A mund të jenë Balshajt komano – vllahë? nga Ndoc Selimi

Popujt e Lashtësisë

Popujt e Lashtësisë

A mund të jenë Balshajt komano – vllahë?

nga Ndoc Selimi

Po kush jane komanët?

Harta e Europës ka shumë vendbanime me toponimin Komàn, të cilët shtrihen në një hapësirë  të madhe gjeografike. Ky emër i ka qëndruar kohës pa asnjë deformim drejtëshkrimor e fonetik duke filluar që nga Deti i Zi në kufirin midis Turqisë veriore e Moldavise , ku ndodhet qyteti i vogël Komàn, provinca Giresun, që mund të jetë burimi fillestar o i dyti i këtij toponimi e pastaj janë shtrirë nëpër Kontinentin Europian. Kështu vinë me radhë Komàn në Ukrainë, Comàn, Comàna, Comànca në Moldavi, Balta Komàn ne Rumani, Komàn ne Greqi, Komàn në Mal të Zi, Komàn në Shqipëri, Komàn në Kosovë, si dhe shumë të  tjerë me ndryshime të vogla fonetike duke kaluar nga zanorja “a” në zanoren “u” si psh Kumanovë në Maqedoni, Kuman në Fier etj. Në domethënien e këtij emri, shumë historianë e studiues nuk kanë mundur t’i japin kahje ose shpjegim tjetër, veçse lidhjen e këtij emri me komanët që u duken në Europë rreth vitit 1050 të Krishtit.
Një ndër grupet e popujve emigratorë që kaluan nëpër territorin aktual të Shqipërisë është edhe popullsia komane, e cila në fillim si fise nomade e më vonë si një forcë e madhe luftarake mundën të depërtonin në Europë në mesin e shekullit XI pas Krishtit dhe të zinin territorin nga gjiri i poshtëm i Danubit e në Dniestër deri në jugë – lindje të Karpateve.

Popujt e Periudhës së hershme

Popujt e Periudhës së hershme

“Fjalori botërorë i Historisë” i përcakton kështu: “Komànët ose Kumànët. Popull i njohur edhe me emrin Kipçakë e Polovtsy përmendën për herë të parë në kronikat ruse me 1055. Duke zënë pjesën e Rusisë jugore, Vsevolod  kërkoi të bëjë paqe me ta, por komanët nuk pranuan dhe korrën një fitore të bujshme duke shkatërruar e plaçkitur Kievin.
Në vitin 1078, sulmojnë Adrianopolin dhe me 1091, bëhen aleatë me Bizantin duke zmbrapsur peçenakët (edhe këta një popull bredhës sh. aut). Në vazhdim janë aleatë me bullgarët kundër fuqisë latine të Kostantinopolit dhe me 1205, atakuan kryqëzatën e këtij viti.
Si një forcë e mirëfilltë ushtarake komanët filluan të bëjnë aleanca duke u ndodhur herë përkrah forcave mongole dhe herë përkrah atyre europiane.
Por në vitin 1237  komanët u mundën keqas nga mongolët dhe gjeten strehë në Valakia e në Transilvani, ku një pjesë e këtij populli konvertohet në fenë katolike”. (“Dizionario Mondiale di Storia” Rizzoli Larousse SpA – Milano 2003, pg.291).
Më 31 maj të vitit 1223, pas pushtimit të Azisë Qëndrore, forcat mongole të udhëhequra nga Jebe e Subatai me 20.000 trupa u ndeshën me ushtrinë e koalicionit, ku merrnin pjesë edhe komanët  të udhëhequr nga Mstislav III i Kievit dhe Khani Koman  në përbërje të 30.000 forcave. Ishte një betejë e përgjakëshme që u fitua nga mongolët që pastaj i ndoqën komanët duke i shpërndarë nëpër Europë. Një pjesë e komanëve shkojnë në Hungari duke ndjekur Khanin e fundit të tyre Kuteni, turma të tjera u drejtuan nga Bullgaria, ndërkohë që një pjesë e tyre hyri në shërbim të latinëve. (Turri Eugenio, “Uomini dei Ombrelli”, Milano, 1983).
Rreth viteve 1252 – 1254, bëhet rigrupimi trupave komane dhe bashkohen me trupat bullgare që më vonë depërtojnë deri thellë në Serbi duke shkatërruar manastirin e Shën Petërit në Bjellopolje. Sllavët përfituan nga ky shkak dhe spostojnë më vonë rezidencen e kryepeshkopit serb nga Zhiça në Pejë. (Kostandin Jireçek, “Historia e Serbëve”, fq. 351).
Më 1189-1192, komanët përmenden si pjesëmarrës në kryqëzatën e tretë të udhëhequr nga Frederiko Barbarosa dhe vija e lëvizjes së trupave kryqtare kalonte nëpër shtetet ballkanike, ku morën pjesë edhe komanët me 15.000 trupa nën komandën e Peterit të Bullgarisë. Në vitin 1259, zhvillohet Beteja e Devollit në Shqiperi dhe siç thuhet në literaturë se “Fati i Shqipërisë ishte i lidhur me humbjen ose fitoren e kësaj beteje” (Zhan Klod Faverial “Historia  (më e vjetër) e Shqipërisë” fq. 229).

Betejat e Cazarëve

Betejat e Cazarëve

Forcat e perëndimit u gjendën të bashkuara kundër atyre të lindjes. Komanët bënin pjesë nën komandën e Mikel Paleologut në përbërje të forcave bizantine, hungareze e greke. Perëndimorët e humbën këtë betejë, kalorësit frëngë u zunë rob, ndërsa epirotët u ndoqën deri në Adriatik. Siç e kemi thënë më lart, komanët ishin një forcë e kompletuar luftarake dhe luanin një ndër rolet kryesore në fitoren apo humbjen e shumë kampeve ushtarake kundërshtare. (Zh. K. Faverial, vep e cit. fq 148).
Komanët jo vetëm që ishin luftëtarë shumë të zotë, por nga gjiri i tyre dolën komandantë, gjeneralë, udhëheqës fushatash të rëndësishme dhe deri te udhëheqës shtetesh, dinastish dhe mbretër. Komanët krijuan tre dinasti të njëpasnjëshme në tokën bullgare siç janë Asenidi, Tertaridi, Shishmanidi. Krijuan gjithashtu dinastinë valake të Besarabisë, luajtën një rol shumë aktiv në Bizant, Hungari e Serbi. Elizabeta, që në vazhdim thirret Komania, bëhet gruaja e Mbretit të Hungarisë Stefanit V (Bela) dhe pas vdekjes së të shoqit merr ajo komandën dhe drejtimin e mbretërisë.
Komanët, tanimë si mercenarë, përmenden për të fundit herë si trupë luftarake në vitin 1321, kur Uroshi II Milutin i kërkon Andronakos II rikthimin e 2000 trupave komane, të cilat ia kishte dhënë me qira për t’i përdorur kundër nipit të tij Andronakos III, në luftën për pushtet brenda Bizantit. Pas këtij viti (1321) trupat komane shpërndahen  nëpër Europë dhe në shtetet ballkanike si në Hungari, Greqi, Rumani, Bullgari, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri etj.dhe u asimiluan duke  humbur gjurmët në gjirin e popullsisë të kthyer tashmë vetëm në toponim, por duke mbetur përherë një elitë e etur për të krijuar dinasti të reja në vendet që zgjodhën për jetesë.

Stema e Balshajve

Stema e Balshajve

Po kush janë Balshajt

Të gjithë historianët e deritanishëm kanë hedhur një pikë dyshimi te prejardhja e dinastisë së Balshajve, e cila u lind në një mënyrë të rrufeshme, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë për afro një shekull e gjysëm dhe pastaj zhduket përsëri.
Në një studim që ka bërë historiani italian Emanuele Polito (“Muzakajt e Beratit” faqe 68,) duke folur për stemën e Balshajvë thotë: “Sono, infatti, i Balsha ad avere come stemma una stella, appunto, perché provenienti dalla zona Caucasica.” (Në fakt, janë Balshajt që kanë si stemë një yll me cepa, sepse vijnë nga zonat e Kaukazit).
Kjo stemë nuk është me gjashtë cepa, siç shfaqet në stemat aktuale që përfaqësojnë Kastriotët, por me shtatë cepa. (Por prof. Polito jep idenë se ishte me tetë cepa)
Ludwig von Thallozy thotë se “Tre Balshajt (1360), siç duket prej origjinë Rumunësh të Jugës” (është fjala për tre vëllezërit Balsha; Strazimiri, Gjergji I, Balsha i II.). Ky autor thotë se ishin me origjinë rumune.
Në “Gazetën Shqiptare” është botuar një artikull nga Fatmira Nikolli, ku thotë se “Balshajt patën dy stema; një me yllin me shumë cepa e një me ujkun”.
Eqerem bej Vlora thotë se “…sipas gjasave kanë prejardhje shqiptare edhe pse ka historianë që mendojnë ndryshe… si Jorga, fjala vjen, pohon se Balshajt kishin prejardhje rumune, kuçovllahe.” (Eqerem  bej Vlora fq. 66)
Johan Georg von Hahn duke bërë fjalë për qytetin e Shkodrës thotë: “Mbasi u shue familja mbretnore (në vitin 1368), përmenden Balshajt nga Bosnja si sundues të Shkodrës, të dy Zetave, të Drishtit, Lezhës dhe të Tivarit” (Hahn, “Studime shqiptare” fq 138). ( Hahn bën fjalë për familjen mbretërore të Stefan Dushanit që u shua më 1356, dhe pas vdekjes së tij u coptua perandoria).
Kostandin Muzaka në testamentin që u lë të bijve më 1510 te “Historia e gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shpjegon diçka mbi Balshajt duke i sjellë ata në një mbiemër me Gotët që rridhnin nga Balltët, me origjinë balltike. Ai thotë: “Për ç’arsye mbajnë në emblemë një yll (me shtatë cepa), shpjegohet me faktin se Goçia ndodhet në pjesën më të skajshme të veriut në Shqipëri dhe mbreti Ballsha qe zot i këtyre tokave dhe me lidhje gjaku me familjen tonë dhe rrjedh nga dinastia e këtyre mbretërve Balltë që shumë herë kanë ardhur me ushtritë e tyre në Europë” (Don Costantino Musachi “Storia e genealogia della famiglia Musachi”)
Te “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë” fq. 257, Zhan Klod Faveirial duke analizuar Balshajt thotë: “Princi, zoti i madh ose mbreti i Shqipërisë së Epërme, ishte në atë kohë njëfarë Balsha. Familja e tij me origjinë franceze kishte shoqëruar në Napoli, Karlin e parë, dukën e Anzhusë…” (franceze ?)
Edith Durham thotë: “Familja e Balshajve, prejardhja e të cilëve është e errët dhe që ka mundësi që të jetë nga vllahët, që u bënë zotër të pavarur të një pjese të madhe të Shqipërisë”. (Durham, “Për fiset…” fq 53).
Arkitekti Artan Shkreli në një intervistë për Gazetën Shqiptare me titull “Pirro i Epirit dhe Ylli i Balshajve” shkruan: “…duke parë në varre të ndryshme ku prehen pasardhësit e heroit, kuptohet qartë e nuk ka më dyshime, se kemi të bëjmë me një yll, i cili herë del me gjashtë cepa e herë më shumë cepa. Balshajt vinë nga një familje arbërore, ndërsa origjina e largët e tyre është e panjohur”. (Artan Shkreli, “Gazeta Shqiptare” , artikull).
Studimin më të plotë e ka bërë Giuseppe Gelcich te “Zeta dhe Dinastia e Balshajve” më 1895, i cili ndër të tjera shkruan: “Balshajt përmenden si magnatë (pronësi) të oborrit serb që në vitin 1304. Një Balshaj, me sa duket themeluesi i familjes që pastaj sundoi Zetën, sipas Hopf, paskësh qenë gjeneral në ushtrinë e perandorit Stefan Urosh dhe një tjetër (Balshaj) paskësh qenë dërguar nga perandori Stefan Urosh për të qeverisur ishullin e Meledës në vitin 1357.” (Gelcich,”Zeta dhe Dinastia e Balshajve” fq 29).

Giuseppe Gelcich - Dinastia e Balshajve

Giuseppe Gelcich – Dinastia e Balshajve

Më 1350, sipas Orbinit, në kohën e Dushanit, Balsha nuk ka patur tjetër nën sundim, “përveçse një fshat të Zetës. Dhe vërtetë nuk mund të quhet ndryshe, veçse si një nga baronët e shumtë të mbretërisë, të cilët, o për hir të titujve të trashëguar, ose për merita të veçanta vetjake ndaj mbretit, u lihej një feud modest çfarëdo”.
Të tjerë historianë e nxjerrin dinastinë e Balshajve duke u nisur nga përkthimi i mbiemrit “Balshaj” në “Balshòj” që do të thotë sipas përkthimit rus “i madh”.
Tani le të gjykojmë pak ndryshe nga të gjithë këta historianë dhe le të jemi në unitet të plotë me ta.
Duke gjykuar ndryshe, unë mendoj se Balshajt janë me prejardhje komane apo kumane, ashtu si edhe komnenët, që të gjithë hisorianët i vijnë rrotull kësaj ideje dhe asnjë nuk e thotë, e që u dukën në Europë në shekullin e IX pas Krishtit. Komanët janë të vetmit që u përshtatën në vendin ku u ngulitën duke krijuar edhe dinasti e mbretëri, siç është folur më lart.
Ato shfrytëzuan një hapësirë boshe që u gjet në Europë e Ballkan menjëherë pas shkatërrimeve barbaro-sllave duke zënë toka e kështjella të braktisura e të lëna prej vendasve.
Duke qenë në unitet me zërin e të gjithë historianëve që analizuan, shkruan dhe provuan të japin idetë e tyre për derën e dinastisë së Balshajve, po rradhisim të gjitha pikat e përbashkëta që e sjellin këtë dinasti te komanët që cituam më lart.
E para: “Në stemën e Balshajve kishte një yll me shtatë cepa”. (E. Polito). Pra është pikërisht ylli i stemës komanëve me shtatë cepa sipër luanit kërcënues të ngritur në këmbë me drejtim majtas që përfaqëson sulmin, ngadhnjimin mbi armiqtë perëndimorë. (Këtë stemë e gëzon sot Moldavia)
E dyta: “Vijnë nga zonat e Kaukazit”. Pikërisht atje ishte vendqëndrimi i komanëve “prej Kaukazit në Danub” – thotë literatura dhe që ishte atdheu i dytë i tyre.
E treta: “Balshajt kishin prejardhje rumune, kuçovllahe”.(Jorga, Thallozy, etj) Hungaria, Rumania e Bullgaria janë vendet ku gjetën strehë dhe mbrojtje komanët, duke themeluar edhe shtetin e tyre të Komanisë që më vonë u quajt Valakia.
E katërta: “Një nip i Stefan Balshës dhe dhëndër i Skënderbeut, pas vdekjes së këtij të fundit (ai apo i biri) duhet të kenë shkuar në Rumani… dhe emri i tyre evidentohet në një stampë të një fabrikë bojrash deri në ditët tona”. (Eqerem bej Vlora fq 72).
Një pyetje e thjeshtë. Në kohën kur të gjitha familjet mbretërore fisnore të Shqipërisë, pas vdekjes së Skënderbeut, gjetën strehë përtej Adriatikut në tokat që mbreti i Napolit Alfonso ia pat dhënë si feud prijësit shqiptar për ndihmën e dhënë, pse ky Balshë me emër të madh kthehet mbrapsht në lindje? Dhe duke gjykuar si më lart mund të japim një përgjigje të pranueshme; se ata rikthehen në gjurmët e stërgjyshërve të tyre, në vendin e nisjes.

Cappadocia dhe  Mbretëritë e Lashta

Cappadocia dhe Mbretëritë e Lashta

E pesta: “Një Balshaj paskësh qenë gjeneral në ushtrinë e Perandorit Stefan Urosh”. (Hopf). Ky gjeneral, që më vonë themelon dinastinë me emër të Balshajve, më parë paskësh qenë, ndoshta, komandant i trupave mercenare komane në duart e Uroshit dhe në gjirin e kësaj mbretërie bëhet dhëndër apo ishte nip bije i Nemanjëve që shumë autorë e marrin shpesh me origjinë serbe, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Gjenerali Balsha kishte nën komandë rreth 2.000 trupa komanë e së bashku me ushtarët serbë komandonte një ushtri të tërë.
E gjashta: “O për hir të titujve të trashëguar, ose për merita të veçanta vetjake ndaj mbretit, u lihej nën sundim një feud modest çfarëdo”. (Orbini “Storia del Regno degli Slavi”, Pesaro, 1601).
Pra, për “merita të veçanta vetjake ndaj mbretit”. Uroshi II më 1350, u ka dhënë Balshajve nën sundim një fshat të Zetës, (për shërbime o merita të veçanta si gjeneral në oborrin e tij) që mund të ketë qenë qyteti i vogël  Balëz, që përmendet qysh më 1200 te prifti i Diokleas (iupa Barizi), pastaj në dokumentet e vitit 1349, vjen me emrat Balcium, Balsium, Balezo, Balecio, Balëzi, Balëç dhe si mbiemër Balëçensis që është toponim plotësisht ilir dhe nuk ka të bëjnë fare më mbiemrin Balsha, që literatura jonë deri sot e ka quajtur këtë qytezë si vendlindja e dinastisë së Balshajve dhe vazhdon ta shtrembërojë përkthimin nga Balëz ilire në “Balsh” sllavo-ruse.
Ky emër vazhdoi të thirrët Balëz edhe pas ardhjes në pushtet të Balshajve si në vitin 1363, (sopra la porta de Santo Nicola de Baleç); më 1402 (Città di Balezo) dhe kështu më 1416, dhe e fundit më 1474, kur turqit deshën ta rindërtonin për nevojat e veta këtë qytet dhe asnjë literaturë nuk e emërton Balsh, veç përkthimeve tona shumë të vona.
E shtata: “Më 29 janar të vitit 1369 para peshkopit Petër të Shashës, Balshajt u betuan për heqjen dorë nga riti ortodoks”. E bënë këtë edhe për hir të politikave me Raguzën e Venecian, por më shumë për t’u rikthyer në fenë e vet katolike me të cilën u pagëzuan qysh më 1227 në Valaki. (Kujtojmë se Milutini i dëboi nga oborri i tij të gjithë bashkëpunëtorët që kishin ide katolike dhe që i rrinin besnikë këtij besimi pas vdekjes së mbretëreshës Helenë).
E teta: Durham thotë se “ka mundësi që të jenë nga vllahët”. fq. 53.  Vllehët ose vllahët janë quajtur popullsitë romako folëse dhe ky term vjen që nga Gjermania antike “walh” që do të thotë i huaj dhe sot duke u parë në një tjetër nivel sinjifikon gjuhën rumune, dakorumune, arumune etj.
Më 1290, komanë e rumunë themeluan së bashku shtetin e tyre Valakia (Valacchia), që është edhe bërthama e emërtimit të mëvonshëm Vllahi (Vllah) në kuptimin e sotëm të këtij termi, duke u  kufizuar si një rajon krejt i vogël në krahasim më përfaqësimin dhe përhapjen e dikurshme. Barleti flet disa herë për vllahët e Valakinë. Duke bërë fjalë për forcat hungareze ai thotë: “Huniadi pothuajse nuk e ndërroi kurrë ushtrinë hungareze dhe vllahe” (M. Barleti, “Historia e Skënderbeut” fq. 81)
E nënta: Komanët ishin luftëtarë të sprovuar e karrieristë të zot, përderisa zunë vende të rëndësishme në shumë nomenklatura me zë të Europës. Ndaj kujtojmë shpejtësinë më të cilën Balshajt pushtuan Zetën dhe u bënë zotër të saj. Këtu do të besojmë së kishin një ushtri me përbërje komanësh të gatëshme e të sprovuar për luftë e për plaçkitje sidomos në det kundër anijeve veneciane, për të cilën autoritetet janë ankuar disa herë dhe Venediku për këtë arsye një pjesë të madhe kohe nuk i ka lejuar Balshajt të kenë anije.
E dhjeta; mbiemri Balsha, Balshiç, Balshoj është i njëjti emër që e kanë trashëguar që kur ishin të shtrirë në zonat Kaukazike dhe kanë marrë këtë pseudonim rus si “I madh”, “Të mëdhenjt” e nuk ka asnjë lidhje me “Balëz”, si dhe nuk mund të ketë asnjë mundësi fonetike që fundorja “ëz” të kthehet në “sh”.
E njëmbëdhjeta; Një qytet me emrin Balsh  ndodhet në Rumani  në zonen historike Oltenia. Thuhet në historikun e tij që ky emër ka dy variante si prejardhje, se  ndodhet pranë një burimi i quajtur balishta  dhe e dyta se ruan origjinën e një emri të një fisniku me emrin Balsh.
Dhe e fundit; një Ballëz tjetër ndodhet në zonën e Sapës e afër vendndodhjes së kalasë së Capës në faqen jugore të saj. Studiusi Dom Gaspër Gurakuqi thotë: “Mandej vetë emnat Sapë e Shat, si dhe emni Ballëz, qi këtu gjindet, na çfaqin nji vjetërsi tejet të këtij qyteti”. (flitet për vjetërsinë e Sapës) (Dom Gaspër Gurakuqi, meshtar, “Sapa e djoçezi i Sapës” Shtypshkronja Françeskane, 1929)
Më vonë, ndoshta, kur të kemi në dorë të tre “Codex Comanis” që ndodhën në arshivat e Venedikut (Biblioteca “Marciana” di Venezia),  Danimarkës dhe Rumanisë (Vocabolario trilingue, Latino-Persiana-Comana), besojmë se shumë gjëra do të analizohen në mënyrë të drejtë e shkencore.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook