back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

28 mars 1997 – si ditë e pendesës dhe e pajtimit – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Kateri i Rades - Ndryshkja e Vdekjes
Kateri i Rades – Ndryshkja e Vdekjes

28 mars 1997 – si ditë e pendesës dhe e pajtimit

nga Gëzim Zilja

Një shkrim që të bën të lotosh, një shkrim tepër realist,
për një tragjedi si shumë e shumë të tjera që ndodhin
vetëm tek ne dhe politikanët as që duan t’ja dinë!
E pakta që mund të bëjnë le ta sjellin në Vlorë atë anije
dhe ta shpallin 28 marsin si ditën e madhe të pendesës e pajtimit!
Ajo anije së bashku me veprën e artit të talentuarit tonë Agim Sulaj
le të vendosen në një vend që gjithmonë të kujtojnë
njerëzit fatkeq dhe mijra emigrantë
që u larguan për një jetë më të mirë!!!
Stefan Basko
.
Kater i Raders - Pjese filmi
Kater i Raders – Pjese filmi
Natën e 28 marsit të vitit 1997, anija e quajtur Kateri i Radës, i mbushur kryesisht me gra e fëmijë u nis nga Porti i Vlorës për në bregun italian. Nga 105 fatkeqë në barkun e saj, të gjallë mbrritën një e pesta. Anija e nxjerrë pas katastrofës nga thellësitë e detit Adriatik, u la në harresë në tokë, diku në hapësirat e portit të Otrantos.
Gjashtë vjet më parë, i quajturi Costas Varotsos,“Kateri i Radës” u ekspozua, në bregun ku nuk u sos dot “i gjallë”, në Otranto, një qytezë në brigjet e Adriatikut. Relikja e nxjerrë nga tetëqind metra thellësi u shndërrua në një monument, në një vepër arti nga artisti grek Costas Varotsos, i cili ditën e inaugurimit u shpreh midis të tjerash: “Mundësinë për të transformuar tragjedinë në një vepër arti e pashë si një mundësi të madhe. Ka një shprehje shumë të përhapur në vendin tim që vjen nga antikiteti: “Nuk mund të ekzistojë e mira nëse nuk është dhe e keqja. Nga e keqja vjen e mira…!”. Po atë ditë më 29.1.2012, kryebashkiaku i Otrantos, Luciano Carridi, do të shprehej: “…Historia ndonjëherë shkruan faqe shumë të trishtuara, edhe Kanali ynë ka asistuar tragjedi të dhimbshme, të cilat vështirë t’i harrosh. Por ne nuk duam të harrojmë, përkundrazi. Duam t’i kujtojmë ato momente. Mendoj se është e drejtë të ruajmë kujtesën.”
Artisti grek dhe kryebashkiaku italian u shprehën qartësisht se çfarë i frymëzoi për të ngritur atë anije të vogël patrulluese në vepër arti: për të mos harruar, për të pranuar fajin, për të ecur para, duke mësuar nga e kaluara.
Kam shkruar disa artikuj atëherë, kur u nxor anija, pse ky monument, duhet të vendosej në portin e Vlorës e jo në atë të Otrantos, por kot e kot. Nga dyert e rënda të Bashkisë së Vlorës, parlamentit, kryeministrisë, presidentit apo ndonjë miliardari të postdiktaturës nuk mundi të hyjë e as të dalë ndonjë kërkesë, angazhim apo të ndizej ndonjë shkëndijë patriotike, që kjo anije të sillej në Shqipëri.
Ardhja në Vlorë e arkivoleve me trupat e viktimave, njëzet vjet më parë, do të kthehej në një manifestim të jashtëzakonshëm, ku nuk do të mungonin lotët dhe premtimet. Ata që u morën me organizimin e transportit dhe varrimin e viktimave u betuan për hakmarrje e drejtësi. Në varrezat e qytetit, sipas idesë së komisionit, në një parcelë të veçantë ashtu në rresht, me varret e njëllojta, me një pllakatë në krye, si ushtarë të rënë në luftë, do të preheshin përjetë trupat e fatkeqëve. Nderet nga politikanët vazhduan nja dy vjet. Vitet në vazhdim ata që i zuri halli e fatkeqësia, shkojnë rregullisht në varreza ose hedhin tufa lulesh në det, në kujtim të të afërmve. Ndërsa politikanët, që ndërsenin turmat ditët e ngjarjeve, nuk janë parë të bëjnë ndonjë homazh. Po edhe sikur ta kishin kthyer në një vend pelegrinazhi e të vinin çdo vit, një varrezë masive në qytet, nuk është një monument dhe njëra nuk e zëvendëson dot tjetrën.
