back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Abacia e Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë të Oroshit

Gazeta

Abacia e Oroshit në 1905, pamje nga jashtë e saj.
Abacia e Oroshit në 1905, pamje nga jashtë e saj.

Abacia e Shën Llezhdrit

në Malin e Shenjtë të Oroshit

Sipas një studimi të botuar në revistën “Leka” në vitet 40-të, në Malin e Shenjtë të Oroshit, në shek. XII-XIII, ishte një ndër qendrat kishtare më të rëndësishme të trojeve shqiptare.
Në studim përmenden shumë objekte kishtare, një kështjellë dhe prona të shumta që administroheshin nga abacia benediktine e Shën Llezhdrit. Pra një qytet i mirëfilltë i kohës.
Abacia e Shën Llezhdrit ishte abaci mitrale (d.m.th abatët e saj kanë qënë ipeshkëv të Arbërisë), seli peshkopale e Peshkopatës së Arbërit. Vend nderimi dhe pelegrinazhesh për të krishterët e krahinës e më gjerë. Qendra shpirtërore, politike dhe ekonomike e krahinës së Mirditës. Ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në proçeset historike e etnokulturore të saj. Pritëse e shumë kuvendeve krahinore dhe mbarë krahinore.
Mali i Shenjtit mbi Orosh ka qënë gjatë shekujve qendër e një nderimi të madh nga ana e popullsisë së krishterë jo vetëm të krahinës, por edhe më gjerë, që tregon për rëndësinë, emrin që kishte abacia e atjeshme dhe rolin e saj në histori.
.
Kulla e Markagjonëve në Mirditë e rrafshuar në vitin 1945 nga komunistët
Kulla e Markagjonëve në Mirditë e rrafshuar në vitin 1945 nga komunistët
1)Abacia e Oroshit ka qënë një nga qendrat benediktine kishtare më të famshme të vendit e më gjerë. Sfinksi monumental dhe kryekre i lashtë i katolicizmit në mbarë trevën. Ndoshta këtë tempull e themeloi ndonjë nga shenjtorët shqiptarë që u sakrifikua aty, siç na bën të mendojmë ndonjë gojdhënë.
 
2)Mungada e Malit të Shejtë kishte 72 mungarë. Juridiksioni i Mungadës shtrihej mbi një tokë të haptë fort, qi kishte për kufi Dejën, Matjen, Lurën e Kuksin. Duket se është e vërtetë se zakoni me i bartë të vdekunit e “bajrakëve të Mirditës” qysh prej Mnelës së largët ka vijue deri tash vonë. Kujtohet edhe një keshtjellë që naltohej mbi mahallë të Vilës. Ai vend i shenjtë u rrënua nga Turqit. Sot prej gjithë atyne pronave të kuvendit të mungarëve kanë mbetë në këmbë vetëm rrënoja muresh.
 
3)Ansambël kishtar i kompozuar në mënyrë prefekte, që përbëhej nga rrënoja kishash historike, si: abacia antike, kuvendi i madh benediktin, qela e fretnëve, kisha e Shëlbuemit, kisha e Shën Gjergjit, kisha e Madonës së Kuqe (Zojës së Bekuar), kisha e Shën Gjon Pagëzuesit, kisha e Petkut, qela e Oroshit, Arka e Shejtë, lterët, kumbanoret, rezidenca verore e Abatit, shkolla, etj. Një dekor plot hijeshi e madhështi, një “qytezë” e rrallë e krishtërimit me një dyzinë objektesh kulti të kohëpaskohëshme.
 
4)Abacitë e Shëlbuemit në Rubik, Shën Mërisë në Ndërfanë dhe Shën Llezhdrit në Orosh, ishin qendra të rëndësishme Benediktinësh, dhe përbënin qytezat e pathyeshme të katolicizmit roman në Mirditë.
 
5)Kisha e Shën Llezhdrit e vendosur përmbi malet e Mirditës, e cila është abaci e mitrueme është kishë shumë në za ndër këto anë, me rentë të madhe dhe me nderim të madh.
 
6)Dokumenti i parë i Abacisë së Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë të Oroshit është i vitit 1319. Sipas letrës së Johhanes (Gjonit) XXII, Abacia e Shën Lleshdrit (Sancti Alexandri diocesis Albanensis) ishte pjesë e peshkopatës së Arbërit, edhe para vitit 1319.
 
