back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

A duhet ta shohim Ilir Metën si Kryeministrin e ri të Shqipërisë? Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2007
Jozef Radi 2007

A duhet ta shohim Ilir Metën

si Kryeministrin e ri të Shqipërisë??

nga Jozef Radi

Nji analizë e paanshme, e papaguar dhe e pa shumë pretendime…

Edhe kësaj here, Zgjedhjeve të Verës iu vu kapaku. Ajo çka vlen të theksohet mbi të gjitha, është se humbsit s’ua prishën festën fituesve, po as fituesit, edhe pse të njohur si “dyfekçinj”, s’u ranë edhe aq shumë më qafë humbsave… dhe ja kështu ky “happy end” elektoral, në shqipen e popullit votues mund të përcillej si: “Prralla n’lesh dhe shëndetja prej nesh…”
Sigurisht flamuri i Lejlasë Rilindase u vërtit mjaft shesheve dhe rrugëve, por mbas entuziazmit të fitores kthehet qetësia, ftohtësia dhe arsyeja ku secila kokë e ngrohur pushteti bëhet koshiente se ku ndodhet dhe cili është vendi i ri i saj në kët hartë të re politike…
Partia humbëse e zgjedhjeve ishte partia në pushtet, e cila megjithë arritjet e konsiderueshme, megjithë ngjyrosjen e Shesheve Blu, për krejt rrugët dhe tunelet, vizat dhe Europën, pensionet dhe investimet, gjatë numrimit të votave asnjiherë nuk dëshmoi se kishte qenë nji rivale e fortë e denjë dhe e frikshme… Fakti që ajo vetë s’e rroku dot shifrën e 50 deputetëve, dhe si koalicion s’i kapërceu dot 56 vendet në Parlament… do të mbesë si nji dëshmi dështimi dhe paaftësie për ta bindur sërish votuesin… Partia fituese u shfaq qysh herët si e tillë dhe kështu Partia e Lejlasë Rilindase, vërtet e ka Gurin e Artë në njerën dorë, po s’e ka tamam tamam Arrën Gungë në dorën tjetër… S’duhet të harrojmë: se për të numrat janë po ata të mëparshmit… 66, (84) si koalicion… pra gjithsesi fitore historike…! Kurse triumfatorja e vërtetë e këtyre zgjedhjeve mbetet e Kuqja e LSI-së, nji parti që ishte dhe mbetet pjesë e Pushtetit, e që jashtë çdo parashikimi a paragjykimi, Shpallësi mund të gjëmonte histerikisht: “The Winner is… Ell-es-aj!!!”

Ilir Meta në Kohën e Lejlasë
Ilir Meta në Kohën e Lejlasë

Vërtet, të kesh qenë parti në pushtet deri tre muaj para zgjedhjeve, të dalësh prej një koalicioni bashkëpërgjegjes, dhe t’i bashkohesh një koalicioni bashkëpretendues; t’u ikësh akuzave aq të rënda për korrupsion dhe të purifikohesh pa u larë në asnjë lloj lumi; pa kaluar as njiqind ditë; të dalësh nga koalicioni qeverisës me katër deputetë dhe në harkun e 13 javëve të realizosh plot 17 të tillë; duke mos u lenë shteg dy Megapartive mundësinë e qeverisjes pa “përgjunjen” para saj; kjo jo vetëm mund të quhet nji fitore e madhe po edhe e pabesueshme… bile fitore që edhe rrit oreks pretendues!!! Kështu që, mund të thuhet se cilatdo qofshin mjetet dhe metodat që angazhoi kjo parti dhe Kryedrejtuesi i saj, jo vetëm ia mbrriti qëllimit po edhe e kanë kapërcyer dukshëm atë; e mbi gjithçka simbas nji llogjike të thjeshtë mund të quhet e justifikuar… Kushdo që flet për votë të blerë apo të pablerë, të ndershme apo të pandershme, harron se tashmë ajo votë ka hyrë në kuti dhe është bërë gjurmë e nji rezultati… Gjykimi moral është tjetër gjë, mbetet çeshtje e ndërgjegjes së secilit prej nesh… dhe ndërgjegja e askujt s’vihet në diskutim, sepse mbas çdo vote vërtet është nji njeri… po ai njeri mund të jetë cilido prej nesh… Të mos harrohet se në kët lëvizje pati edhe diçka brilante… Partia e Opozitës kishte mjaft malhumore brenda, edhe Pushteti kishte mjaft të tilla, kjo parti ndejti si teh midis dy të mëdhave dhe shfrytëzoi kët gjë deri në përfeksion… Edhe nëse s’kemi kapele duhet ta gjejmë dhe t’ja heqim…!!
Dihet që dy të Mëdhenjtë janë peshorja.
E keqja qendron se midis krahut të majtë dhe të djathtë të peshores është shigjetën e peshës… dhe kjo shigjetë e peshës për fat të keq a të mirë e ka emrin Ilir Meta…!
Sigurisht, në çastin më oportun, Presidenti Nishani, do ta ftojë partinë fituese të Edi Ramës të krijojë qeverinë Rilindase, dhe nëse respektohet aleancat parazgjedhore (PS-LSI) duhet që kjo marrveshje midis tyre të jetë në respekt jo vetëm të numrave… po edhe brrylave…

Qeverisja Rama-Meta (2013-2017)
Qeverisja Rama-Meta (2013-2017)

Të mos harrojmë se llogjika qeverisëse në kët rast ndihmon më shumë LSI-në, se sa PS… Ja disa prej arsyeve…
LSI e garanton dhe e blindon pushtetin e majtë për katër vite, problemi është nëse Ilir Meta mund të qëndrojë gjatë nën Ed Ramën…? S’më duket fort e besueshme diçka e tillë, sepse Ed Rama, sipas llogjikës së Metës, ka aq deputetë sa kishte më parë, pra s’ka fituar pushtet, thjesht ka ruajtur po at pozitë që kishte…! E drejtë?? Sa të duash!!! Ai mund t’i mëshojë gjithashtu faktit se Ed Rama s’ka asnji eksperiencë parlamentare… Pra le të mësojë më parë eksperiencën parlamentare… e më pas eksperiencën qeverisëse! As eksperienca qeverisëse s’është e mjaftë, sepse sipas Metës: koha e Ministrit të Kulturës, ishte e shkurtë ku ai më shumë i ngjante nji bojaxhiu se nji qeveritari…!!! Edhe në jetën partiake Ilir Meta ka nji karrierë ngjitëse të lakmueshme në strukturat partiake të Partisë socialiste; në karrierën qeverisëse ai u bë nga kryeministrat më të rinj të shtetit; pa harruar që LSI-ja është krijesë dhe frymë e tij dhe deri sot askush s’ka guxuar t’ia cenojë; Ilir Meta edhe në pikpamjen e jetës parlamentare është deputet i pothuaj i krejt legjislaturave ashtu si Berisha, kurse Ed Rama është ndër rishtarët në jetën parlamentare!!
Shpesh herë gamgamëria politike merret me nji fakt dhe harron krejt rrugën dhe sfidat dhe ngjitjen e nji individi…
Dhe Meta është ndodhur mjaft herë në “Syrin e Ciklonit”: së pari “Vjedhja e Thesarit”, më pas njerzit kanë parë dhe dëgjuar akuzat Meta-Prifti dhe konfliktin e hapët Rama-Meta; kanë ndjekur procesin gjyqsor të tij, dhe mbrojtjen që i bëri Berisha…; po kanë parë, dëgjuar dhe përfolur mjaft të tjera afera… Por, sasia e votave të marra dëshmoi se për votuesit pak rëndësi kanë ato çka thuhen dhe shihen… Sovrani ka mënyrën e vet, e drejtë apo e padrejtë, e ndershme apo e korruptuar… fshatare apo qytetare, e skraparllit apo tropojsit, ajo është votë! Mbaron…! Sot ajo shfaqet si nji numër i konsiderushëm, e që legalisht ka mandatuar 17 emra në Parlament… pjesa tjetër është llogje kavaje…
Le të marrim përfoljen e dhënies së lekve të thata!

Rama - Meta (herë kundërshtarë e herë miq)
Rama – Meta (herë kundërshtarë e herë miq)

Nëse votuesi ka menduar që: rrugët dhe tunelet u hapën; se Shqipëria i ka vizat e lira dhe në Nato hyri prej forcës që ishte qenë në pushtet; dhe s’ia kishte fort besën “lugës së artë” që u premtonte anë e kënd Rilindja e Ed Ramës…! Me nji arsyetim të thjesht dhe pragmatik tha: “Ore këta vijnë rrallë këndej nga ne… Më ç’po dëgjojmë e ç’po shohim kjo është botë hajdutësh… Epo hajdutë për hajdutë, as ia japim më mirë votën nji hajduti që ndan diçka me ne, se atyre tjerëve që e dimë se s’na japin as gurë për të çarë kokën…!! Ja u krye dhe kjo punë! E drejtë apo e padrejtë, politikbërsit shqiptare duhet të punojnë edhe në rritjen e ndërgjegjes civile, në rritjen e mirqenies, nëse s’duan të digjen prej nji pragmatizmit primitiv, nji herë në katër vjet!!!
Duke ia dhënë votat LSI-së, në fakt ia dhanë votën majës së gjilpërës… pra nji votë finoke! Që ia zvogëlon dukshëm pushtetin të mëdhenjve… bile e bën të voglin të ndjehet më i madh së të mëdhenjtë; ngaqë sot asnji prej tyre s’bën dot pa Metën… Edhe nëse Meta s’bëhet kryeministër, (që mund të jetë vetëm një lëshim i detyruar), ai do t’i kërkojë aq hise të madhe sa mund ta kalojë gjysmën qeverisëse… Pra nëse s’i jepet qeveria ai bëhet gllabërues ministrish, dhe nëse këmbëngul të jetë ai kryeministri, Ed Rama, praktikisht ka kapitulluar, sepse në të dy krahët Ilir Meta është diktues!
Po loja e vërtetë ende s’ka filluar… Partia Demokratike me lider të dorëhequr, mund të grupzohet, ose individë të çlirohen në kërkim të interesave shetitëse…!! Dhe merkato e Verës mund të ketë sukseset e saj!!
Sepse Ed Ramës, i duhet ta kërkojë gjetkë, atë çka e frik së shumti: Që Ilir Meta mund të jetë kufizues i përhershëm i plotpushtetit… aq shumë i ëndërruar prej tij…!!
27 qershor 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.