22 Marsi i 1969… në kujtesën time nga Niko Ljarja

Inxhinjeri Kimist - Gaspër Ljarja

Inxhinjeri Kimist – Gaspër Ljarja

22 Marsi i 1969… në kujtesën time

nga Niko Ljarja

Sigurisht që çdo vit e kujtoj jo pa dhimbje datën e 22 Marsit të 1969…
Çastet e jetës që kalonka njeriu qenkan sa të çuditshme aq edhe të paharrushme. Ndonëse kanë kaluar shumë e shumë vite përsëri i kujton ato ngjarje që të çojnë në gjatësinë e valës së dhimbjes së atyre viteve…
Sigurisht ka edhe shumë njerëz të tjerë që në kujtesën e tyre kanë data kalendarike të ndryshme nga kjo e imja, por të gjitha këto lloj datash mendoj konvergojnë në një pikë të përbashkët: Të mbushin me dhimbje kur i kujton…
Njeriu në foto është babai im inxhinjeri kimist Gaspër Ljarja, ish inxhinjer i së famshmes Fabrika Birra Korça… i diplomuar në universitetin e Bolonjës në Itali për inxhinjeri kimike. Me marrjen e diplomës ai mbroi dhe mori edhe titullin Profesor më vitin1933.
Gaspër Ljarja në personelin profesorëve të Gjimnazit të Shkodrës

Gaspër Ljarja në personelin profesorëve të Gjimnazit të Shkodrës

.

Mbasi kthehet në Shqipëri emërohet fillimisht në gjimnazin e Shkodrës, e më vonë drejtor i këtij gjimnazi… Menjëherë mbas fitores së komunizmit, në vitin 1945, emërohet e rivë në punë fabrikën e vaj-sapunit në Ujë të Ftohtë në Vlorë… Krahas punës së kësaj fabrike kryente dhe mbulonte analizat kimike të Kuçovës, frigoriferin e Durrësit e Fabrikën e Vajin në Elbasan… që në ate kohë kryente rafinimin e vajit të ullirit… ku sigurisht dihej që në atë kohë të vështirë çdo dështim që mund të të ndodhte quhej “sabotim” dhe pasojat diheshin…

Në vitin 1948, transferohet në Korçë ku rifillon prodhimi i së famshmes Birra Korça… fabrikë e ndërtuar nga italianët në 1927…
Punë e cila vazhdoi deri më 22 Mars të vitit 1969.
Në 1960, së bashku me inxhinjerët sovjetikë vë në punë dhe prodhojnë birrën e parë Tirana…
Rreth një vit më vonë po në Tiranë eksperimenton dhe prodhon majanë e parë të birrës në vend… deri atëhere e importuar nga Çekia…
Mall që u hoq nga importi!
Gjithashtu mbas një studimi ka kultivuar me sukses në Pogradec… lupolon… një element shumë i rëndësishëm për prodhimin e birrës. Edhe ky vinte nga Çekia… u hoq nga importi.
Gjithashtu gjatë viteve 1962-1963, ka vënë në punë dy fabrika moderne të huaja të asaj kohe për prodhimin e verës dhe rakisë, në Korçë e në Pogradec.
Gasper Ljarja qe edhe Kryeinxhinjer i ndërmarjes ushqimore Korçë e Pogradec…
.
Gaspër Ljarja, midis specialistëve

Gaspër Ljarja, midis specialistëve

.
Pikërisht më 22 Mars 1969, mbas gjithë atyre viteve kontribut dhe asaj pune të suksesshme të kryer prej tij… prej konjukturave politike të asaj kohe arrestohet në moshën 60- vjeçare… Në të ashtuquajturin “Grupi i Polakëve” Grup politik i sajuar për konjukturat politike të atyre viteve, ku mjaft njerëz u dënuan nga Gjykata e Lartë në një gjyq të montuar dhe qesharak!
Mbas gjithë asaj pune që kishte kryer nga viti 1945 deri në 1969 në industrinë ushqimore të asaj kohe, në moshën 60 vjeçare Partia e shpërbleu me 10 vite burg…
Kreu dënimin e plotë në Burgun e Ballshit e mbasi doli nga burgu në 22 Mars 1979, tashmë në moshën 70- vjeçare… Vdiq mbas 5 javë mbas u lirua!
Për aftin tonë të mirë autoritetet e Korçës së asaj kohe me familjen tonë nuk u sollën keq… unë dhe mamaja… dmth nuk patëm pasoja plus… kështu mundëm ta vazhdojmë jetën tonë të përditshme, tani sigurisht me një status tjetër… që ishte i njohur për atë kohë…
Sapo kisha mbaruar gjimnazin e sigurisht që isha i ndërgjegjshëm që unë tani e tutje duhej të sakrifikoja çdo gjë e të mos kërkoja më asgjë…
E dija shumë mirë filozofinë e atij sistemi që kur të ndodhte një fatkeqsi e kësaj natyre, duhej ta ngulisje mirë në kokë e të mos kishe asnjë iluzion… e ta zbatoje mirë në vetveten tënde vargun e famshëm dantesk…
.
“O ti udhëtar që kalon nëpër këtë derë
harro çdo shpresë e braktis çdo ëndërr…” etj. etj.
.
Një varg i rëndë, por i vërtetë për atë kohë e duhej zbatuar mirë që të mbijetoje… Kështu që nga ai moment e mbrapa duhej të harroja çdo gjë apo ëndërr që përbënte mosha ime 19 vjeçare…
Falë Zotit gjeta forca e fshiva çdo gjë nga mosha ime për të hapur tash e mbrapa një faqe të re komplet tjetër të jetës time të më pastajme… të cilën mendoj që jo pa dhimje e sakrificë e përballova me sukses… Të gjithë ata që më njohin besoj që e vërtetojnë këtë gjë…
Kurse sot mendoj për të gjithë ne që kaluam nëpër këtë rrugë dhimbjesh është e pavdekshme thënia e Dostojevskit: “Më jepni një dhimja t’ju jap një roman…!”
.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook