back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Si nji legjendë 27 Prill 1451 – 1938 nga Lazer Radi (1938)

Gazeta

Lazër Radi 1940
Lazër Radi 1940

Nji delikatesë personale

mbi Mbretin dhe Mbretneshën e Shqiptarëve

nga Jozef Radi

Ky shkrim i Lazër Radit, asht botue në nji numër special të gazetës “Shtypi”
Ishte fundprill i vitit 1938, kohë kur Mbreti Ahmet Zogu i I do të kunorzohej në martesë me princeshën hungareze Geraldinè Appony… në t’njejtën ditë që ishte martue Gjergji i Kastriotëve me Andronikën e Aranitëve…
Ishte nji festë e madhe ndër shqiptarë simbas dokumenteve të asaj kohe… po njiherit ishin edhe ditët e tij të fundit si maturant i Gjimnazit e Shkodrës dhe prespektiva e vazhdimit të studimeve të nalta, diku jashtë shtetit ishte e zymtë… Familja e tij në Tiranë ndodhesh diku afër me rezidencën e Zonjushës Appony, dhe ai e kish vërejtë shpesh at zonjushë fisnike dhe ushqente mjaft simpati ndaj saj, dhe kur u hap fjala se ajo do t’ishte Mbretnesha e ardhshme e Shqiptarëve, simpatia ndaj saj u ba edhe ma e madhe, sepse ishte i mendimit se zgjuarsia, mirësia dhe fisnikëria e asaj gruaje do të linte gjurmë jo vetëm te Mbreti, po edhe në krejt frymën e Shtetit Shqiptar…
Ndërsa shkruante kët elozh për Mbretëreshën e Ardhshme, për Lazër Radin ishin kohë të vështira provash… po edhe kohë me vù në dukje krejt energjitë e tij për sigurimin e nji bursë me mbështetjen e Shtetit Shqiptar, mbasi me mundësitë e veta s’kishte asnji shans.
Kështu që ai besonte te ky shkrim… mund t’ishte nji çelës për me fitue simpatinë e çiftit Mbretnor dhe me u përkrahë sado pak n’ato ethe të ndjekjes së studimeve universitare…
Ky shkrim e ka edhe kët frymë mbrenda…
Fakti asht se as Mbreti dhe as Mbretnesha s’e ndihmuen në vazhdimin e asaj andrre të shkollimit që kishte në shpirt… do të ishte nji tjetër grua, që do ta ndihmonte dhe do të bahej Ajo garante e vazhdimit të shkollës së tij… Quhej Dona Maia, e shoqja e Francesko Jacomonit…
Pjesa tjetër asht histori e nji përpjekje e pandërpreme e këtij njeriu për me çà në jetë… veç me shpatullat dhe zotsitë e veta…
30 gusht 2013

Geraldinè Appony (1915-2002)
Geraldinè Appony (1915-2002)

Si nji legjendë

27 Prill 1451 – 27 prill 1938

nga Lazër Radi (1938)

Nëpër errësinën e Jetës eca shumë… eca pa pushue e pa drejtim.
U futa në delirium të ri.
Pa pritë e pa kujtue u gjeta përpara nji Dere të Madhe. Ah! Sa bukur ishte! – Pranë saj nji plak, nji plak me mjekërr të bardhë si bora: dukej si profet. Ay mbante ndër duer nji Libër të Madh, – nji libër të shkruem më shkronja gjaku…
Dhe plaku trokiti në portën e madhe.
Dhe dera u hap.
Nji dritë ma e madhe se Drita e Diellit – nji dritë sferike – m’i mori sytë. Unë treta… dhe u rrzova përdhè.
Si në kllapi ndigjova nji kangë. Nji kangë, e cila dukej sikur delte prej ndo’i kori Engjujsh. Ishte kangë qiellore, – e unë, e ndijshe si në vegim…
Porta e Madhe u hap. Përtej, dukej nji Paradiz i vërtetë. Prej andej m’afrohej nji Vashë e hijshme. Ishte ma e bukur se bukurija, ma e ambël se ambëlsija, ma e dashun se dashunija. Ftyra e saj ishte nji freski e përsosun, – ishte si mëngjesi kristalor i nji prendvere shqiptare. E veshun ishte me nji palë rrobe të bardha si zambaku, dhe parzmin e kishte t’stolisun me argjand e ar. N’ballë, si nji aureolë magjike, i qindronte nji kunorë lulesh të njoma ngjyrëplote…
Kjo nymfë e panjoftun m’u afrue. Më foli me nji gjuhë plot tinguj e aromë. Më foli me nji gjuhë të melodijshme si melodija e bilbilave ndër mëngjese maji.
-Djalosh andërrtar, i tretun në kët vetmi mbytëse, kushdo qofsh, eja me mue, Atje ku mbretnon Drita e Kanga. Eja, atje asht Shqipnija.
-Shqipnija Atje? Ah! O, vend i të parve të mi?
-Ti qenke shqiptar?
-Po.
-Oh, vlla.
-Eh, Motër…
E u përqafuem me mall, njashtu si përqafohen vlla e motër në çastin kur takohen mbas nji ndamje të gjatë.
-Vlla, eja të hyjmë në Shqipninë e Re. Vlla i tretun, eja dhe gëzo edhe ti bashkë me ne. Gëzo në kët ditë fatlume.
Dora-doras, unë dhe ajo, ecëm bashkë…
“Gëzohu edhe ti bashkë me ne!” – a thue me t’vërtetë gëzon kush në kët Jetë?…
Ju afruem Derës së Madhe.

Ahmet Zog i I dhe Geraldinè Appony 1938
Zogu i I dhe Geraldinè Appony 1938

Plaku – profet rrinte pranë saj pa thanë kurrnji fjalë. Pyeta Vashën:
-Kush asht ky plak?
-Asht Historija që në kët çast të madhnueshëm po troket e po hyn në portën shqiptare…
Hymë mbrendë dhe, “Tinguj gazmorë e Tinguj hyjnorë Mbulojshin qiellin dhe brigjet e kaltëra t’Arbnisë së lumtun. Kjo symfoni e gëzueshme e jetdhanëse naltohej nalt, fort naltë, der n’apotheozë. Kambanat e lumtunis rrahshin e tingullojshin ndër viset e gjelbra të vendit t’im. Tingullojshin kambanat, rrahshin zemrat e gazmojshin njerzit.
Vasha – nymfë, buzëqeshte bri meje. Në buzët e saja shpërthente nji gaz engjujsh.
-Shqipnija, ah! Sot qenka nji botë e re melodije, nji botë aromash, nji botë gëzimi, kangësh e vallesh.
-A shef, – m’tha Vasha, – atje përtej, atje larg, asht nji botë njerzish – kangë e hare?
-Po.
-Atje do të shkojmë.
Sëbashku u nisëm për atje. Kaluem nëpër lulishta përrallëzore. Kur qe, diku midis nji lulishte plot hije – drita shumngjyrshme – midis nji drite edhe ma të madhe se ajo e vendit t’im, dallova dy “Aureola”.
I habitun e pyeta Vashën-nymfë:
-Kush janë ata?

Pullat e Dasmës Mbretnore
Pulla te Dasmës Mbretnore

-O vlla, asht Skënder’i i Ri, asht Mbreti i im dhe Mbreti i yt; Ajo pranë Tij asht Mbretnesha Geraldinë, asht Kryezonja Shqiptare. Sot Kunorzohen. Venë kunorën e lumnueshme të Kastriotëve, si dikur Skënderbeu me Andronikën. Qe, kjo asht arsyeja pse shpërthen “Kanga e gëzimit” ndër fëtyrat e të gjith shqiptarëve… Ja pse vallzojnë e rrahin tanë gëzim zemrat e vashave të reja.
-Kunorzohen…
Ah! Fjala m’u pre prej gëzimit të papritun.
Në gji m’gufonte nji poemë e madhe, nji Kangë lavdije; Kanga e gjakut shqiptar…
U futa në mes të vllazënve të mi dhe treta atje… atje mes tyne humba dhe atje, u shkrina në dashuninë e tyne…
Tinguj… tinguj të hovshëm i mbuluen brigjet e kaltërta t’Arbënisë së lumtun. Kjo symfoni gëzimi e Jete u naltua nalt, der n’apotheozë dhe i uroi Kryezotit e Kryezonjës Shqiptare, Jetë të gjatë, Trashëgim e Lumtuni…
(Prill 1938, “Shtypi” pa vit e pa numur; numur i posaçëm, i rrallë, faqe 3)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.