back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

70 vjet nga vrasja e desantëve të kompanisë 4000 – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Muhamet Hoxha - Desant i Kompanisë 4000
Muhamet Hoxha – Desant i Kompanisë 4000

70 vjet nga vrasja e desantëve të kompanisë 4000

nga Kastriot Dervishi

Në mesnatën e 23-24 korrikut 1951, i nisur nga Athina, u hodh me parashutë, ai që u quajt “Grupi i Vergoit”, i cili ishte desantimi i dytë (i pari ishte bërë më 11.11.1950) i shqiptarëve të kompanisë 4000 në Mynih, e cila u ngrit nga amerikanët. Ata ishin:
-Riza Abazi – nga Kllogjri (përgjegjës grupi)
-Muhamet Hoxha – nga Gjirokastra
-Fidai Veliu – nga Fushë Bardha
-Kasem Shehu – nga Konispoli

“Kompania e 300-ve” në Maltë
“Kompania e 300-ve” në Maltë

Vetëm ky i fundit u shkëput nga grupi dhe desantoi në largësi. Duke qenë një zbritje e spiunuar, ishin porositur barinjtë të kishin kujdes. Më 26.07.1951, ora 10.00 një nga desantët pyeti një fshatar nëse shkonin florinjtë këtu. Fshatari dyshoi dhe spiunoi menjëherë. Po këtë ditë, ora 15.00, djaloshi Mihal Pano Gjika nga Senica që kulloste delet në mal, vërejti dy persona të dyshimtë të veshur ushtarakë, të cilët ishin duke u çlodhur. Lajmëroi Sigurimin në Vergo. Rreth orës 23.00 të po kësaj dite, në postbllokun e vendosur, ku ishin dy ushtarë dhe dy banorë të fshatit Senicë, vjen Kasem Shehu nga Konispoli, të cilit i kërkohet parulla. Meqë parullë nuk dinte, dorëzohet.
Më 27.07.1951 organizohet kërkimi në rrugën Tatzat-Kalasë dhe në drejtim të malit të Zhulatit. Në kërkim merrte pjesë populli i fshatrave Kalasë, Vergo, Senicë. Pas kërkimesh, njësiti i përbërë nga një kapter e dy civilë, diktoi Fidai Veliun dhe Riza Abazin, të cilëve u kërkoi të dorëzoheshin. Këta hoqën rrobat ushtarake dhe u veshën civilë. Rrethohen nga populli i Kalasës dhe nuk pranojnë të dorëzohen. Fidai pasi zbrazi gjithë plumbat, vrau veten me plumb në gojë. Rizain e kapën të gjallë dhe sipas dëshmisë së Muhamet Hoxhës, e tërhoqën zvarrë me litar, aq sa dha shpirt. Në rrethim morën pjesë gratë e fshatit Kalasë, ndër të cilat Ferko Rako (të cilën e kapi një plumb), i qëllonte me gurë desantët.
Më 27.07.1951, ora 7.00, mbi fshatin Varfanj, fshatari Mitat Cani takoi desantin Muhamet Hoxha, i cili i kërkoi ujë. Mitati njoftoi policinë e më pas popullin. Desanti vijon udhëtimin në Varfanj e takohet me bariun Bako Canaj dhe Kristo Velçon nga Kudhësi, të cilët e kujtuan ushtar dhe i folën. Desanti iu përgjigj: “Nuk jam shok, por amerikan, kam ardhur për të çliruar Shqipërinë”. Kristo i drejtohet i zemëruar për t’i marrë automatikun, me fjalët: “Shqipëria është e çliruar dhe ka Zot. Shqiptari-shqiptarin nuk e tradhton, por ti nuk je shqiptar, je amerikan”. Më pas u rrethua në përroin e Kardhiqit dhe u kap i plagosur. Muhameti (në foto), i mbetur gjatë në këtë histori, vuajti dy dënime duke bërë gati 23 vjet burgim. Kasemi vuajti gati 21 vjet burgim.
.
Marrë nga muri i fb i Kastriot Dervishit, 1 gusht 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.