuk ka me kenë ligësi për Shqipninë, por besoj se ka me kenë mirë. Unë që kur se kam hy në gojën e ujkut, Hausdingut, etj., jam përpjekë me ba mirë e me pështue ndonji jetë prej egërsinave. Por mekenëse ishin bisha t’egra, nuk kam mujtë me i zbutë, por prap, me mundin tem kam pështue mjaft. A ka pasë Shqiptarë të marrë si unë që, për me pështue njerëz, me shkue e me u futë vetë në gojën e ujkut?! Ka pasë që sakrifikohen moralisht. Këte e kam thanë edhe në ligjeratën teme. Mue më shtyni marrija me shkue e me u përpjekë për me lehtësue vuejtjet e disa familjeve dhe kam ba mjaft punë morale, sikurse e jueja që asht materjale. Gja tjetër nuk kam me thanë: Rrnoftë Shqipnija!”

20 Shkurt 1946: Vite mbas, njeni prej ekzekutuesve ka me kujtue atë mëngjes të vrantë ndërsa, At Antonin po e çonin me e vra në periferi të Tiranës, e frati i hidhte hapat me kujdes, tue ngritë herë-herë kindet e zhgunit, për mos me ju stërpikë nga baltat.
“Mos kij dert, o Prift, i paskesh folë njeni prej ekzekutuesve, – se tek balta ke me përfundue!”…
“Atje tek shkoj, – ia kishte kthye Frati, – due të shkoj i panjollë, siç kam kenë tanë jetën!”
***
E ashtu shkoi… Pa asnji njollë, për me i qëndrue deri në fund edukatës harapjane:
“Për nji shqipni të bashkueme e t’lidhun me idealin e herojve!”
më thonte i ndjemi Cafo beg Ulqini aty nga viti 1968 në Shkoder: “At Anton Harapi asht kenë nji e s’bahen dy!”
Melbourne, 4 Janar 2018.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.