7)Për përcaktimin e territorit të peshkopatës së Arbërisë, na ndihmon vendndodhja e tre kishave të cilat sipas dokumentacionit janë nën juridiksionin e kësaj peshkopate. Në vitin 1166, nën aktin e njohur të shugurimit të Shën Trifonit në Kotor përmendet abati i kishës së manastirit të Shelbuemit në Rubik (Sancti Salvatori Arbanensis) që cilësohet i tillë për t’u dalluar nga ai i Tivarit, gjithashtu i pranishëm në këtë ceremoni. Manastiri i dytë është ai i Shën Llezhdrit në Orosh apo në Malin e Shenjte (Agjios Oros), abacia që njihet në dokumentacion me emrat “San Alexandri Maior de Albania”, “Sancti Alexandri diocezis Albanensis” e cila duhet dalluar nga manastiri tjetër i Shën Llezhdrit të Bokianit, i njohur ndër dokumenta me emrin “San Alexandri di Collematia” në vartësi të peshkopatës së Lezhës. Ndërtimi i tretë është kisha e Gëziqit që me të drejtë është njësuar me “Sancta Maria di Trafandina in diocesis de Albania.
Të tre këto ndërtime siç ka treguar Shuteriqi për rastin e Gëziqit, e përcaktojnë qartë shtrirjen e peshkopatës katolike të Arbërisë në krahinën e sotme të Mirditës, duke e kufizuar në perëndim me malësinë e Lezhës. d.m.th me Peshkopatën e Lezhës, në veri me krahinën e Pultit dhe peshkopatën omonime, në jug e lindje me territoret e Peshkopatës së Stefaniakes dhe asaj të Krujës. Përsa i përket selisë peshkopale, duke u nisur nga rëndësia e abacisë së Oroshit në këtë trevë dhe nga fakti që ajo disa shekuj më vonë përmendet si abaci mitrale, ne mendojmë se selia duhet kërkuar pikërisht në Shën Aleksandrin e Malit të Shenjtë. Peshkopata e Arbërit duhet të jetë krijuar me territore e kisha të Peshkopatës së Lezhës dhe gjasisht dhe asaj të Stefaniakes. Në këtë fakt duhet kërkuar rrënjet e grindjes ndërmjet peshkopatës së Arbërisë dhe asaj të Lezhës për 12 kishat, që e mësojmë nga letra e vitit 1407 që Venediku i dërgon Papës të shtyrë nga ndërhyrja e Gjon Kastriotit.
 
8)Sipas një studimi të botuar në revistën “Hylli i Dritës” në vitin 1938, në shek. XIII, në Malin e Shenjtë, kishte një ndër qendrat kryesore familja e Blinishtëve (një ndër familjet më të përmendura të Arbërisë në shek. XIII-XIV). Zotërimi i familjes Blinishti shtrihej ndërmjet lumit të Gjadrit dhe abacisë së Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë (S.Alexander de Monte).
 
9)Me 20 prill 1367, papa Urbani V, emëron si abat të manastirit benediktin të Shën Mërisë së Rotecit në dioqezë të Tivarit, Aleksin prej Arbënit, mungar benediktin i kuvendit të Shën Llezhdrit të Malit (S.Alexandër de Monte).
 
10)Në vitin 1426 abati i abacisë së Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë (S.Alexandër de Monte) ishte i nënvumë i Selisë së Shejtë.
 
11)Gjerak Karaiskaj në librin “5000 vjet fortifikime në Shqipëri”, përmend edhe abacinë e Malit të Shenjtë, si një ndër qendrat e rëndësishme kishtare që në prag të pushtimit osman ishte e fortifikuar.
 
12)Në vitin 1436, duke u kthyer nga toka e shejtë, kalon nëpër Raguzë, i biri i princit Prengë. Ky është kujtimi i parë i titullit princ, të cilin edhe sot e mbajnë kryetarët e Mirditasve katolikë, të cilët prej kohësh shumë të vjetra ishin në influencë shumë të fortë të abatëve të Shën Llezhdrit (Sanctus Alexandër de Monte) mbi Malin e Shejtë.
.
Abacia e Oroshit 1905, Pamja e brendshme e saj.
Abacia e Oroshit 1905, Pamja e brendshme e saj.
13)Preng Nikolli, kreu i Mirditës, pas një takimi me krerët e tjerë shqiptarë në Edrene, kishte ardhur për t’u takuar me Gjon Kastriotin.
 
14)Manastiri i Shën Llezhdrit në Orosh apo në Malin e Shenjtë (Sanctus Alexander de Monte, Sanctus Alexander Maior), ka qenë qendra shpirtërore, politike dhe ekonomike e krahinës së Mirditës.
 
15)Monumenti më i rëndësishëm i peshkopatës së Arbërit mbeten rrënojat e Abacisë së Shën Llezhdrit në majë të Malit të Shenjtit, ndërtuar dhe rindërtuar disa herë gjatë shekujve, djegur dhe rrënuar disa herë nga turqit dhe herën e fundit nga komunistët në vitin e marrëzisë, 1967.
Ato kanë qenë gjatë shekujve vend nderimi dhe pelegrinazhesh për të krishterët e Shqipërisë së Veriut. Udhëtarët dhe studiuesit e huaj, që e patën vizituar në fund të shekullit XIX, flasin, ndër të tjera, edhe për dy kryqe të vjetra, njëri me datën 1447, me mbishkrime latine dhe dhuruar nga Pal Dukagjini, sundimtar i krahinës, ndërsa tjetri, më i vjetër, me relieve dhe shkrime bizantine, që tregon për periudhën më të hershme të manastirit.
 
16)Kryqi i argjendit që Pal Dukagjini i dhuroi Abacisë së Shën Llezhdrit në Orosh, në vitin 1447, që njihej si “kryqi i madh”, është ruajtur në Orosh deri në vitin 1898, në këtë vit u dogj pas një zjarri në abaci. U fotografuar nga konsulli A. Degrand në vitin 1890. Në kryq sipas një studimi të botuar tek revista “Leka”, kishte një mbishkrim latino-bizantin: “1447 a di 7 agusto, questa crosi fecie fare Sinor Polo Duchagin in tempo di predetto signor e di Piro Ducha, e mi Niksa Adamovic” (1447, me 7 gusht, këtë kryq urdhnoj të bahej zotni Pal Dukagjini në kohë të të sipërthanunit zotni e të Pjetër Dukës, e unë Niksa Adamoviç e bana)”.
 
17)Sipas mbishkrimit kryqi u punua nga Niksa Adamoviç, që ishte nga Raguza.
Mbishkrimi ka një rëndësi të madhe historike. Në të përmenden dy përsonazhe të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë. Pal Dukagjini që ishte sundimtar i krahinës së Dukagjinit. ku perfshihej edhe krahina e gjërë e Mirditës, dhe Pjetër Duka (Përlati), abat i abacisë së Shën Llezhdrit në Orosh. Sipas Gjon Muzakës, “zotërit e shtëpisë së Dukagjinëve kishin nën sundim vendin e quajtur Zadrima dhe vendet e quajtura Fandi, dhe ca fshatra që emërtohen Mali i Zi dhe një vend që quhet Pulti dhe Fleti, e që sot të gjitha quhen krahina e Dukagjinit”.
 
18)Në fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985 shkruhet se “zotërimet e familjes së Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë e Veriut nga Zadrima e Sipërme deri në Ndërfandinë dhe në bashkimin e Drinit të Zi me të Bardhin.
.
Prend Doçi - Abati i Mirditës (1846-1917)
Prend Doçi – Abati i Mirditës (1846-1917)

19) Me njësinë krahinore Fandi a Ndërfandina në shek. XIII-XIV duhet kuptuar gjithë hapsira me ujëderdhje në dy Fandat, por edhe pak më gjërë, në anën malore e deri në ujëderdhjet në Drin, mal e fushë (krahina etonografike e Mirditës).

20) Mbas vdekjes së Skwnderbeut në vitin 1468 dhe pëmbysjes të Konfederatës së krenve e të vjetëve ndërmjet, familja e Kont Pal Dukagjinit, sundusja e krahinës që shtrihet kah veriu, e cila tash quhet Mirditë, muer streh në këto male të Benediktinëve në grykë të Shën Lleshit afër Oroshit, e cila mbas ksaj rrjedhje u ba qendra e qeverisë dhe kryevendi i Mirditës.
 
21)Pjetër Duka ishte Abati i njohur në histori si Pjetër Përlati, që komandoi forcat arbëreshe në mbrojten e Kështjellës së Sfetigradit.
 
22)Mbiemri Duka duhet parë si shkurtim i emrit të vjetër Dukagjin, që është përdorur në këtë formë që në periudhën e Skënderbeut. Duke folur për një akt përfaqësimi pranë Papatit, Kristo Frashëri shkruan: “Me këtë akt Skënderbeu në prani të Pal Engjëllit, kryepeshkop i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut, të Pjetër Dukës abati i manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë, të abatit Vlash prior në Kuvendin dominikan të Shkodrës orator dhe nunc Apostolik në Shqipëri dhe në prani të dëshmitarëve të tjerë, të mbledhur në Shën Mërinë e Rodonit, ngarkoi Martin Muzakën, si ambasador të posaçëm, për ta përfaqësuar atë pranë Papës dhe Kolegjit të Kardinalëve të mbledhur në Konçistor dhe të trajtojë çdo çështje që ka të bëjë me kryqëzatën antiosmane”.
 
23)Në korrik të vitit 1439 abati Pjetër qe dërguar prej Skënderbeut dhe nënës së tij në Raguzë për të përmbyllur detyrimet financiare që tregtarët raguzanë të drithit kishin ndaj Gjon Kastriotit, i cili kishte vdekur. Në dhjetor të vitit 1447 abati Pjetër qe dërguar si përfaqësues i Skënderbeut pranë Mbretit të Napolit, Alfonsit V.
 
24)Në një dokument të viteve 20 të shek. XV, Mirdita e sotme përmendet edhe si “vendi i Dukagjinëve”, që mund të lidhet me zotërimin e dikurshëm të kësaj treve prej familjes fisnike Dukagjini dhe me vendorigjinën e saj. Emri i dytë familjar i Dukagjinëve, Përlati, ndoshta tregon prejardhjen e hershme të tyre nga fshati Përlat i Mirditës.
 
25)Një degë e Dukagjinëve e kanë patur qendrën e tyre në Përlat, që ishte feud antik i Dukagjinit, një degë e të cilit i mori dhe emrin.
.
26)Mbiemrin Përlati, siç duket e morën se nxorën nga gjiri i familjes disa klerikë të lartë. Pavarësisht se krijuan emër të madh, Përlatajt e ruajtën mbiemrin Dukagjini si tregues vijimësie të origjinës fisnike. Siç ndodh me familjet e mëdha, ata e shtuan mbiemrin Përlati, për të treguar identitetin e tyre të ri si Dukagjinë të Kthellës.
 
27)Në një dokument të vitit 1402 botuar nga Milan Sufflay në “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, Vol II”, përmenden Pal dhe Tanush Dukagjini, të cilët ishin nga familja e Dukagjinëve dhe mbanin mbiemrin Përlati. 28)
.
Kullat dhe Abacia e Oroshit
Kullat dhe Abacia e Oroshit

Referencat

1-Aleksandër Meksi, “Oroshi, Mali i Shenjtit dhe Pincipata e Arbërit”, Gazeta “Shqip”.
2-Ndue Dedaj, “Toka e Katedraleve”, Tiranë 2006, f. 69
3-Revista “Leka”, nr. 9-10, viti 1944, f. 462.
4-Ndue Dedaj, “Toka e Katedraleve”, f. 70
5-Revista “Hylli i Dritës”, nr. 9-10, viti 1941, f. 370
6-Mark Skura, “Relacione“, vol II, f. 247.
7-Milan Sufflay, “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, Vol I, f. 197
8-Aleksandër Meksi, Peshkopata e Arbërit, revista “Hylli i Dritës”, Tiranë 1995, nr. 5-6
9-Revista “Hylli i Dritës”, viti 1938, nr.10. f. 546
10-Milan Sufflay, “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrate”, Vol II, f. 52
11-Milan Sufflay, “Historia e Shqipëtarve të Veriut“, f. 204
12-Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet fortifikime në Shqipëri“, f. 288
13-Milan Sufflay, “Serbët dhe Shqiptarët“, f. 91-92
14-Revista “Leka”, nr. 6, viti 1930. f. 189
15-Kasem Biçoku, “Mjedisi kishtar dhe politik i kuvendit të Arbërit“, Gazeta “Ndryshe”
16-Aleksandër Meksi, “Oroshi, Mali i Shenjtit dhe Principata e Arbërit“, Gazeta “Shqip”
17-Revista “Leka”, vitit 1939, f. 32
18-Gjon Muzaka, “Memorie“, Botimet “Toena” 1996, f. 48
19-Fjalori Enciklopedik Shqiptar 1985, f. 212
20-Mark Tirta, “Vetorganizimi dhe Qëndresa atdhetare e Mirditës në shekuj“, Mirdita “Sesion Shkencor”, f. 21.
21-Arthur Moor, “Fisi i Mirditës“, Revista “Hylli i Dritës”, f. 362
22-Ali Harshova, “Bashkëluftëtarët e Skënderbeut”, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1952, f. 59-61
23-Kristo Frashëri, “Skënderbeu, Jeta dhe vepra“, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Toena, Tiranë, 2002, f. 410
24-Kasem Biçoku, “Mjedisi kishtar dhe politik i kuvendit të Arbërit“, Gazeta “Ndryshe”
25-Kasem Biçoku,  “Mjedisi kishtar dhe politik i kuvendit të Arbërit“, Gazeta “Ndryshe”.
26-At Giuseppe Valentini, “E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare“, Plejad, Tiranë 2007, f. 372
27-At Giuseppe Valentini, Vepra III, “Shënime mbi regjimin e vendqëndrimeve veneciane në Shqipëri në shek. XIV – XV“, Tiranë 2006, f. 58
28-Milan Shuflay, “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, Vol II, f. 208
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.