.
Locandina e Kater i Rades
Lokandina e Kater i Rades
Ishte një kohë kur shqiptarët nga padija dhe babëzia për të fituar para, pa punuar, ua besuan kursimet e tyre firmave të drejtuara nga sharlatanë e mafiozë. Kur ato ranë, njerëzit dolën në protesta, duke bërë me të drejtë fajtore qeverinë, por pa e drejtuar asnjëherë gishtin nga vetja. Por ajo që do t’i çmendte njerëzit, që do të merrnin në dorë urat e zjarrit dhe do t’i hidhte në luftë kundër njëri-tjetrit ishte politika. Pas kësaj çmendurie apo revolucioni, që mund të quhet “marrëzia e një populli të paditur”, asgjë nuk ndryshoi në politikën shqiptare, asnjë mësim nuk u nxor. Ata që erdhën në pushtet dhe të tjerët më pas, harruan premtimet për një shtet të së drejtës dhe si përherë u vërsulën të zhvatnin ç’të mundnin, duke e kthyer qeverisjen në një karikaturë të demokracisë.
Shoqëria shqiptare pas ngjarjeve të vitit 1997, vazhdon të jetë e zhytur në një krizë morale, politike dhe ekonomike, që vjen e thellohet deri në ditët tona. Njerëzit shohin me trishtim dhe pesimizëm, që shkaktarët e nëntëdhjeteshtatës shkojnë e vijnë në pushtet, duke sharë e akuzuar njëri-tjetrin për tradhti, vrasje, korrupsion, babëzi etj. etj.
Jo rastësisht ne shqiptarët jemi më të vonuarit e Europës. Ne shpesh harrojmë, falsifikojmë, madje nëpërkëmbim historinë tonë, nuk shikojmë rrugën nga kemi ardhur, largohemi nga e keqja dhe nuk e dënojmë atë. Ne nuk kthehemi asnjëherë nga vetja, nuk lodhemi së urryeri “atë tjetrin” si shkaktar të të këqijave që na pllakosin, prandaj do vazhdojmë të vuajmë, të mbetemi të varfër e të përçarë. Qindra e qindra emisione e biseda televizive janë zhvilluar nga analistët e politikanët pas vitit ’97. Është folur edhe për tragjedinë e mësipërme nga këndvështrime të ndryshme por as edhe një emision i vetëm nuk u bë për sjelljen e “Katerit” në Shqipëri. Të paktën të ngrihej si problem se jam i bindur që do të gjendeshin aq shqiptarë që do të paguanin shpenzimet e transportit.
“Kateri i Radës” është një shpirt, (jo vetëm një grumbull metalesh), një simbol i qindra mjeteve lundruese, që u përdorën nga shqiptarët, kur zbuluan Tokën e Premtuar, është një pjesëz e dhimbshme e historisë së trishtë shqiptare. Ky shpirt endet e endet varrezave të Vlorës, detit Adriatik, e gjithë Shqipërisë pa gjetur prehje e ngushëllim. Fundja le të shkojmë, kur të mundemi atje në Otranto e ta shikojmë monumentin. Ata që e shkaktuan ose kishin gisht në tragjedinë për t’u lutur e qetësuar ndërgjegjen, të tjerët për të njohur historinë e gjyshërve dhe baballarëve. Ndryshe, le ta shpallim 28 marsin e vitit 1997, ditën e asaj tragjedie në Ditën e Pendesës. Krahas festave të shumta, që edhe kur nuk janë të tilla i shpik parlamenti, le ta caktojmë 28 marsin, si Ditën e Madhe të Pendesës dhe të Pajtimit.
.
Marrë nga gazeta “Mapo”.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.