back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Ahmet Zogu (1895-1961) – Përkujtimore në përvjetor vdekje – nga Klodi Stralla

Gazeta

Mbreti Zog i Parë dhe Stema Mbretnore
Mbreti Zog i Parë dhe Stema Mbretnore

Ahmet Zogu (1895-1961)

– Përkujtimore në përvjetor vdekje

nga Klodi Stralla

9 prilli 1961, është data kur ndrroi jetë në Paris, pas një sëmundje të gjatë, Ahmet Zogu, personaliteti që dominoi politikën shqiptare midis dy luftrave, së pari si kryeministër, më pas si president dhe pas vitit 1928 si Mbret i Shqiptarëve, derisa u largua në 7 prill 1939, nga pushtimi fashist i vendit.
Zogu është figura politike më e anatemuar prej komunistëve që kur erdhën në pushtet (1944) dhe ende sot vazhdon të jetë, nga një pjesë e historianëve, por edhe në popull, kryesisht nga brezi që lindi dhe jetoi nën komunizëm, si rezultat i indoktrinimit të programuar.
Është e vështirë që, në pak rreshta, të bësh bilancin e të mirave dhe të këqiave që i solli vendit qeverisja e tij, bilanc që, për mua, duhet të përbëjë kriterin bazë në vlerësimin e figurave historike të çdo kombi. Disa prej këtyre arritjeve ia njohën edhe kundërshtarët më të ashpër të tij.
.
Figura e Ahmet Zogut e krahasuar me Skenderbeun
Figura e Ahmet Zogut e krahasuar me Skenderbeun
-Zogu për herë të parë pas pavarësisë i dha fund anarkisë feudale në vend, anarki e trashëguar prej brezash tek shqiptarët. Çdo krahinë e vendit njohu autoritetin e qeverisë qendrore, paguante rregullisht taksat dhe mobilizonte rekrutë për ushtrinë kombëtare.
-Në një kohë rekord krijoji administratën e shtetit shqiptar dhe e pajisi vendin me legjislacionin bashkëkohor, penal dhe civil, të standarteve europiane sipas modelit të Kodit të Napoleonit.
-Zogu është frymëzuesi dhe ideatori i krijimit të arsimit publik, laik e kapilar në të gjithë territorin e vendit; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitetet europiane (ironikisht mes tyre ishte edhe E. Hoxha), dhe kur diplomoheshin ata ktheheshin në atdhe, e Zogu i emëronte në poste administrative.
-Prapambetja e trashëguar mesjetare e vendit dhe nevoja për të mbijetuar e detyroi të mbështetej në një fuqi të huaj (Italia), gjë që e shndërroi ekonomikisht vendin në një kuazikoloni italiane.
-Por gjithsesi Zogu ishte nacionalist. Mussolini u përpoq ta nënshtrojë, me kërcënime dhe rryshfete, por ai qëndroi i palëkundur. Ironikisht, mospranimi për ta dorëzuar pavarësinë politike të vendit, e bindën Mussolonin se e vetmja mënyrë për ta larguar ishte pushtimi ushtarak i vendit.
-Zogu nuk ishte demokrat po as monark absolut, në kuptimin e sotëm të fjalës; shteti shqiptar i drejtuar prej tij ishte një monarki kushtetuese, me parlament dhe qeveri, e ngjashme me atë të vendeve të tjera ballkanike. Ishte më afër një regjimi autoritar ku fjalën e fundit në çdo vendimarrje kryesore e thoshte vetë Zogu.
-Ndonëse në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, vetëm 14 vjet, ai krijoi një frymë patriotike kombëtare tek populli dhe kryesisht tek rinia shqiptare që u manifestua që në ditët e para të pushtimit fashist dhe më vonë edhe gjatë viteve të luftës.
Ruaj gjithashtu bindjen se shkolla është motori i një shoqërie dhe që aty fillon ndryshimi i çdo kombi të prapambetur. Zogu e kuptoi këtë (mbase ka luajtur rol edhe Ejres, anglezi – eminencë gri pranë tij). Një liceist, pavarësisht besimit fetar apo krahinës nga vinte, kishte të njëjtën kulturë dhe kudo ku shkonte (edhe në familje) përhapte dije dhe kulturë. Lufta e ndërpreu këtë proces natyror emancipimi social të nisur, duke u dhënë mundësi një grupi (elitës komuniste) t’i imponohet dhunshëm gjithë shoqërisë, duke e shndërruar luftën antifashiste në luftë për pushtet, me çmimin edhe të tradhëtisë kombëtare.
Zogu u përpoq, me sa mundi, ta shkëpuste vendin nga trashëgimia e hidhur pesë shekullore osmane, ndërsa ai që erdhi mbas tij, ndonse qeverisi tre herë më gjatë dhe me një pushtet shumë më të pakufizuar se ai, e këmbeu islamin e dikurshëm me marksizëm – leninizmin, Allaun me Partinë dhe veten e vet me Sulltanin, duke e shndërruar Shqipërinë në një feud dhe shqiptarët në bujkrobër të tij, një trashëgimi e hidhur që po e vuajmë ende sot. Fatkeqësi!
.
Ahmet Zogu (1895 - 1961)
Ahmet Zogu (1895 – 1961)

Opinione rreth figurës së Ahmet Zogut dhe Kohës së Zogut

Mirel Sharxhi
Ahmet Zogu në vitin 1920, si Ministër i Brendshëm i qeverisë së Kongresit të Lushnjes, vendosi autoritetin e kësaj qeverie në Shqipëri duke treguar se shqipot mund të vetëqeveriseshin.
Ata që prisnin që Zogu për 10 vjet, në Europën e Hitlerit, Musolinit e Stalinit, në kushtet e depresionit ekonomik botëror të viteve ’30, një Shqipërie të varfër, anarkike e analfabete, të ndërtonte një demokraci përfekte janë të rrjedhur nga trutë.
Zogu vendosi rendin, ndërtoi gjykatat, xhandarmërinë dhe filloi të arsimojë rininë.
Si vend i vogël Shqipërisë i duhej mbështetja e jashtme. BE e NATO s’kishte atëherë.
Midis serbëve dhe italianëve, ai zgjodhi italianët.
Gjithë mbretëritë e vendeve të vogla të Europës ikën, vendin i tyre u pushtuan po askush nuk i shpalli tradhëtarë për këtë.
Shqipot armë për të vrarë njëri-tjetrin kishin boll, por për të luftuar të huajin, iu mungonin shulat.
Shqipëria e Kohës së Zogut ka qënë shtet demokratik, me parlament, me opozitë, me shtyp të lirë, me liri levizjeje dhe liri fetare, me respektim maksimal të pronës private, gjëra që shqiptarët nuk i patën kurrë në kohët e mëvonëshme.
E vetmja e metë e Zogut ishte, që nuk i pushkatoi gjithë komunistët kur i kishte në dorë, por ju dha dënime qesharake.
.
Klodi Stralla
Për rrethana historike të njohura, Shqipëria nuk u pavarësua me revolucion nga poshtë. Ishin elitat osmane me origjinë shqiptare, që kur u shemb perandoria, për të shpëtuar privilegjet e tyre por edhe nën kërcënimin e copëtimit nga fqinjët, përqafuan kauzën e nacionalizmit. Familja Zogolli ishte njëra prej tyre (ndonse jo kryesorja), prandaj shumë veprime të Ahmet Zogut duhen parë edhe nën këtë këndvështrim historik. Simbas meje Zogu kishte kuptuar rolin e shtetit dhe të shkollës në një shoqëri dhe, me sa mundi, investoi shumë në këtë drejtim.
.
Thanas Gjika
Për të gjykuar një periudhë historike mund të shikojmë çfarë pasoja edukative la në popull: Periudha e Rilindjes solli si pasojë edukative patriotizmin, krijimin e çetave të komitëve që luftuan për liri e pastaj krijimin e shtetit monarki parlamentare me ligje europiane. Periudha e Mbretërisë solli si pasojë edukative partiotizëm, rinia doli malit për liri si nacionaliste e më pas edhe si partizane. Periudha e diktaturës komuniste solli si pasojë edukative prishjen e moralit, gënjeshtrën dhe mashtrimin, doli kjo klasë politike tejet e korruptuar që na sundon më së keqi.
.
Marrë nga Muri i Fb. i Klodi Strallës, 9 prill 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.