Antologjia e lajmëtarve të vrarë të Europës…

Visar Zhiti - Tirane 2005

Visar Zhiti – Tirane 2005

Antologjia e lajmëtarve të vrarë të Europës…

Shkrimtari Visar Zhiti nxori këto ditë një libër të ri, sa i veçantë po aq dhe i rëndësishëm, antologjinë e të vrarëve, me krijimtari nga autorë shqiptarë të pushkatuar, të vdekur burgjeve e internimeve, botim i dy shtëpive botuese, “Omsca-1” dhe UETPRES, Universiteti Europian i Tiranës.
Antologjia shpalos vlera të larta morale të jetëve të autorëve të përzgjedhur dhe vlera të larta artistike nga krijimtaria e tyre në poezi, prozë, memuare, sentenca, etj, një pjesë e të cilave dalin për herë të parë, të paraprira nga një parathënie-studim si dhe nga një portret letrar biobibliografik për secilin autor, të punuar me dashuri e dhëmbje nga ideatori dhe përgatitësi i antologjisë, Visar Zhiti.
Vepra ngërthen në vetvete etikë dhe estikë së bashku, kujtesë, tragjizëm, drejtësi, nderim, por mbi të gjitha ai është një tekst letrar, një antologji mbarëkombëtare, e para e këtij lloji në letrat shqipe, por, besojmë, se dhe në gjuhë e vende të tjera nuk ka botime të tilla, sepse asnjë diktaturë nuk ka vrarë dhe dënuar aq shumë shkrimtarë të popullit të vet sa ajo shqiptare me Enver Hoxhën në krye.

Visar Zhiti - Kopertina e Antologjise

Visar Zhiti – Kopertina e Antologjise (Lin Delia)

Autorët e përzgjedhur janë emra të shquar, intelektualë të lartë, një pjesë pak të njohur, të lauruar në universitete të ndryshme të Europës, në Austri e Itali, Francë, Gjermani, Greqi, në universitete amerikane si në Turqi, por dhe në Bashkimi Sovjetik, Jugosllavi, etj, të gjithë kundërshtarë të diktaturave, fashiste, komuniste, të vrarë me gjyq dhe pa gjyq nga shteti i tyre në kohë paqeje gjatë sundimit të tiranisë dhe në luftën e fundit të Kosovës.
Antologjia na tregon bindshëm që në Shqipëri gjatë sundimit komunist nuk ka patur vetëm viktima, por dhe disidentë, kundërshtarë dhe martirë të pavdekshëm, që i bashkon dashuria për liri e atdhe, kultura europiane dhe ëndrra europiane. Prandaj dhe janë mbiquajtur “Lajmëtarë të Europës”.
Po kështu antologjia është hap i mëtejshëm i mendimit dhe i veprimit që shpreh se shqiptarët janë të aftë dhe duhet që nga persekutimi i rëndë dhe vuajtja e madhe jo vetëm të përkujtojnë e të ndjehen krenarë për sakrificat, por të nxjerrim përvojë, vlera dhe ide, që i shërbejnë të tashmes dhe ardhmërisë.
Ajo që e bën më aktuale dhe ende më të çmuar antologjinë, është fakti se autorët e vrarë që përfshihen, shikohen si përfaqësuesit e lartë të të gjithë pararendësve të demokracisë të një Shqipërie europiane dhe ndjehen ende forcë vepruese. Duke u botuar pikërisht nga Universiteti Europian i Tiranës, metafora e kësaj antologjie merr vlerën e përmbushjes shpirtërore të një testamenti për të gjithë shqiptarët, sidomos për të rinjtë.

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook