back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

7 poezi nga Evgenij Evtushenko (18 Korrik 1933 – 1 Prill 2017)

Gazeta

Jevgenij Jevtushenko (1933-2017)
Jevgenij Jevtushenko (1933-2017)

7 poezi nga Evgenij Evtushenko 

(18 Korrik 1933 – 1 Prill 2017)

sjellë në shqip nga Maks Rakipaj

18 korriku është data e lindjes së poetit dhe shkrimtarit rus Jevgenij Jevtushenko (1933-2017), i cili vdiq në SHBA, sivjet më 1 prill.
Ai mbetet një nga të mëdhejtë e poezisë ruse dhe botërore, i përkthyer në 72 gjuhë.
Janë të njohura qëndrimet e tij në mbrojtje të disidentit Pasternak, etj., qëndrimet e guximshme qytetare për të gjitha problemet shoqërore. Kur ushtria e ish-Bashkimit Sovjetik sulmoi dhe pushtoi Çekosllovakinë në gusht ’68, i shkroi një letër proteste Brezhnjevit, Kosiginit dhe shkroi poezinë e njohur “Tanket shkojnë drejt Pragës”.
Pas viteve ’80, qe poeti më i njohur i ish-BRSS në botë. Por nuk qe aspak poet oborri, si u bënë ish shokët e tij shqiptarë të viteve universitare në Institutin Gorkij. Qe njeri së pari, pastaj poet. Sot kam për zgjedhur disa poezi prej tij këto përkthime të mijat, në shenjë në nderimi dhe vlerësimi:
.
Adami dhe Eva
Adami dhe Eva

Adami dhe Eva pa parti

(Адам и Ева были беспартийные)

Adami dhe Eva nuk patën parti,
Arkën e sajoi Noè i paparti.
Të gjitha partitë me buzëqeshje
prej të ligu
djalli i shpiku.
Dhe djalli shije ferri ka.
Dhe, ka të ngjarë,
te molla e parë,
qenë krimbi dhe gjarpëri bashkë.
Politika qenka mjeshtëri
e djallit,
njerëzit më pas u krimbëzuan.
Politika shpiku policinë më parë,
politika shpiku udhëheqësit,
donte t’i shihte të gjallët të ndarë
dhe ndau nëpër parti njerëzit.
Ku është partia e vejushave, të gjymtuarve,
pleqve?
Ku është partia e fëmijëve, familjeve?
Ku është kufiri mes Magadan-it¹
dhe Majdanek²,
Po kufiri mes Aushvic-it
dhe Songmi³?
Ndonjëherë, ndonjëherë,
ndonjë ditë
Stërnipërit e kohëve
të sotme
Partitë kanë për t’i kujtuar si diçka të largët,
si diçka të egër prej Babilonisë së dikurshme.
Dhe bota do të jetë plot kopshte, e blertë
me mirësi.
Dhe jeta në botë do të jetë,
për të gjithë veç mrekulli.
Një parti, një fe do të jetë.
Me emrin e thjeshtë – Njeri.
shpjegime:
Magadan¹ – qytet port në Lindjen e Largme ruse, kamp përqëndrimi në kohën e Stalinit
Majdanek² – kamp nazist për robërit luftës në Poloni
Songmi³ – fshat në Vietnamin e jugut ku u krye masakër civilësh nga trupat amerikane
.

Dreqi e mori, jam profesionist

(Проклятье – я профессионал)

 Jam profesionist, dreqi e mori.
Gjëra të bukura mund të krijoj
me lotët që shoh kudo dhe më lodhin,
mbush stilografin tim si të jetë bojë.
 
Mjeshtëri e poetit ësht’e turpshme
se nis me rima rrëfen siç ka qef,
kur të tjerët e nxjerrin të gëzueshme,
ai dhëmbjet e jetës nxjerr në treg.
 
Gjakun e tjetrit pi kush është poet,
por jo se e ka qëllim në vetvete,
urrej dhe veten për këtë pushtet
që ka fjala kur me dhëmbje ushqehet.
 
Ti, si u ngrite, o lavdi të ndyrësh
mbi sa eshtra, mbi sa lotë të hidhur?
Mallkuar qofsh, o mjeshtëri vampirësh,
që poshtërsisht me poezi je ngritur.
 
Për k’të mjeshtëri falje s’mund të ketë.
Gjak i tjetrit u ngjan si trëndafil…
Këtu veç njihet poet i vërtetë,
kur për vetë fjalën, ndjen neveri.
.
Evgenij Jevtushenko (1932)
Jevgenij Jevtushenko (1933-2017)

E tmerrshme të mos kuptohesh…

(Не понимать друг друга страшно…)

E tmerrshme të mos kuptohesh,
të mos kuptohesh dhe të përqafohesh,
por sado qoftë e çuditshme,
është njësoj, po aq e frikshme
plotësisht të kuptohesh.
 
Por lëndojmë njeri-tjetrin, gjithsesi.
Por unë ca gjëra, tashmë i di,
shpirtin tënd të brishtë assesi
s’dua ta bëj fli me moskuptimin
dhe as ta vras me mirëkuptimin.
.
Flamuri Rus dhe Sovjetik
Flamuri Rus dhe Sovjetik

Lamtumirë Flamur i Kuq

(Прощание с красным флагом)

Flamur i kuq, lamtumirë…
Të ulën nga Kremlini,
jo ashtu si të ngritën,
nga plumbat shqyer,
krenar,
të gjallë
kur bënim kakën
mbi atë rajshtag në flakë
sado dhe atbotë qe
mashtrim i madh gjithçka.
Flamur i kuq, lamtumirë…
Armik të patëm dhe vëlla të mirë.
Të patëm në llogore shok,
shpresë për këtë Evropë,
por e kuqja jote u bë gardh,
kuvli, me emrin GULAG
mbushur përplot me të mjerë
të burgosur porsi skllevër.
 
Flamur i kuq lamtumirë…
Prehu tani,
shtrihu, fli,
është koha të kujtohen,
gjithë ata që nga varri s’çohen.
 
Të mashtruarit
që mish për top
dërgove të lënë kokën.
Por dhe ti je për t’u kujtuar,
ke qenë dhe ti një i mashtruar.
 
Flamur i kuq, lamtumirë…
Nuk na solle mbarësi.
Me gjak të ngulëm
Me gjak po të shkulim.
Ja përse tani
lotë s’gjej ndër sy për të fshirë
sepse ti me tërbim na godet
me cepat e tu të kuqërremtë.
 
Flamur i kuq, lamtumirë…
Hapin e parë drejt lirisë
e bëmë me zemrat plot
ti flamur na jepje shtysën
dhe të nxitur prej teje
në luftë niseshim
të mos na shkelte me këmbë sërish
“Zhivago” me syze.
 
Flamur i kuq, lamtumirë…
Mbaj mend, kur qemë fëmijë
kur luanim donim të ishim “të kuqtë”
“të bardhët” qenë të këqijtë.
 
U lindëm në një vënd,
i cili nuk është më,
por ai Atlantida qe për ne
që ishim
dhe e deshëm.
Shtrirë tani ai flamur, si peng,
në Izmailovo, në treg.
E shesin me dollarë
shtyhen blerësit, kush e kush ta marrë.
 
S’ kam sulmuar Pallatin e Dimrit si revolucionar.
S’kam qënë mbi Reichstag.
Jo, s’kam qënë as “komunar”.
Por shoh këtë flamur e më vjen për të qarë…
 .

Stalini s’ka vdekur

(Сталин не умер)

 Jo, s’ka vdekur Stalini.
Ai beson
se me vdekjen merret vesh.
E shkulëm
nga Mauzoleu,
por nga ndjekësit
e Stalinit
do ta shkulim Stalinin?
.

Qenit Tim

(Моей собаке)

Te dritarja ngjesh hundën e zezë,
dhe pret qeni, gjithnjë dikë pret.
 
Në qimet e tij duart i ngjesh,
dhe unë gjithashtu, dikë e pres.
 
Të vjen ndërmend, hë, o qen,
dikur këtu banonte një femër.
 
A e di ç’qe ajo për mua?
Motër, apo ndoshta grua,
 
a ndoshta do të ketë qenë ime bijë,
që ndonjëherë i kërkoja ndihmë.
 
Ajo është larg… Dhe ti po hesht.
Këtu s’do të vijë më ndonjë femër.
 
O qen i shtrenjtë, sa t’mirë të kam,
por ç’e do që ti nuk pi, eeeh, gjynah!
.

Unë jam engjëll

(Я – Ангел)

Lashë pijen. Dhe e dua gruan.
Gruan time, ja ku po e theksoj.
Dhe si engjëjt kam për të jetuar,
Desh zura dhe Shçipaçjov*-in në gojë.
 
Më thau kjo jetë të mjerin.
Mbyll sytë kur femra rrugës shkojnë.
Po shpatullat, pse po më therin?
Oooo, ç’të jetë kjo?
 
Po më dalin flatrat, ka të ngjarë.
I hutuar jam, si në ëndërr.
Një hall si ky nuk pata parë.
Ja dolën, hej dreqi e hëngërt!
 
Një belá tjetër!
Tani ajo xhaketë e vjetër
i do pas shpinës dy të çara.
Jam engjëll pra, me flatra.
 
Jetës nuk i bëhet vonë
për çdo rreng që na punon.
Ja, tani engjëll jam.
Vetëm se pi duhan.
 
Jam i llojit duhanpirës.
Me qenë engjëll qenka vështirë.
Vetëm shpirt ama.
Trup asnjë gram.
Le të vijë femra më e mirë,
unë engjëll jam.
 
Ç’të bëj me veten time tani!
Derisa ata s’më kanë në llogari,
sado që jam sërë hyjnore,
veç tiparet më kafshërore,
mbajeni mend, i ka raca engjëllore!
 
Stjepan Petroviç Shçipaçjov* (1899-1980) poet komunist sovjetik, antar i Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë dhe president i seksionit të poetëve, persekutor i talenteve si Sollzhenjicin e Saharov; armik personal i Evtushenkos, këtu poeti e përmend me ironi.
Perktheu Maks Rakipaj

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.