Agimi i Republikës së Dytë, si certifikim i vendosjes së Regjimit të Terrorit nga Romeo Gurakuqi

Guri Madhi - Shpallja e Republikes 1946

Guri Madhi – Shpallja e Republikes 1946

Agimi i Republikës së Dytë,

si certifikim i vendosjes së Regjimit të Terrorit

nga Romeo Gurakuqi

Me datën 10 janar 1946, u mblodh Asamblea e re Kushtetuese, e cila me 11 janar 1946, e shpalli Shqipërinë, në stilin e vendeve nën orbitën e BRSS, Republikë Popullore.
Kushtetuta si draft, përfundoi dhe hyri në fuqi me datën 14 mars 1946.
Kushtetuta ishte e bazuar mbi modelin e Kushtetutës Sovjetike të vitit 1936. Kushtetuta e re u përgatit mbi drejtimet e përgjithshme politike të përcaktuara nga Plenumi i V i PKSH.
Procedurat e adoptuara dhe rendi me të cilën u ndërmorën veprimet procedurale, ishin konfuze dhe jo koinsistente, për mendjen e njerëzve të formuar në demokracitë perëndimore, por edhe për traditën më të mirë të parlamentarizmit shqiptar të viteve ’20.
Pa pasur një Kushtetutë të shkruar, anëtarët e Asamblesë votuan në mënyrë unanime, shpalljen e Shqipërisë si një Republikë Popullore, nën denominimin: Republika Popullore e Shqipërisë.
Nëpërmjet këtij vendimi, të ndërmarrë në “emër të popullit shqiptar”, por pa asnjë garanci të respektimit të procedurave demokratike dhe pas një procesi zgjedhor të manipuluar me 2 dhjetor 1945, nën një regjim terrori, tashmë funksional prej më se 15 muajsh, Monarkia u shfuqizua përgjithmonë në Shqipëri. Ahmet Zogu dhe trashëgimtarët e tij, humbën të drejtat që kishin pasur deri atëherë në vend dhe hyrja në Shqipëri iu ndalua përgjithmonë.

11 Janar 1946 - R. P. SH

11 Janar 1946 – R. P. SH

Pas kësaj, në orën 12 të po të datës 10 janar 1946, qeveria dha dorëheqjen dhe menjëherë, përmes një vote të njëzëshme, iu dha vota e besimit, pa marrë parasysh fare kushtet ende të padiskutuara të kushtetutës, se si një qeveri merr detyrën. Pasdreken e po asaj dite, u propozua që të gjitha ligjet e aprovuara përkohësisht prej Kongresit të Përmetit, në muajin maj 1944, të ratifikoheshin prej kësaj Asambleje, e cila ende vazhdonte të ishte jo kushtetuese përderisa funksiononte pa një kuadër ligjor themelor. 76 anëtarë të Asamblesë, me përjashtim të 3 prej tyre, votuan në bllok, ratifikimin e vendimeve të Përmetit. Veprimi më jo demokratik dhe i paqartë ka qenë zgjedhja e Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Megjithëse Asambleja ishte pothuajse unanime, në asamble pati edhe dy ose tre kritikë: Gjykatësi Andre Sahatçi, i cili këmbënguli në çdo pikë të procedurës dhe kundërshtoi aprovimin e ligjeve në bllok; Profesor Aleksander Xhuvani, i cili e mbështeti të parin në të dy objeksionet dhe Riza Dani, i cili ruajti integritetin e parimet e tij, protestoi energjikisht kundër çdo faze të propozimeve për zgjedhjen e Presidiumit dhe kundër votimit në bllok!
Marrë nga muri i fb i Romeo Gurakuqit, 11 janar 2017

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook