back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Naltmadhnia e Tij, Jusuf Gërvalla – nga Agron Gashi

Gazeta

Jusuf  Gervalla (1945-1982)

Naltmadhnia e Tij, Jusuf Gërvalla

(N’ditën e lindjes)

nga Agron Gashi

Kur ish dhanë lajmi për vrasjen e Frederiko Garsia Lorkës, nji bashkëkohas i tij, n’mes tjerash kish shkrue se: “…ky ishte lajmi ma i keq që kish dëgju ndonjiherë n’jetë, lajm ky aq i mnershëm për nji poet t’përmasave botnore dhe veprën e tij n’tanësi, tuj deklamu: Kjo asht’ nji vrasje mizore, kjo asht vrasje e atdheut n’miniaturë…” kish thanë ai, qi, ajme, emni i tij, tash për tash, s’po më kujtohet.
Po n’historinë kombeve kemi njoftë fatin tragjik të shumë poetëve. Me gjithë fatumin e tillë, të shumtët u rikthyen n’jetë nëpërmjet poezisë, si arti ma universal dhe ma përjetësues që mund t’bahet tash e tanaherët.
N’përgjithësi, veprën e Jusuf Gërvallës e konsideroj pjesë t’historisë së dhimbjes jo vetëm nacionale, por edhe universale po e morëm n’kuptimin ma t’zgjanuem.
Jusufin e njohëm n’jetë, por rinjohja ndodhi nëpërmjet literature. E, rinjohja mbas dekës nëpërmjet literature, thonë se asht’ pakti ma i fortë i autorit me lëçitësin e tij, të cilit Jusuf Gërvalla i la vepra letrarisht t’kullueta dhe artistikisht t’realizueme, gjith’motnë tuj marrë parasysh moshën e kohën kur ai nisi me shkru e botu.
Sot, vepra (letrare) e Jusuf Gërvallës merr trajtën e nji testamenti, që hyn në dialog të gjith’hershëm me të tjerët, tuj mbetun shenjë jete, shenjë pasioni, shenjë përkushtimi e përvujtnie. Kushtimisht, vepra e tij, në çdo fundvjeshte nis dialog të ri me ata që rriten, me ata që e trashëgojnë farën letrare që hodhi ndër mote.
N’veçanësi, Jusuf Gërvalla ma mirë se ku tjetër “bani dritë n’poezi”. Poezinë e Jusuf Gërvallës pâ n’kontekstin kohor e hapësinor, përgjithnji vjen më e ardhun si nga figuratika në t’menduem, ashtu edhe për nga stilistika në t’shprehun, gjithnji tuj latue vargun e tuj shkri fjalën.
.
Jusuf Gërvalla dhe pasioni i tij për muzikën
Jusuf Gërvalla dhe pasioni i tij për muzikën
Që nga librat poetikë “Fluturojnë e bien” (1975), “Kanjushë e verdhë” (1978) e deri të “Shenjat e shenjta” (1979), Jusufi bâni poetikën e tij me stilin e zgjedhun, temën dhe topikën mbi figurat-simbole për t’ba nji poezi tipike të antroposit, me sendet qi flasin tamam si n’kallëzime e gjalla për vendin e lindjes.
Jo rastësisht, për fatin e tij dhe t’nji kombi, n’poezinë e tij çojnë krye dy figura poetike të antroposit dhe etnosit, të frymës e t’objektit; Nana dhe Shpia. Ky binom i fortë poetik i Nanës dhe Shpisë asht’ sall nji çilës q’i hapë derë zbërthimit e interpretimit të poezisë së tij.
E para identifikohet me figurën e Dheut të Nanës, n’tanësi; me dhimbjet e lektisjet më të mundshme; e dyta identifikohet me vendin e lindjes n’veçanësii; me kujtimet për muret, gurtë, trarët dhe reflektimet për ta.
Jusuf Gërvalla asht’ poeti që ka njoftë shembullin e njerit të burrnuem n’kohë, e që lën modelin e amanetit t’dukagjinsit t’hershëm, si testament shpirtnor, e në rastin konkret, vargnimet si testament poetik.
Si i tillë, Jusuf Gërvalla e ban ma të fortë paktin poetik n’disa hallka strukturuese; poezia e tij herë nis si rrëfim për vetin dhe vendin e lindjes, e hera-herës besa del edhe si dialog me të tjerët, me t’gjallë e me t’dekun, për t’u shndërru në dialog t’përjetshëm.
Gjithsesi, esencialiteti n’poezinë e këtij autori naltësohet mbi t’munguemit e lirisë, e t’kërkimit “të fytyrës së plotë të atdheut”.
.
Jusuf Gërvalla (1945-1982) - skicë nga Uran Limani
Jusuf Gërvalla (1945-1982) – skicë nga Uran Limani
Jusuf Gërvalla me veprën “Rrotull” (1983) zgjedh tema e topose, motive e arkimotive, tuj ba përpjekje për me shkru tipik romanin e personazhit, roman ky që autorit do t’i bajë ven n’qarkun kulturor të njerëzve t’letrave qi rrahin pa ndâ e thekshëm “prozën e pasionit e t’zanatit”. Tej ksaj, për ta përthye idenë socio-politike, tuj e shtru fatin e individit dhe të kolektivitetit n’dramën e frymës nacionale “Procesi” (1984).
Nuk asht’ aspak kreni të thuhet se edhe autori i këtyne radhëve disa herë asht’ sfidu në ndonji rol gjatë vënies në ndoni skenë amatore po kët dramë.
Vepra e tij, tuj qenë e gjanë dhe e larmishme, qet në pah figurën shumëdimensionale të Jusuf Gërvallës: publicistin e regjun dhe kangëtarin e ndjenjës së hollë, që hera-herë ka mall me i përngâ Nerudës, e herë Lorkës, tuj rrokun mbas krahu gitarën diku n’mbramjet vetmitare, me partiturat e Paganinit nën sjetull, për “t’i dridhun telat e zemrës: randë e randë, ambël e hareshëm, alegro con esperanca…” siç tha edhe vetë në reportazhin letrar kushtue shoqit t’jetës e t’pasionit, Ehat Musës.
N’tanësi, vepra letrare e Jusuf Gërvallës asht’ shpirti i tij i gjallë i mbetun n’jetë, asht’ zani i tij prej kangëtari, poeti e prozatori, muzikanti e piktori, asht’ zani i thellë i medituesit të madh.
Njashtu pra, përveç n’jetë edhe n’krijimtarinë e tij kemi njohun tipin e njerit kryenaltë – militant dhe t’heshtun kur e kërkonte nevoja; kemi njohun tipin e “uraganit të ndërprerë” (dha shpirt 37 vjeç), që dekën e hershme e shpall personalisht, ndaj lën veprën si shenjë emnit të padekshëm.
N’këtë mënyrë, ai u bâ model n’jetë e ‘yrrnek’ n’letërsi, bile tuj na inspiru ballë sfidave të kohës, n’luftë e n’paqe.
Shembulli i njerit të tillë, model për kulturën e sjelljes n’jetë dhe n’letra, ishte dhe mbetet poeti meditant, prozatori modern, publicisti i mprehtë, polemisti i thekshëm, kantautori dhe muzikanti fin, atdhetari dhe vizionari i madh, naltmadhnia e tij, Jusuf Bardhosh Gërvalla, që t’i rrxon përdhè tana teoritë për Dekën e Autorit.
Kujtue n’vjeshtën e dytë t’vjetit 2005

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.