back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Jusuf Gërvalla nën dritën e një studimi dinjitoz… – nga Jozef Radi – studimi i Emrie Krosit “Përmasa e Kohës së Përjetshme”

Gazeta

Emrie Krosi - Përmasa e Kohës së Përjetshme
Emrie Krosi – Përmasa e Kohës së Përjetshme

Jusuf Gërvalla nën dritën e një studimi dinjitoz…

nga Jozef Radi

studimi i Emrie Krosit “Përmasa e Kohës së Përjetshme”

mbi Veprën Letrare të Jusuf Gërvallës

Letersia
përpos shenjave të tjera etike dhe estetike,
i jep zë heshtjes dhe të pamundurve…
Behar Gjoka
.
Jusuf Gervalla - Vepra - "Faik Konica"
Jusuf Gervalla – Vepra – “Faik Konica”

.

Figura e Jusuf Gërvallës është prej atyre të rrallave ku vlerat e Njeriut, Shkrimtarit, Intelektualit dhe Aktivistit bëjnë jo vetëm një nyje të fuqishme po kanë lënë edhe një model të veçantë, të cilin shoqëria shqiptare e ka ende të vështirë ta kuptojë, ta pranojë e aq më pak ta lartojë…
Kur mbarova së lexuari studimin e gjatë të Emrie Krosit “Përmasa e Kohës së Përjetshme” një punim kushtuar veprës letrare të Jusuf Gërvallës, ndjeva një kënaqësi të plotë dhe një lehtësim shpirtëror, sepse dyshoja se mos edhe kjo sjellje e re s’do të mund ta kapërcente atë cak relativisht sipërfaqësor, mbi të cilin vërtitet kritika letrare rreth veprës së Gërvallës, nisur edhe prej misterit me të cilin është përcjellë kjo figurë komplekse, edhe sot 37 vite mbas ekzekutimit…
Puna e Emrie Krosit është një betejë e fisnike për të mbrritur sa më thellë në shpirtin artistik të Gërvallës, përmes një metodikë moderne, një analizë e detajuar e komponentëve kohë, vend e hapësirë, një gjuhe të re komunikimi mbi letrat shqipe, një frymë rigoroze për të mos anashkaluar asnjë sekuencë letrare të këtij personazhi misterioz të letërsisë, kulturës po edhe politikës, pjesë të cilën autorja me shumë kujdes është përpjekur ta shmangë prej tekstit, por jo prej nëntekstit të veprës.
Kur m’u kërkua leximi i saj, bëra një bisedë me autoren, i bindur se edhe vepra e saj s’do të kish mundur ta shmangte sipërfaqësoren… kurse sot, mbasi e mbarova leximin më duhet ta falenderoj me konsideratë, sepse më ka ofruar shumëçka të re, dhe më duhet t’i kërkoj ndjesë mbasi njohjet e mia kishin qenë më të sipërfaqëshme se kisha besuar…
Studimi i krejt veprës letrare të Gërvallës është filtruar jo vetëm me një frymë të re prej autores, po ajo e ka vendosur atë në shumë plane krahasuese, duke përdorur mjaft prej figurave më të ndritura të botës studimore gjuhësore e letrare, duke e ngjitur kështu punën e saj në lartësi të admirueshme, po edhe një model kritik, si duhet nisë të trajtohen figura të rëndësishme të kësaj letërsie, për të cilat faktorët jashtëletrarë vazhdojnë të rëndojnë tejet padrejtësisht mbi letërsinë shqipe…
Çdo përgëzim për punën e znj. Krosi do të ishte tejet i vakët, krahasuar me rendimentin që ajo ka luftuar të sjellë përmes kësaj vepre. Më duhet ta konsideroj një model i kritikës së thellë letrare, i asaj shkence që krejt pak rendiment të vërtetë ka sjellë në këto tridhjet vite postdiktaturë.
Sot, figura e Jusuf Gërvallës, përmes këtij studimi ka një monument letrar, jo si elozh, po si vullnet heroik për të mbrritur dinjitetshëm tek e vërteta letrare e një figure për të cilën jo vetën koha e vet s’mbrriti dot të ishte e denjë…
.
Jozef Radi, 16 janar 2019
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.