A t’kthej pak te Shqypja primordiale… esse nga Jozef Radi

Jozef Radi 2015

Jozef Radi 2015

A t’kthej pak te Shqypja primordiale…

o udhëtim n’kërkim t’nji krenarie mshefë në gjak…

esse nga Jozef Radi

O Shqype,
o zogjt e maleve
m’kallzoni,
A shndrit
ndoj rreze dilli
n’at ograjë…
dom Ndre Mjeda

Shpesh e sjell rasti, me u ndodhë në gjithfar ambjentesh,e ndër biseda na bjen me folë për lashtësinë shqiptare, e dashtas padashtas “gjuha shkon ku dhemb dhambi”, nji prej temave ma të rrahuna e ma të nxehta asht ajo e gjuhës shqipe… Ndërsa flitet, (ma të shumtat e herëve flitet kot) befas nis e shfaqet nji krenari paksa e rryeshme, nji si manifestim sa solitar aq edhe koral, e s’di pse na e kcen pak kandarin, na shtohet euforia… dhe hopa… (çka bahet disi acaruese kur ndër këto ambjente ka edhe joshqiptarë, të cilët s’mbrrijnë me e kuptue kët teatralitet solemn tonin) ku me lumej fjalësh e historie nisim e shpalosim vlera dhe marrina bashkë, me gjeste triumfuese e tone zanalta, deri edhe me kangë majekrahu at “lashtësinë hyjnore” tonë e të gjuhës… Jam ndodhë shpesh midis atyne që i kanë kapërcye me vakt e me kohë  këto punë, e që për ne shqiptarët, s’kanë ndonji dije të madhe as gjeografike leni tjerat, ku veç do kronikave ma të zeza se të zezat, o përshtypjen e nji pike të skrroptë që mundet me jua ndye krejt oqeanin e madh të pastërtisë të tyne…!! Po kjo gjithsesi, mendoj se asht nji epërsi e ne shqyptarëve mbasi dijmë për botën shumë ma tepër se bota din bota për ne… dhe Ata (të huejtë) vazhdojnë me msue gjithnji e ma shumë në lëvizjet tona biblike… bash prej atyne që ma së shumti e shpjegojnë keq vedin dhe vendin e tyne… Po që Ne e ndjejmë në gjak lashtësinë e tonë kjo as diskutohet, po shpesh na duhet me e mbrojtë me nji dendsi kaq të madhe fjalësh e ngjyrash (shpesh emotive), at diçka që ndryhet thellë qenies tonë sa shpesh tuj dashtë me hjekë vetullat ia qisim sytë vedit… Asht fjala për diçka të thellë, si të thuesh primordiale, që buron diku prej nji inkoshiencë të kahershme kolektive; diçka që edhe pse shfaqet pak grryese, shpesh asht edhe ma e fortë se krejt ne që e shprehim; diçka që edhe pse njashtu e çoroditun na mbush me nji krenari aq të madhe sa ne vetë s’mbrrijnë as me e motivue njashtu si duhet; po që ndër ndigjuesa të mesëm (ma e shpeshta) tingëllon disi boshe, fodulle, si nji instinkt mbrojtës, diçka koti e mbetun në ajër… dhe bota rrudhoset, përtypet, kapërdin, shpesh shtrembohet, qesh me zgërdhimje, përqesh edhe me njifarë ironie e habie, shpërfill… duke na konsiderue ma së shumti mbllaçitsa, njerëz ende të rrokun thekshëm historisë, edhe pse Ajo (historia) tashma shumçka e ka tejkalue dhe Ata (ne të shkretët) kena mbetë aq mbrapa… E kështu Bota shpesh ka derdhë mbi ne bojën e keqardhjes dhe të shpotisë, duke na trajtue thjesht si fatkeqë të xanun në thu mbas njasaj krenarie që vjen prej veç asgjaje, at asgja që ne rrekemi me e shpalue si gjithçka, mbasi atyne (ndigjuesve) s’u ka mbetë tjetër veçse me na lanë të patrazuem me u fërgue n’at primitivitetin e tonë primordial dhe kurrgja tjetër lum miku!
Kjo përcjellje e mendimeve dhe gërmimeve të mia, nuk asht veçse nji grimcë e asaj çka mendoj, për tan ata që dijnë krejt pak, mbasi ata që dijnë pak o aspak s’e lodhin vedin me e kuptue do gjana krejt të thjeshta, si fjala vjen kjo: me mbrojtë nji të vërtetë që atyne u rrin e mshehun në gjak, dhe kështu ka me ju mbetë sa të jetë Jeta!
Kështu që unë, si kaherë i nisun këtij mundimi, kam me vazhdue në zbërthim të këtij thelbi e të këtij moskuptimi o ma mirë keqkuptimi midis Botës dhe Shqiptarëve, duke u ndalë edhe unë me e thanë mendimin tem… jo pë gja, veç me e shkarkue si mahi e si marri, e në mos çoftë gja në kandar, të paktën e çlirohem mendimesh t’kahershme mbledhun pikë pikë në rrashtën teme si dehje avujsh rakie…

Shqiptarët në shtegtimin e tyne historik kanë mbrritë në ditë të sodit përmes nji transformimi të shkallëshkallshëm, për të cilin nuk po caktojmë ndonji datë… po themi me siguri se ash fjala për ma shumë se katër-pesë mijë vjet, për mos me u shty ma thellë… Ky rrugtim i tyne historik, simbas shumë prej studiuesve ka ecë ndër hullitë e pellazgo-iliro-arbnoro-shqiptarve… e nëpër kët rrjedhë historike transformimi ne po e quejmë kët njeri Shqyptari dhe gjuhën e përdorun Gjuhe Shqype
Në kët udhëtim transformues, simbas meje janë ruejtë krejt kodet gjenetike dhe krejt thelbi i transformimeve të pësueme nga ky popull, ose ma mirë me thanë kjo bashkësi fisesh dhe organizimesh, baza lidhëse të cilave ma së pari duket se ka qenë dhe ka mbetë gjuha, e mandej vijnë vendi, tradita dhe kultura.
Në kët ngjizje mijavjeçare gjendet nji konstante e admirueshme mbijetese edhe pse pësimet e tij historike mbeten nga ma të pashembulltat në të keqen dhe ndrydhjet e pësueme, duke dëshmue nji fuqi pothuej të mbinatyrshme mbijetese.
E meqë e kemi ndërmend me u ndalë te fjala dhe gjuha shqype, mundem me e theksue se fjala dhe gjuha janë elemente primordialë të krejt kësaj bote, dhe vetëm mbi kët bazë mundet me u lindë nji traditë dhe me u krijue edhe nji kulturë specifike. U theksoj se asgja nuk lind dhe nuk strukturohet jashtë konceptit të gjuhës. Në fund të fundit: Njeriu asht gjuha që udhëton ndër gjuhë!

Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta

Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

Njeriu Primordial, në kët rast shqyptari primordial, kur i asht shfaqë botës prej errsinës te drita e saj, ma së pari i asht dashtë me dëshmue se asht nji krijesë specifike që kërkon me dalë nga Terri i Inkoshiencës me synimin afatlargët me mbrritë te Drita e Koshiencës. Krijesa e kësaj zanafille që i shfaqet ma së pari botës, mbas mbijetesës kërkon me i artikulue do tinguj të çoroditun, mandej përpiqet me i kodifikue ato, mandej përcakton do fjalë e do simbole të cilat o i klith, o i grryen nëpër mure, në tokë e ndër pemë. Edhe pse vetmitar dhe individualist Ai asht gjithnji pjesë e nji bashkësie, pse asgja e kësaj bote nuk vjen vetëm e në boshllëk, por i vëzhguem në jehonë të lashtësisë së kohës ai veç duket vetmitar. Edhe shqyptari primordial duket disi vetmitar, po s’asht aspak i tillë. Si ndër ethe, ai tashma i asht futë me e krijue botën e vet dhe ndjen se mbrenda tij asht diçka e madhe, e randsishme, e domosdoshme, asht thelbi i nji lindje të duhet me ndjekë ma sv pari nji mbijetesë të vështirë nëpër humnerat e kohnave. Ajo çka lind duhet të ket pasë në vetvedi bulzën e të patjetërsueshmes, të pavdekshmes, të së përjetshmes, pse jo edhe ndonji çelës hyjnor komunikimi me gjithçka ndodhej përreth saj. Pra Shqypes i duhet Nyja që ta lidhte Krijesën dhe Krijuesin me realitetin: pra duhej linja
tok-qjell-djell-han-hyj-zot-zan-fat…

Po edhe ajo e mbijetesës
zjarr-flak-prush-gac-xix-hi-tym-shkrumb-dru

po edhe Nyja ndërkomunikuese me gjithçka ishte në ngjizje
gjuh-gjak-gjind-gjam-gjum…

Pra, asht dasht nji Fjal, nji Za, nji Klithm…
Dhe e para gja edhe e Shqypes qe nji Fjal!
Nëse qenia shqiptare, mbas peripecish mijavjeçare ka mbrritë deri në ditë të sodit, kjo asht veç falë Fjals! Nëse ka jetue e mbijetue kjo linjë ende në transformim e sipër, asht prej ksaj Fjale të lindun prej kur s’mbahet mend. Me u ndje shqyptar, domethanë se n’bazë të qenies tande, t’atij idenditeti zinxhir që ka udhëtue e u ka përbirue ndër shekuj, qoftë edhe duke humbë pjesë të vetat, po duke mos u tjetërsue kurrë deri n’shkallën e zhdukjes.
Pra, në themel të gjithçkaje, qe nji grumbull fjalsh, nji seri emërtesash nji rrokshe – Fjal, që prej ksaj njirrokshe të fillimit Fjal të shqiptueme në kohna ende të papërcaktueme qartë, lind krejt nji botë magjike njirrokshesh vargan mbas saj, si me dashtë me i tregue vedit po edhe botës kumtin e nji gjuhe nga ma të rrallat, ma të ndrydhunat, ma të shkelunat, ma të kërcënuemet, shpesh deri në kufijtë e zhdukjes e zhbimjes së plotë… po gjithnji e Mbijetuemja e Madhe e nji Kumti ende të mistershëm.
Kështu shqyptari primordial përmes farës së Fjals nisi me mbjell rreth vedit fjalt e tjera, të tana njirrokshe, nji botë e pafund tingujsh, me nji aftësi të magjike thurjesh e ndërthurjesh, të cilat hap mbas hapi e plotsonin krejt at botë rishtë ku qe shfaqë primordiali i shqypes…
Gjithçka e mbrritun nga Shqypja primordiale shfaqet njashtu e xhveshun, përplot njirroksha, qoftë emna a mbiemna, qoftë folje a numrorë, qoftë ndajfolje a përemna…
Dhe kështu duhet të ketë nisë ai komunikim i parë i njeriut shqyptar me botën, përmes nji-rrok-shash… Pse në botën primordiale të fjalës shqype s’ka ë, mbasi ë-ja asht diçka e vonë, pse jo shpesh mjaft parazitare, e futun ma shumë prej së shkruemes, se prej së folunës.

Dhe kështu nis komunikimi i parë me botën e objekteve të shenjta si:
tok-dhe-qjell-djell-han-hyll-hyj-Zot-fe-mesh-psallm-lut-be-bes-kumt-faj-mkat-lyps-gjam-gjuh-dreq-zan-or…

apo me përcaktimet e elementeve te motit:
terr-drit-nat-dit-ag-muzg-bor-ves-shi-er-fllad-brym-ngric-ajr-re-koh-bosh-

apo fjal që shprehin thelbin e jetës
za-klithm-vaj-lot-mort-dek-le-dergj-droj-frik-smu-tut-tuts-log-lug-hjek-shtroj-lig-lajm-lajms-hajn-vler-ves-

e vazhdon me objekte të natyrës:
mal-fush-lum-det-shkamb-pyll-prru-breg-dallg-bjeshk-stom-balt-zall-lym-llum-gur-thep-kep-shpell-gryk-gji-maj-suk-fshat-rrug-shteg-shpi-kull-kulm-shkall-lken-ur-curr-stan-vath-bar-

po edhe emna mbijetese si:
gjah-kafsh-zjarr-flak-dru-prush-tym-hi-gac-xix-lesh-lkur-fill-hesht-thik-spat-kmes-grremç-pun-shtroj-mbloj-rrob-log-vend-pus-kru-vegsh-vrull-vrap-turr-loj-gaz-kang-rreth-gzim-hok-

ose emna ushqimesh a frutash
buk-uj-kryp-mish-tambl-vaj-brum-ven-tlyn-kos-dhall-djath-hirr-shllin-dhjam-mill-ve-frut-lang-rrush-moll-dardh-arr-fik-than-sheg-ftu-pjeshk-kshtaj

mandej ka emrtue edhe trupin e vet
goj-sy-vesh-hund-dhamb-kamb-kry-mend-flok-dor-brryl-qaf-parzm-gjoks-gji-cic-gisht-gush-thu-mish-koc-asht-sup-shpin-bark-shput-grusht-dhamb-fyt-planc

po edhe krejt elementet e lidhjes se gjakut dhe tamblit
gjak-tambl-fis-soj-at-am-nan-bab-gru-burr-djal-vajz-plak-bir-bij-çik-cuc-mec-nip-mbes-axh-daj-hall-mik-shok-vlla-vej-

sigurisht edhe kafshët janë të randsishme në ket emërtim primordial
kal-pel-qen-delm-dhi-cjap-qingj-dash-ujk-derr(thi)-dos-ka-lop-mac-pul-gjel-ros-pat-peshk-ngjal-zog-krap-zhgab-thllanz-shkurtz-blet-grenx-miz

ar-ergjnd-tunxh-dry-çils-tirq-xhok-vark-myshk-

bota e blertë
pem-rranj-trung-deg-bisk-gjeth-kasht-lul-ah-lis-dushk-pish-shkoz-prrall-shelg-plep-pleh-mrriz-man-bush-shqop-shtalp-gram-grun-elb-tep-lin-

sigurisht bota e numrave asht pak ma e vonë por gjithsesi asht edhe në shqip
nji-dy-tri-katr-pes-gjasht-shtat-tet-nant-dhjet

Apo lidhje të habitshme grupesh bashktingllore si fjala vjen:
zhgun-zharg-zhgreh-zhegt-zhag-squll-zdath-zhur-zhurm-zhubl-zhgrrap-xhvoksh-zbruj-zdryp-zdap-zbrit-zbraz-zhyt-shqarrth-shkulm-gulsh-greth-krrab-krroms-rrshqan-rriqn-

Mandej vijnë foljet aq të shumta të  domosdoshme që krahas lidhjes të krijojnë edhe kuptimin e fjalisë duke i dhanë kështu shqypes karakter dhe muzikalitet të rrallë
me qen-me pas-me pa-me fol-me ndi-me ndje-me hangr-me pi-me fjet-me vra-me lidh-me shku-me qa-me dal-me hy-me vesh-me pjell-me lind-me rrah-me la-me ngreh-me fol- me pre-me ndal-me ik-me nga-me nguc-me grith-me fshi-me fsha-me msheh-me shkri-me zhduk-me nduk-me mbajt-me mshel-me qesh-me prish-me ndreq- me ngrit-me lujt-me lviz-

apo pyetsorët, përemnat, apo mbiemnat
kush-kur-pse-ku-çka-
un-ti-aj-ne-ju- i jem-i juj-i tij-i saj-
i bardh-i zi-i kaft-i kuq-gri-roz-blu-i verdh-i zymt-i mir-i keq-i lagsht-i bruz-i hinjt-i pist-i lyrt-i langt-i lbyrt-i ftoft-i ngroft-

Pikërisht prej fjals kanë dalë qindra shprehje të themelit të shqipes si “Fjala e dhanë”, “Ia mori Fjalën”, “I çoi Fjalë”, “S’i bjen Fjala n’tokë”, “E prenë Fjalën”, “Fjala e mbajtun”, “Burri për Fjale, demi për brinash”, “Fjala mori dheun”, “Ka dalë Fjala”, “I dalë Fjale”, “Ja hangri Fjalën”, “Fjala asht s’asht, po asht thyen”, “Fjala vjen”, “Me që ra Fjala”, “Me qenë t’nji Fjale”, “Fjala e nderit”, “Iu lidh Fjala në fyt”, “Vajzë me Fjalë”, “Fjala jote n’vesh t’Zotit”, “Fjalë n’erë”,“Ma pruni Fjalën në shteg”, dhe nëse latini u ndal te e shkruemja dhe mbasi i dha pushtet fjalës se shkrueme, e ngriti në monument atë, pse “Fjalët i merrte era”… shqypja e fjalës ndejti njashtu n’erë të kohnave me nji vetbesim të çmendun e bindun se mundej me pshtue edhe e pashkrueme…
Shqypja dhe shqyptarët pësuen shumë prej pushtimesh e mbivendosjesh, dhe projekti i zhbamjes së saj, asht ende në kambë, ashtu siç në kambë asht edhe përballja e kësaj gjuhe më gjithë rreziqet e kanosuna prej vetvedit. Historia asht dëshmitare se askush s’ka mujtë as me e zhbi as me e zhba at bërthamën primordiale të atynë njimijë fjalëve prej kah nis legjenda e ksaj gjuhe të shkrueme në gjak, e ndoshta kjo asht ajo krenaria e pashpjegueme e këtyne njerzve që mburren për diçka që as vet s’e dinë, por që e ndjejnë prej thellsisë së tyne. Edhe do fjalë që lidhen me shqypen primordiale mund të jenë çilsa me kuptue do të vërteta të pathana e të anashkalueme, po kjo sigurisht kërkon kohë dhe mendje pak ma të ndrituna, me ia dalë në krye… Sot asht e randsishme  mos me harrue.
Hy-hyll-hyj-hyp apo Hyll-Illiria-illiada-Illyrik-lyrica sigurisht edhe kjo linjë Epir-ep-epos-epik

Duket se krejt bota primordiale e shqypes e mbrritun deri në ditë të sodit vërtitet veç rreth njasaj fjals të mbetun në erë edhe sot, po që s’ka Zot me ia shkulë ato rranjët e padukshme të nguluna ndër shkambinj…

Në përfundim mundem me thanë se gjuha shqype edhe pse e pashtrueme dhe e parrahun fort me të shkrueme, asht mbrojtë fort me kode e me kangë duke fillue me kange gjethesh, pipzash e fyejsh, me kore vibrante zanesh që s’bashku krijonin polifoninë e përsosun; gjuha shqype asht mbrojtë me lodra e tupana me kangë majekrahit me gjama vdekjejsh e lahuta epikash të magjishme. Vërtet gjuha shqype s’ka qenë gjuhë dekretesh as fermanesh, as gjuhë regjistrash zyrtare a qitapesh, as gjuhë oratorish letrare o parlamentare, po ama ka qenë  gjuhë kuvendesh e urtish e nenesh kanuni, gjuhë kangësh dhe eposi ku s’ka ngjarje as personazh të mos jetë përcjellë me to; ajo ka qenë gjuhë gjamash e vajesh të thekshme… gjuhë dialektesh aq të shumta e aq të larmishme sa zajet e ndritshme të lumit, dhe ngjyrat e dhumta të ylberit munden me e pasë zili… S’ka gjuhë e kësaj bote, që t’i ketë vuejtë pushtimet në shpirtin vet sa gjuha shqype, aq sa shpesh i asht dashtë me i pranue përdhunshëm edhe fjalët e pushtuesve si danga n’lkurë e në shpirt, po ama shqypja primordiale ajo e zjarrit dhe e flakës; ajo e prushit dhe e hinit ka mbetë e gandullt, e paprekun, e paprekshme, e pavdekshme, e përjetshme…
N’at vetminë e saj solemne ajo ka psue shumë, ajo vazhdon me psue shumë, e ndoshta edhe në nji të nesërme shumë ka me psue, veç mos harroni: sa ma e madhe ka qenë e keqja e ushtrueme mbi të, aq ma e ndritshme e faqebardhe ka dalë ajo. Pse krejt madhështinë e vet ajo e ka naltue mbi psimet ma të mnerrshme… Shqypja s’i ka borxh askujt, e kërrkujt s’i ka as hak e as hile, ajo as kërkon ndonji lavdi të vjedhun, e as tutën s’ia ka kujt… Ndoshta sot asht tuj mbledhë rropullitë mbas plagimesh të randa e të gjata, m’i dëshmue botës dhe vedit njiherit: se çka ishte, çka asht e çka mund të jetë…! dhe se ajo mbetet frymë e patjetërsueshme e shpirt i pashprishëshem, mbetet krenaria ma e madhe (shpesh inkoshiente) e krejt nji populli që krenohet e lavdohet edhe në mosdije mbi vetvedin, e që përpiqet n’at çka vlon mbrenda gjakun e vet me e derdhë ndër kohna, pa e dijtë as se çka vlen… E nëse nji ditë mendoni se ju bahet e randë gjuha shqype e trembeni prej saj,e bani sikur po doni me braktisë e me e harrue… mbajeni mend se bash njaty ajo ka nis me ju grrye; bash njaty ajo asht tuj e naltue me forcë fronin e vet; bash njaty ajo asht duke marrë hov me ju kallzue se ka nisë triumfi i saj… dhe s’ka me ju mbetë tjetër veçse me e kuptue se sa pak e paskeni njoftë vetvedin… Bash njaty keni me ndje se kurrë ma të bukura s’kanë me u shfaqë vargjet monumentale e Mjedës: O shqype, o zogjt e maleve m’kallzoni, a shndrit ndoj rreze dilli n’at ograjë...
gusht – shtator – tetor 2015

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Artikuj, Gazeta  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook