back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

21 Marsi i Poezisë… 10 Poetë – 10 Poezi

Gazeta

21 Mars 2016 - Dita Ndërkombëtare e Poezisë
21 Mars 2016 – Dita Ndërkombëtare e Poezisë

21 Marsi i Poezisë

21 Marsi, asht prej vitesh Dita Ndërkombëtare e Poezisë...
Gjithkund, ndër sheshe, ndër salla, ndër klube letrare e rrethe miqsore lexohen vargje pafund poetësh të gjallë po edhe poetësh të përjetshëm…
Sigurisht edhe shqiptarët janë fis poetësh të fismë, po edhe vend lexuesish të zellshëm të poezisë… jo vetëm të asaj të poetëve të tyne po edhe krejt majave të poezisë botnore…
Ne nuk kemi tragjedi ma të madhe, (ende të pashkrueme), se Tragjedinë e Poetëve… kështuqë leximi dhe përcjellja e poezisë asht si të thuesh edhe nji lloj amaneti i tyne, që në të ardhmen të mos përsëriten kurrë ma tregjeditë si plojë poetësh…
Të dhjetë poetët e përzgjedhun prej meje për kët cikël, gëzojnë respektin tim ma të madh, dhe mund të them se pjesa ma e madhe e tyne, i kanë shkrue këto vargje nëpër botë… nisë prej Romës e Stokholmit, prej Athinës e Amsterdamit, prej Londrës e Vjenës, prej Nju Jorkut e derei nv skaje të Atdheut...
Nji gjeografi po aq sa e trishtë aq edhe shpresdhanëse… pse tregon që shqiptari i hikun nëpër botë për njimijë arsye, ka marrë me vedi jo vetëm gjuhën shqipe po edhe shpirtin poetik të dheut të vet, pa lanë asnji dyshim se shqipja poetike ka me qenë edhe shpëtimi i tij, kudo që ta përplasin stuhitë e jetës…
Nji urim për gjithë poetët shqiptarë në Ditën e madhe të Poezisë…
jozef radi, 21 mars 2016

Gëzim Hajdari
Gëzim Hajdari

Gëzim Hajdari

I lë këto vargje si një lamtumirë

I lë këto vargje si një lamtumirë,
gëlltitur nga lakuriqësi e kujtesës,
duke e ditur se bota s’ka nevojë për të.
Përshëndetjen time me dorën që dridhet,
tej në fundin e yjëzuar,
askush s’e vë re.
Horizont i përkohshëm,
mbështetem tek uji yt i ftohtë
e gërryej ballin tënd prej qielli të errët.
Braktisur në mjegullën e dendur
s’di se nga vij as ku shkoj,
rrethoj borëra që më rrethojnë
në dorë të zogjve të zinj.
Dua ta di kush më ndan nga kjo tokë e çmendur
e ç’fund do të ketë hija ime përtej ujit,
shiu që bie në shi
e perënditë midis drurëve.
Në rresht pranë të ftohtit e fatit
pres të më thërrasin në agim nga gurët
fytyra të zbehta e zëra të ngjirur.
Emri im linjë që ndan
dritën nga terrina,
trupi im metër midis rërës e qiellit.

Entela Tabaku - Sörman
Entela Tabaku – Sörman

Entela Tabaku Sorman

Sa herë kthehem

sa herë kthehem
ndalem para liqenit
zgjas duert drejt tij
e mbledh krejt
e baj top
e shtrij në peta
e holloj
e mbledh sërish
e hedh përpjetë dhe e pres
e gjuej nga një dorë në tjetrën
e giciloj
derisa nis e qesh
s
a qeshet liqeni
kur e kam kështu në dorë
e më kthen herë fytyrën
herë qafën
me e puthë
atëherë
atëherë unë e harroj se asht i tanve
e lëshohem krejt në të
e duert më bahen liqen

Autori Gjergj Jozef Kola
Gjergj Jozef Kola

Gjergj Jozef Kola

Të kam mendu sot

Të kam mendu sot
preshëm
siç mendon njeriu gjanat e bukura
që janë larg
mandej nisa tuj qeshë me vedi
tinzash
siç ban pranvera kur fryn era
e ja merr tana lulet e bardha qershijave
dhe i ban shami lamtumire
nëpër asfaltin e hangun.

Sot i kam fshi lotët e mallit
me fytyrën tande
që nuk e mbaj mend ma…
Vjenë 2016

Arjola Zadrima
Arjola Zadrima

Arjola Zadrima

Mon amour

Mbas rrebesheve të duerve tueja,
fle paqja,
në jastëkun e djegun ku s’pushojmë asnjiherë.
Ti vjen i ngrohte,
n’hovin djaloshar kalon kodra,
lugina,
veç malet ta ndalin vrullin e pllambëve,
dhe t’i ngjisin buzët,
dersa fryma mbet peng i qiellzës,
fytit e thithkës.

Mon amour
fle mbi supe, andrra e zdeshun prej nesh,
ramë në tokë si farë,
lindun bime,
filiz… jeta rrah që kur ke ardhë…

Mon amour
A të kam thanë se përbahesh prej meje?
A e ke pa sa herë s’jam – je natë pa hanë,
pemë pa rranjë në pragjet e qytetit tem?!
Ah, mon amour,
lkura me bjen sa herë shkon,
e mbledhi jargët tueja me shëru plagt e buzëve,
mundem me të rrëfye që jetoj
aq sa zgjat akustika e nji puthje…
Shkodër 2016

Leon Lekaj
Leon Lekaj

Leon Lekaj

Kur të vij tek ti

Kur të vij tek ti
Më prit tek dera e harrueme
Që të shkarkoj yjet e lagësht
Gjurmët e kualve të erës
Dhe rrugën e dritës.

Aty do djegim membranën e pritjes
Cipë e hollë birueme gjithkâh
Prej zânit të hupun brenda vedit.

Në orët e pendueme
Heshtjen do ta varim në muzgun e mbrâmjes
E do rrokemi me fjalët që s’mbërritën kurrë
Deri në lodhje,
Ku tretet gjumi në àg.

Ne të dy kem’
mâ shum se nji hán’, e dashtun
E, asht mkàt me hupë dritën
Që çel udhën e shpirtit.

Elona Culiq
Elona Culiq

Elona Culiq

Frymë përmbi frymë

Frymë përmbi frymë
asht lutja e pamësueme
që drejt teje vjen
e brishtë
si stinë e porsalindun.
Duervogla
ku lexohen andrrat
e qiejve të mëdha.
Lutem,
thuej diçka,
përndize agun e zhgunit
me t’cilin kam lindë
e krejt çka s’jam
do të shprazet
në dimnin e kësaj ode.
Jam e paftuemja e stinës,
trokitja e papritun e derës,
vakt i lugëve t’zbrazuna, që,
ngutem,
lutem,
unjtem,
hapma terrin
jam zonja e mishit dhe gjakut,
kam ardhë për nji shkulm dritë.
Shkodër 2016

Jozef Radi 2000
Jozef Radi

Jozef Radi

Ikjet e Përtejme

Prej nji vendi të vogël iket
mos me i lanë andrrat pa horizont
po edhe horizontet mos me i lanë pa andrra
iket pa e ditë se ku
po sot s’mundem me thanë
se jemi tanë t’ikun veç për andrra…

Drejt nji vendi të madh shkohet
pse krejt shumësia e viteve mbi shpinë
s’na paska mjaftue
me e lexue dhe me e përkthye vedin
as botën njashtu si duhet…

N’nji vend tejet të madh shkohet
mos t’kesh ma kujt t’i ankohesh,
e ta kqyrish vedin n’at përmasën e vërtetë
pa iu përqurrë ma askujt
për andrrat, rrugët, dështimet
se ma përtej me ikë s’ke tjetër…

Desantila Qerimaj
Desantila Qerimaj

Desantila Qerimaj

Vjeshtë…

Kaloj përmes teje, me shikim të thyem
mes gjethve të shplamë që kan me nisë me u gërrye…
Ti ke me ardhë tue lajmërue, e un gjithmonë pres,
si nanë e butë, që s’ka nevojë me ja kujtue vedit
përkujdesjen për dhomat me pak dritë
akordet e ndjeshme lëkundë deri në rrëzim,
perdet e syve ndryshe për çdo emocion
mungesën e fjalëve, e shtatin e qytetit zymtue.
Ti je ditari pa germa, shija që m’i kujton trupit
tempujt e të vërtetave të dhimbshme, detet,
…zbaticat e lëkurës, si kambë që s’ecin má.
Mundem me të pasë…
Jo kot gjendem, në melodinë tande
që mbjell stinë që dona me dashtë.
Ti mbyt çdo gja mrendë kutisë ku shpirti ruen
lulet vjetrue, lindun qysh në mars, brengë e vogël
kthye ma vonë në gëzim që ka me vdekë.
Kaloj përmes teje… por ti ke mbrritë
aty ku s’ka ma vend për kohë,
përtej meje…

Shkrimtari Rezart Palluqi
Rezart Palluqi

Rezart Palluqi

Vdekja!

Shpirt! Vdekja nuk është gogol, as vampir as shtrigë.
Vdekja është thjeshtë një trup i pa përqafuar,
buzë të pa puthura dhe sy të pa qeshur!
Qenie të tilla fatkeqe ajo i merr me dasëm.
Njeriu i padashuruar është si foshnjë para saj!
Dridhet teksa ajo e ledhaton me duart e saj të akullta.
Skeleti i tij mijravjecar gjithmonë do të ëndërrojë
për mungesën e puthjeve, përqafimeve dhe qeshjes.

Por vdekja shpirt, tmerrohet prej trupeve të përqafuar.
Sa herë ti më puth, përqafon apo buzëqesh,
në lëkurë më mbijnë gjemba të kaltër, të mprehtë.
Janë gjemba magjikë, i shpojnë fare lehtë
dorezat e trasha dhe këpucët e zeza të vdekjes.

Sa herë ti qan pranë meje,
nga gëzimi apo hidhërimi, kusia ime mbushet me lot.
Etjen time e shuaj me to, ndërsa vdekjes i plasariten keq buzët.
Në kusinë e saj nuk pikojnë lotët e dashnorëve të përjetshëm.

Puthmë o zemër! Përqafomë sa më gjatë e më shpesh!
Trupin ma mbush me mijëra gjemba mrekullibërës.
Atëherë vdekja trupet tonë
nuk i ngre dot në kurriz si thasë me kashtë.

Nesër, midis skeletëve tanë plot gjemba,
Nesër nga goja, sytë dhe kraharori i zemrës,
do të mbijnë trëndafilë e zambakë.
Vdekja përsëri nuk do t’i këpusë ato dot!
Por fëmijtë tanë AJO edhe mund t’i këpusë,
nëse ata nuk puthen, nuk përqafohen
dhe errësirën në puset e syve e strehojnë!
Amsterdam, 2015

Melita Vjerdha
Melita Vjerdha

Melita Vjerdha

Rutine enigmë

A ke pasë ndonjiherë
nji boshllek aq plot
sa edhe ne skutat
ma të ngjeshuna me u gjet’
Vdekje dëshirash..
Kujtime t’idhnueme
Nevoja t’pa shueme..
Grumbuj vujtjesh
Gjurmë vesesh…
Shpërdorim përshpëritjesh
Mbetje pasionesh…
Njashtu randue prej boshllekut
me ngrys ditën
me melankoli t’shueme
ndër peizazhe ndodhish
që bahen simbol
e përfytyrimet me drejtu
labirinthet e mbrendshme të s’nesërmes
kur sotja s’i ngjet as t’sotmes vetë?!?

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.