back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Agron Tufa kërkon azil politik në Zvicër – opinione intelektualësh dhe shkrimtarësh

Gazeta

Shkrimtari Agron Tufa
Shkrimtari Agron Tufa

Agron Tufa kërkon azil politik në Zvicër

Ikja në kërkim të ezilit, nga drejtori i
Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit,
nuk është alarm për ikjen e një njeriu të kërcënuar,
por i një luftëtari për një kauzë,
që i përket çdonjerit prej nesh…
jozef radi
.
Agron Tufa, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK) ka kërkuar azil politik në Zvicër për shkak të pasigurisë për jetën e tij dhe të familjes së tij në Shqipëri.
Burimeve të besueshme konfidenciale thanë për Gazeta “Minerva” se Tufa ka kërkuar zyrtarisht strehim politik ne shtetin e Zvicrës dhe aktualisht ndodhet familjarisht i strehuar në një nga qendrat për azilantë politikë te këtij shteti.
Nga Zvicra, ai ka kërkuar dorëheqjen nga drejtori i ISKPK, nëpërmjet një letre dërguar kryetarit të Bordit Drejtues te ISKPK, Uran Butka.
Prej disa kohësh, Tufa dhe instituti që ai drejton ishin vënë nën shënjestrën e goditjeve dhe sulmeve të mazhorancës. Ai u kërcënua dhe u fye publikisht në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetit i qeverisë Spartak Braho, ish-hetues e gjykatës i diktaturës komuniste.
Politikanë e zyrtarë të lartë të shtetit kanë ngritur një sërë padish ndaj tij në prokurorinë dhe gjykatat e kontrolluara nga qeveria.
Marrë nga https://www.syri.net/politike/298703/agron-tufa-kerkon-azil-politik-ne-zvicer/
.
Agron Tufa dhe Familja e tij
Agron Tufa dhe Familja e tij

Sikur kam humbur në luftë shokun…

nga Nebil Çika

Me keqardhje mora vesh largimin e detyruar nga vendi ynë të Agron Tufës, mik dhe bashkëpunëtor i afërt në kauzën tonë të përbashkët e fisnike të dekomunistizimit të Shqipërisë.
E kam ndjekur dhe e kam mbështetur ne përballjen me presionin komunist dhe e mirëkuptoj për vendimin që ka marrë në kushte ekstreme të kërcënimit të jetës së tij dhe familjes.
Ndjehem keq kur mendoj se që nuk do të jetë me ne “vijën e parë të frontit”, si deri tani. Për mua është njësoj sikur kam humbur në luftë shokun në krah.
Por besoj se edhe nga Zvicra apo kudo që të jetë në ekzil politik do të vazhdojë të jap kontributin e tij si antikomunist, shkrimtar e mentar në të mirë te kauzës sonë të madhe e fisnike të lirimit të atdheut tonë nga komunizmi dhe format e tij të kamufluara!
Zoti ta bëfte mbarë miku im!
.

Shpreh indinjaten time te thelle per metodat e uleta e depersonalizuese

nga Jonila Godole

Agron Tufa me familjen nuk e perjetuan termetin e dates 26 nentor, por largimi i tij nga Shqiperia shkakton nje “termet” te forte fillimisht per miqte e tij te afert; per gjithe kauzen e ballafaqimit me diktaturen komuniste; per gjithe aktoret institucionale dhe private qe angazhohen ne kete drejtim si dhe per gjithe shoqerine shqiptare qe qendron indiferente ndaj goditjeve qe u jepen zerave kritike ne kete vend, a thua nuk paskemi mesuar asgje nga shurdheria dhe memeceria jone per 45 vjet.
Agroni ka paraqitur sipas rregullores doreheqjen e tij prane Bordit drejtues te ISKPK bashke me arsyet qe e kane detyruar te marre kete vendim, te cilat besoj se do behen publike se shpejti. Me siguri do te kete interpretime te ndryshme ne ditet qe vijne se perse ai ndermori kete rruge, a eshte e tepruar apo jo kanosja ndaj tij dhe familjes se tij, etj, etj… Por si anetare e Bordit Drejtues shpreh personalisht indinjaten time te thelle per metodat e uleta depersonalizuese dhe kercenuese qe figura politike ne pushtet dhe ndihmesit e tyre perdorin vitet e fundit per te goditur çdo individ qe lufton per zbardhjen e krimeve te komunizmit; per te mbytur zerat kritike qe nxjerrin zbuluar regjimin e djeshem dhe trashegimine e tij te kalbur moralisht dhe politikisht qe e katandasi Shqiperine serish ne nje vend monopartiak.

.

Krimi komunist, më i egër se kurrë…

nga Av. Kujtim Cakrani

Kërcënimet dhe zvarritja pafund e gjyqit, mosfillimi i procesit ndaj Cajës, kërcënimet në rrugë dhe format e fshehta të shantazhit, e kanë shtyrë Drejtorin e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit z. Agron Tufa, të kërkojë strehim politik për të mbrojtur familjen dhe jetën e tij!
Në një vend ku krimi komunistë i djeshëm është më i egër se kurrë, kërkimi dhe vendosja e drejtësisë është e pamundur.
.
Av. Kujtim Cakrani & Agron Tufa
Av. Kujtim Cakrani & Agron Tufa

Agron Tufa: Tërmeti Nr. 2

nga Bardhyl Londo

Tërmeti i dytë ndodhi: Agron Tufën, një nga shkrimtarët me të talentuar shqiptarë e detyruan të braktisë atdheun e tij të dashur për të cilin ka bërë aq shumë. Shqipëria thyen kështu një tjetër rekord famëkeq: një shkrimtar nga më të njohurit në periudhën postdiktatoriale detyrohet të kërkojë strehim politik në një vend tjetër për të siguruar jetën e fëmijeve të tij. Tani le të dalë kryeministri dordolec dhe shakaxhi dhe të deklarojë: E çfarë ka këtu? Kjo ndodh dhe në Kroaci dhe në Bullgari…
Për çudi pas këtij tërmeti të dytë heshtin shkrimtarët, heshtin organizatat e tyre, hesht. PEN KLUBI.
Po kur do të ndjeheni dhe organizoheni o njerëz?
.

Në këtë kohë tërmetesh…

nga Agron Gashi

Ikja e Agron Tufës, njërit ndër shkrimtarët më të mirë në letrat e sotme shqipe, është ikje nga demokracia, ikje nga fjala e lirë, ikje nga lufta e gjuhës, për shkak të dënimit të krimeve të komunizmit.
Kërcënimet ndaj tij kanë qenë të pandalshme, ato i kam parë dhe m’i ka treguar edhe vetë Adashi. Ato kanë qenë të panumërta nga individë jashtë dhe brenda insitucioneve të Shqipërisë. Kur kërcënimi publik instituciinalizohet, s’kishte se si të bënte ndryshe, përveç të merrte azil politik, për hir të fëmijëve, familjes, së fundi edhe për veten, sepse ka akoma për të bërë.
Agron Tufa ishte dhe është një nga zërat më të fortë që zbardhi krimet e ish-sistemit dhe të atyre kriminelëve, të cilët, tash me petkun e pushtetit, provuan dhe provojnë t’ia zënë frymën Shqipërisë, duke pretenduar t’ia zënë frymën edhe autorit, mikut tonë të dashtun.
Atyre iu ka penguar vepra e tij letrare, edhe atëherë kur nuk ka pasë objekt diktaturën, sepse ajo nuk ishte “shkollë e sistemit”.
Atyre iu ka penguar, sidomos vepra e tij letrare e dokumentare kur objektivoi pasojat e diktaturës.
Atyre iu ka penguar, shumë më shumë, kur si institut, nuk bëri më shumë as më pak, përveç që nxori në dritë të vërtetën; vrasjet, dhunimet dhe vuajtjet çnjerëzore nëpër kampet e përqendrimit, si ai i Tepelenës me të tjerë.
Jam tmerruar kur në dorëshkrimin e tij kam parë dhe lexuar disa nga dëshmitë okulare, të cilat mori mundin dhe i letrarizoi, i bëri të mundshme, rrëfime që nuk i beson dot njeriu ynë.
Por, kjo nuk duhet ta pengojë asnjërin nga intelektualët atje që ta ngrisin zërin, jo vetëm për Agron Tufën, por për të vërtetën çnjerëzore, ndryshe ka shenja që ajo të manifestohet si një monizëm sui generis, si diktaturë e re.
“Atdheu mbetet atdhe, edhe atëherë kur të vret”, – thoshte Kuteli. Ky atdhe mjaft ka vrarë, madje edhe shkrimtarë, të rinj e të vjetër. Sërish u dashka të viktimizohet njeriu i kulturës për pasoja të diktaturës?!! Jo, ai nuk është atdheu i Agron Tufës, as i sivëllezërve të tij të vrarë në diktaturë, nëse qeveria, institucionet përkatëse nuk reagojnë, nuk e zbardhin të vërtetën e kërcënimeve ndaj shkrimtarit dhe mikut tonë.
Adash,
Vërtet kjo qe e dhimbshme, e papritur dhe e papranueshme, por më mirë të të kemi të gjallë, në Zvicër, sesa “t’rrxuem përdhé” në këtë kohë tërmetesh, ku s’e njeh qeni të zonë.
Nga kjo duket se Shqipëria, nuk e ka kaluar akoma ‘valën e tretë’ të demokracisë, përderisa pas 30 vjetësh, shkrimtarët si Ju duhet ta braktisin atdheun!
.

Troç…

nga Balil Gjini

Trishtim i madh për këtë vend. Agron Tufa, njeri dhe shkrimtar i rrallë, e ka braktisur këtë vend. E ka braktisur sepse, siç thoshte në një nga statuset e tij, ndihej i kërcënuar mes sehirit të madh shtetëror.
Gjithë skota e kuqe e komunistëve iu turrën atij që, me një grup shokësh, u përpoq të nxirrte në dritën e diellit të vërteta kutërbonin era tmerr. Ndërkohë, skota të tëra sharlatanësh, puthatorë e lavire të pushtetit, flasin për demokraci dhe të drejta të njeriut.
Turp! Turp! Turp!
.

Dëgjoje heshtjen tonë!

nga Virion Graçi

Me erdhi para disa orësh një shënim i gjatë shpjegimi, ndjese vëllazërore e lamtumire nga miku im i hershëm Agron Tufa… Bashkë me familjen ndodhet në një qendër azili politik në Zvicër.
U ndjeva keq… Gati një vit më i madh se une në moshë ai erdhi në fakultet 2-3 vjet pas meje, vonesa për shkaqe politike/ biografike të asaj kohe…
E mbaj mend vendin dhe kohën kur kemi shkëmbyer fjalët e para, mu në hyrje të filologjikut, në krahun djathtas…
Ikja e tij do të ketë ndjeshmëri, komente e gjykime të ndryshme në opinionin shqiptar; mund të synohet minimizimi dhe keqinterpretimi nga dashakeqët e tij të palodhshëm sikurse, nga ana tjetër, neve që do të na mungojë fizikisht si mik, si koleg, si njeri i dalluar i letrave – do të na bëhet gjithmonë e më e madhe mungesa e tij.
Shkrimtar e përkthyes i radhës së parë, kuvendar i këndshëm e i përditësuar me zhvillimet kontinentale kulturore-letrare, Agroni tërhiqte njerëz, imponohej natyrshëm, fuqishëm.
Besoj se do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në vazhdim, këtu, verbalisht, të paktën.
Më bën të shpresoj për sa besoj e uroj më sipër arsyeja që më dha dikur, i porsa kthyer përgjithmonë nga studimet dhe punësimi universitar në Rusi, “Viri, kisha frikë nga tëhuajëzimi gjuhësor…”
Sa mund të jetë aktual ky rrezik që Agroni dikur ia parandieu vetes, vështirë ta thuash. Një dyzinë me libra origjinale e po aq të tjerë shqipëruar prej tij janë pasuri e madhe jo vetëm vetjake….
Por…. do të donim ta kishim këtu mes nesh, jo vetëm me shkrime…
Po të më pyeste para se të nisej për shtegëtimin e tij të vështirë, të detyruar, do t’i thoshja: urrejtja bërtet, dashuria jo, është e heshtur. Mos e mat rrugëtimin e yllit tënd me tingujt e mjerë të urrejtjes që kumbon mjerueshëm…
Dëgjoje heshtjen tonë!
.

Një tërmet intelektual në Shqipëri

nga Ag Apolloni

Mbrëmë nga disa portale mora vesh që shkrimtari Agron Tufa me familje, pas një persekutimi të gjatë nga pushteti i keq dhe shoqëria e kuqe, ka kërkuar azil politik në Zvicër. Edhe pse isha i sigurt që kjo herët a vonë do të ndodhte, mbrëmë nuk doja t’u besoja lajmeve, por këtë e konfirmova shpejt nëpërmjet komunikimit direkt me familjen e persekutuar. Natyrisht, u dëshpërova shumë për dy arsye: e para, sepse Agronin e kam mik dhe, e dyta, sepse ai është shkrimtar dhe intelektual i dorës së parë. (Për veprën e tij kam shkruar disa herë dhe një nga shkrimet që jua sugjeroj ta lexoni është ai me titull “Dy tragjedi dhe një katarsis”, që flet për “Gurit të varrit ia rrëfej”, një roman i jashtëzakonshëm që thërret për një katarsis kombëtar).
Agron Tufa u persekutua, sepse duke i zbardhur krimet e komunizmit, tregonte se sa e nxirë është sot fytyra e Shqipërisë, që s’ka kaluar ende nëpër procesin e lustracionit.
Duke hulumtuar, gjeta një postim që kisha bërë më 29 prill të këtij viti për rastin e persekutimit të Agron Tufës. Shkurtimisht, ai përmban këtë shënim: “Në Shqipëri, këto ditë ka nisur një luftë mes shkrimtarit Agron Tufa dhe mbeturinave komuniste shqiptare. Pak më parë e pashë në një televizion shqiptar sesi fliste një militant komunist, njëfarë Arben Duka, që kishte kryer Akademinë Ushtarake, por që i pëlqente të njihej si poet (sepse kishte shkruar vargje të panumërta lavdëruese për Enver Hoxhën) dhe si gazetar i gazetës “Dita”. Ai thoshte se Agron Tufa ka hyrë në gjak me historinë dhe këtë nuk do t’ia falë populli. Kërcënimi ishte i pastër. Është e tmerrshme se si në Shqipëri, në vend se të jenë në burgje, këta Duka e duduka flasin në emër të popullit dhe të historisë”.
Herën e fundit kur u takuam me Agronin dhe Elvanën, këtu, në Prishtinë, para disa javësh, bëmë një bisedë heretikësh mesjetarë, domethënë folëm për kërcënimet dhe persekutimet në ditët e sotme. Shpresoja që tashmë heretikët duhet të fitojnë, jo Inkuizicioni. Por…
Tash nuk e di nëse Shqipëria po e përjeton muzgun e demokracisë, apo ndoshta demokracia atje ishte vetëm një iluzion..
.

Kur ikën mjeshtri çfarë bën dishepulli?

nga Manjola Brahal – Halili

Nga postimet e disa miqve në fb mësova për ikjen jashtë Shqipërisë të profesorit, përkthyesit dhe shkrimtarit shqiptar që kam vlerësuar dhe vlerësoj më së shumti, Agron Tufës. Falë këtij njeriu unë kam e marrë seriozisht rrugën e shkrimit dhe të poezisë, vetëm falë mbështetjes dhe sigurisë që më kanë dhënë fjalët, kritikat dhe vlerësimet e tij unë kam ecur përpara, për t’u bërë kjo që jam sot.
Me krijimtarinë e tij të jashtëzakonshme dhe me kryeveprat e tij jam njohur kur kam qenë studente, për të mos u ndarë më asnjëherë prej tyre.
Ky shkrimtar i ka dhënë letërsisë shqipe shumë dhe shpresoj që të mos ndalet, pavarësisht faktit se ku do jetë, edhe pse letërsisë dhe kulturës shqipe do i shërbente shumë edhe fizikisht, siç edhe i ka shërbyer me aktivitete nga më të ndryshmet dhe më të bukurat.
Të them të drejtën u trishtova, u befasova dhe nuk po më besohet. Sepse do e shohim rrallë dhe nuk do e takojmë si dikur, sepse takimet dhe bisedat me të ishin kënaqësi dhe mësim për ne, që kishim fatin të ishim edhe studentët e tij. Por edhe sepse ai ishte një njeri që fatin dhe qenien e tij ia kishte përkushtuar vendit të tij, gjuhës dhe kulturës së tij. Nuk e kam menduar ndonjëherë të larguar prej asnjërës prej këtyre… shpresoj t’i jetë larguar vetëm fizikisht të parës e shpirtërisht asnjërës.
U trishtova edhe për vendin, për atë vend që ka degraduar aq keq, sa po i dëbon bijtë e vet më të mirë.
Gjithsesi unë uroj që të jetë mirë ai me gjithë familjen e tij të bukur. Shpresoj të gjejë qetësinë dhe rehatinë që nuk e gjeti dot në atdheun e vet, dhe të jetë edhe më frytdhënës në krijimtari, larg hienave dhe kërcënimeve që e shoqëruan gjithë këto kohë.
Respekt për ty prof. Agron Tufa
Faleminderit për krijimtarinë. Dishepulli vazhdon të të ndjekë nëpërmjet veprës. Faleminderit për gjithçka.
.

Agron Tufa i duhet edhe fizikisht Shqipërisë…

nga Adil Olluri

Agron Tufa është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë. Ai i dha letërsisë sonë vepra letrare, si “Dueli”, “Mërkuna e zezë”, “Tenxherja”, “Gurit të varrit ia rrëfej”, që për nga ana stilistike, tematike e narrative janë vlera të tejzakonshme letrare. Ai do t’i japë letërsisë sonë edhe vepra të tjera të arrira. Si lexues i vëmendshëm i veprës së tij letrare, them që jemi me fat që e kemi një shkrimtar të tillë. Andaj, lajmi se ai është larguar nga Shqipëria për të kërkuar strehim politik në Zvicër më pikëlloj shumë. Shpresoj që në një kohë më të mirë, ai do të kthehet sërish në Tiranë dhe ky kthim të jetë triumfal. Agron Tufa i duhet Shqipërisë edhe me praninë e tij fizike. I duhet për ta vazhduar krijimtarinë artistike dhe veprimtarinë intelektuale në vendin e tij. Ndaj plotësisht mendimin me mikun tonë të përbashkët, shkrimtarin po aq të rëndësishëm sa Tufa, të nderuarin Virion Graçi, se “do të donim ta kishim këtu mes nesh, jo vetëm me shkrime”. Shqipëria është më e fuqishme kur i ka pranë vetes njerëzit me integritet moral e profesional, si Agron Tufa. Në bisedën tonë të fundit i thashë se do të të shkruaj në çastin e parë që do të jem në Tiranë, për të pirë kafe dhe për të bërë llafe miqësore e letrare, si shumë e shumë herë. Kështu që, kafenë me të u dashka ta shtyj për një ditë më të mirë. U dashka ta shtyj deri në kthimin triumfal të Agron Tufës. T’ju rikujtoj se aktiviteti i fundit letrar shqiptar që mori pjesë Agron Tufa ishte festivali i prozës artistike “Fiction Fest”, që organizohet nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, të cilën e drejtoj unë. Është privilegj të bashkëpunosh me Agron Tufën. Njashtu, është nder dhe krenari të kesh miqësi letrare me Agron Tufën. Paç shëndetin, begatinë, rahatinë e pasosur për vete e për familjen! U pafshim sa më shpejtë që do të jetë e mundshme! më shpejtë që do të jetë e mundshme!

Që “lufta e klasave” një ditë të pushojë

nga Faruk Myrtaj

Besoj fort se Agroni, ka shkuar veç sa të çojë fëmijët te Dajot Zvicerianë (dihet se ne shqiptarët çuditërisht kemi ëndërruar të bëhemi si Zvicra!) dhe do kthehet shpejt!
S’e kam fare merakun te Shqipja e tij, përkundrazi, ajo bëhet më e dashur, më e bukur, më e pastërt tej kufijve… Jo!
Natyrisht nuk duhet të gëzojë largimi i tij, por fëmijëve u bëhet mirë, ata dhe Familja do të shikojnë se babai i tyre nuk është e thënë të jetë gjithnjë nervoz dhe të binden se lufta e klasave një ditë do pushonte, edhe sikur të vazhdonte socializmi…!
Të ikësh në dimër nuk është gëzim i kërkuar, por sa hap e mbyllet kufiri, vjen Prendvera…!
.

Ky persekutim që nuk ka fund!

nga Zhaneta Barxhaj

Pa na ikur mirë tmerri i tërmetit, na terrorizojnë arrestimet, ndërkohë asnjë inspektor asnjë ndërtues nuk është arrestuar ende, e ndërsa përpëlitemi në kaos diktatura vepron e internon sërish… Kjo është një humbje e madhe e lirisë dhe demokracisë. Bashkë me Agronin u largua dhe shpresa për drejtësinë e munguar në këtë vend… sa duhet të përcjellim akoma, ndoshta sa të ikim të gjithë?? Një humbje për kulturën dhe vendin ky persekutim që nuk ka fund! Trishtim pafund, trishtim…
P.s. Agron dhe Elvana përqafime shpirti iu dërgoj nga larg… zoti qoftë me ju dhe ua ndriçoftë udhën e rëndē?
.

Liria - një ëndërr që nuk vdes
Liria – një ëndërr që nuk vdes

Nuk ka demokraci, pa dekomunistizim

nga Gentiana Sula – Mara

Me z. Tufa kemi këndvështrime të ndryshme për qasjet mbi përballjen me të shkuarën diktatoriale, por na ka bashkuar qëllimi i përbashkët dhe bindja se nuk ka demokraci të qëndrueshme pa dekomunistizim të shoqërisë sonë. Kam vlerësuar gjithmonë kurajon e tij, pasionin dhe penën e zhdërvjellët, dhe shpresoj që zëri i tij nuk do të na mungojë.
Ndjehem sot e keqardhur që kolegu Agron Tufa, nën presionin e kërcënimit me jetë për vetë dhe për familjen e tij, u detyrua të lerë vendin në kërkim të azilit politik.
Kam ndjekur me shqetësim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar që këto do të trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do të ndaleshin. Që një zyrtar i lartë shtetëror ndërmerr një hap të tillë, tregon se institucionet që duhet ta mbrojnë, ligjet tona, nuk kanë vepruar.
.

I vetëm, pa krahë, pa mbrojtje…

nga Erl Kodra

Agron Tufa është një ndër autorët dhe intelektualët më të realizuar në Shqipëri. Poet, shkrimtar dhe studiues i letërsisë; publicist dhe pedagog i njohur, Agroni përfaqëson llojin e intelektualit që nuk ka bërë kompromise në karrierën e tij. Si drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit (ISKPK) ka vite që zhvillon një betejë dispropocinale me pjesën më të errët të shoqërisë shqiptare.
Krimet e Komunizmit në Shqipëri nuk i kanë kryer UFO-t, por njerëz konkretë, me emra dhe mbiemra, oficerë të Sigurimit të Shtetit që sot i gjen rëndom në zyrat e shtetit shqiptar. Përmasat janë të përbindshme, të jashtëzakonshme, të paimagjinueshme. Agron Tufa është gjendur përballë tyre i vetëm, pa krahë, pa mbrojtje, përballë atyre që kanë kryer genocid politik.
Ai mbeti vetëm përballë një linçimi publik të ndërmarrë nga media të ekstremit të majtë, nën kërcënime sistemike për jetën, për shkaqe që lidhen direkt me objektin e punës së tij si kreu i një institucioni të shtetit shqiptar.

.

Goditjë e rëndë për demokracinë

nga Parid Turdiu

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa, ka kërkuar azil politik në Zvicër, pas kërcënimeve të shumta që ka marrë për shkak të detyrës. (Lapsi.al)
Një goditjë e rëndë për demokracinë, pluralizmin, të drejtat e njeriut në Shqipëri.
.

Një mallkim për këtë vend…

nga Yzedin Hima

Shkrimtari njohur Agron Tufa, një mik i vyer, u largua nga vendi pas kërcënimeve pa fund të botës së krimit politik në pushtet dhe pranë pushtetit. Natyrisht, largimi i tij fizik nuk do të thotë asgjë për letrat, sepse poeti, prozatori, përkthyesi dhe studiuesi i njohur Agron Tufa është këtu e atje, është kudo ku ka një bibliotekë a librari, kudo ku ka lexues.
Eshtë mallkim për këtë vend, që njerëzit më me vlerë në të gjithë të përpjetat e historise i ka patur në ekzil?!

.

I dashur miku im Agron Tufa

nga Rexhep Shahu

Gon, ke gjithë mirëkuptimin tim që ike të kërkosh siguri për fëmijët. Nuk të lanë të qetë të rrisesh fëmijët pa frikë në atdhe disa eksponentë të Sigurimit të Shtetit të dikurshëm që u ngjallën prej Edi Ramës, që ta mbrojnë regjimin e tij dhe t’ia luftojnë atij kundërshtarët. U bënë agresivë ndaj teje dhe të frikshëm. Fëmijët nuk hanë famë as lavdi, nuk e kanë hak të rriten me frikë edhe tri dekada mbasi besuam se u rrëzua regjimi enverist.
Ca gjëra që enveristët ia fshehin edhe territ të varrit nuk lejojnë t’ia tregojmë dritës dhe syrit të njerëzve.
Ti këtu guxove shumë.
Tani që ti ike po u fryjmë borive të përkrahjes në FB për ty, kemi fillue me dalë prej dimiave e kokoleve, por ende nuk po e kuptojmë dhe besojmë se si po zgjatet një majë e mprehtë thike drejt jetës dhe lirisë së secilit që vë majë lapsi mbi letër. Po shoh shumë gishta që drejtohen drejt tjetrit dhe pothuaj aspak gishta që ia drejtojmë vetes. Po shoh edhe zgjatime të gjuhëve të helmeta të njerëzve që të quajnë me termat e para tri dekadave: kulak, armik, me biografi të keqe, i deklasuar…
.

Njësoj si në vitet ’70…

nga Bajram Karabolli

Sapo u ktheva nga një udhëtim triditor, u ndesha me lajmin e tmerrshëm: Ka ikur Agron Tufa. Vërtet, iku Agron Tufa??! Në fillim nuk doja ta besoja. Pastaj, kur u binda se ishte e vërtetë, u ndjeva i shkretuar, i pambrojtur, i pashpresë… njësoj si në vitet ’70… O Zot!
A thua po fitojnë barabarët e kuq?! Gjithsesi, për t’u mbrojtur, unë do të arratisem në veprat e Agron Tufës.
.

Atdheu kërcënon

nga Izet Duraku

Në shenjë respekti për shkrimtarin Agron Tufa…
 
Jetojmë në vendin ku i kërcënohet jeta shkrimtarit, ku ende taborret e luftës klasore janë gati të futen në lojë të përgjakshme vëllavrasëse. Dridhjet e Zotit qetësohen, po urrejtja e robit që vrau zotin nuk di t’i qetësojë kurrë tallazitjet e pashpirta të urrejtjes.
Barku që polli mënxyrën ende nuk është shterpuar.
.

Njerëz si Agroni, s’do të rreshtin kurrë…

nga Kujtim Cekani

Kur e dëgjova ezilin e Agron Tufës me kapi një trishtim e një pesimizëm i paparë… S’dua ta fsheh, por sytë m’u mbushën me lot.
Sapo më kishte lindur një shpresë. Nejse, duhet ta kuptojmë situatën dhe pozicionin e Agronit. Jeta dhe familja janë të shenjta dhe komunistët nuk hezitojnë as të vrasin dhe as të zhdukin me gjithë familje.
Edhe pse larg, njerëz si Agroni nuk do të rreshtin së punuari për Shqipërinë…
Zoti e ruajtë atë dhe Familjen e tij.
.

Tri keqardhje për ikjen e Prof. Agron Tufës!

nga Ervin Nezha

Më hidhëroi lajmi i largimit nga Shqipëria, i profesorit tim të fakultetit, z. Agron Tufa.
E para keqardhje shkon për faktin, se ka qënë një pedagog i mrekullueshëm, nga i cili mendoj se kam mësuar shumë. Profesionist i vërtetë, serioz, i palodhur dhe me një dëshirë të madhe për të ndihmuar studentët.
Të dytën keqardhje, e përjetova si lexues i rregullt i Letërsisë Shqipe dhe i shkrimtarit Agron Tufa. Mbetem një simpatizues i flaktë i kolanës së veprave të tij, të cilat dallohen për shijen e hollë, qoftë në prozë, poezi, publicistikë, e në studime letrare. Madje uroj që për fatin e tij të keq dhe për fatin e mirë të letërsisë sonë, prof. Agroni, mos të arrijë dot, të lëvrojë krijimtarinë e tij në gjuhë alternative, sepse në të kundërt përpos pedagogut, mendimtarit, mund të kemi humbur përgjithmonë, ndoshta autorin më të mirë të Letërsisë Shqipe të pas viteve ’90.
(Në qarqet e letrave shqipe, jam i sigurt se ikja e tij do krijojë një vakum të madh.)
Keqardhjen e tretë e përjetova si mik i sinqertë i profesor A. Tufës. Qemë ulur shpesh për të diskutuar e për të shkëmbyer mendime. Madje herën e fundit që u takuam në Panairin e Librit, shkrepëm edhe foto. Sa herë që udhëtoja drejt Tiranës, kafja me profesorin qe një destinacion i veçantë.
Ndërsa për arsyet e ikjes së tij nuk do them asnjë fjalë. Kjo për shkakun se duke qenë një formalist nga natyra, puna ma do të zhvleftësoj kuptimet për të mos u dhënë hov nënkuptimeve, që shpesh na bëhen makth, e kësisoj të sigurohem që mos të shtoj një keqardhje të katërt te vetja, e masandaj të tjera me radhe.
.

Do na mungojë fjala e ngrohtë…

nga Shkëlqim Abazi

Pa lejen e mikut tim Filipit, huazova këtë foto të bukur dhe domethënëse të familjes së mrekullueshme Tufa. Cili s’do t’i gëzohej kësaj celule magjepsëse që ka krijuar Agroni me bashkëshorten e tij të devotshme? Cili s’do sakrifikonte rehatinë personale, madje edhe jetën për të ruajtur nga kolera e kuqe këta engjëj?
Jam njohur me Agronin me 23.5.2013, në Spaç, pikërisht në atë vend ku në ’70 po ’71, njoha babën e tij të ndjerë Isuf Tufën, burrin e urtë dhe trim nga Sohodolli i Dibrës. Jo më kot përmenda babanë e tyre që shquhej për trimëri dhe urti, padyshim dardha bie nën dardhë!
Agroni nuk është frikacak apo dezertor siç duan ta etiketojnë kandrat e kuqe, përkundrazi, për thuaj një dekadë ka treguar se është më trim dhe i vendosur nga shumë të tjerë që iu lëpihen pushtetarëve, por mbrojtja fizike e kësaj familje të mrekullueshme e detyroi të merrte udhën e hidhur të ekzilit, (u siguroj se tashmë kriminelët dhe atentatorët komunistë janë hedhur në revansh të paparë, nën mbrojtjen dhe shtysën e shtetit) Ai e njeh më mirë se gjithkush shijen e bukës së tjetrit, mbase i detyruar nga rrethanat dhe para sakrificës sublime të flijimit të engjëjve të tij zgjodhi mërgimin.
Do na mungojë fjala e ngrohtë dhe buzëqeshja e ëmbël e Agronit, të paktën mua, që për një kafe me të merrja rrugën e Tiranës, megjithë moshën dhe pamundësinë fizike.
Nuk po flas për vlerat letrare dhe artistike të këtij kolosi të letrave shqipe, sepse për to po flasin të tjerët dhe koha më shumë nga të gjithë.
I uroj mikut tim Agronit, së bashku me familjen, shëndet dhe mbarësi në orvatjen e tij shpëtimtare.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.