back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Njeriu i shakasë së përjetshme… 20 vjet pa Musa Sinën – In memoriam nga Jozef Radi

Gazeta

Musa Sina (1931-1994)
Musa Sina (1931-1994)

Njeriu i shakasë së përjetshme… 20 vjet pa Musa Sinën

In memoriam nga Jozef Radi

Me 23 korrik 1994, në nji spital të Tiranës vdiq mbas nji vuajtje të gjatë, si rezultat e burgjeve dhe internimeve të shumta, nji figurë që nuk kishte bërë asgjë të rëndësishme përveç qëndresës së paepur dhe atij humori të këndshëm që i shkonte aq shumë natyrës së tij gazmore… Ai do të kujtohet prej të gjithë atyre që e kanë njohur si njeriu që dinte t’i kapërdinte edhe vuajtjet ma ekstreme me humor dhe këngë… Sot në kët 20 vjetor të mungesës së tij, krahas portretit në pak rreshta, unë do të përpiqem të jap pak edhe nga ai humori i tij, i bindur se me kalimin e kohës kjo skedë e tij do të vijë duke u bërë më e plotë dhe sigurisht do të ketë gjithnji humorin e tij edhe prej atyre njerzve që e kanë njohur më mirë, pa ia humbur edhe atë dozë pikante banaliteti që e ka shoqëruar gjithnji figurën e tij, për ta bërë sa më të afërt dhe sa më të vërtetë paraqitjen e tij…
Musa Sina do të mbesë nji personazh mjaft i dashurpër të gjithë ata që jetuan e vuajtën me të kampeve dhe burgjeve. Fakti që ai kaloi 24 vjet burgjeve dhe 22 interrnimeve janë të mjafta për të dëshmuar kalvarin e tij, duke lënë mënjnë vdekjet dhe vrasjet e shumta të familjes së tij, dikur aq të shumtë – njimbëdhjetë fëmijë… Sot në kët ditë të 20 vjetorit të ikjes së tij, nuk do të merrem më vuajtjet e tij, ose do të merrem fare pak me to, por do ti kushtoj vëmendje personazh që ai përfaqson për të gjithë ata që e kanë njohur që janë të shumtë, por më të shumë janë ata që kanë dëgjuar historitë e tija pikante, me nji dozë banaliteti që atij i shkonte aq shumë… Musa Sina nuk ka kryer asnji heroizëm, veçse rrallë kush ka nji jetë më heroike se ai… Veç faktit të qëndresës së tij dhe shpirtit të paepur ndaj dhunës së shtetit ai qe nji makinë shetitëse humori… nji Nastradin i vuajtjes më të skajshme, që diti t’i përballej tragjedisë së vet të madhe me buzëqeshje: – 3 të vrarë (i ati dhe 2 vëllëzër) – tre të vdekur (e ëma, i vëllai dhe nipi), – tre të arratisur (tre vëllezër) tre nuse të mbetura pa burra kampeve (e vllezerve)  – tre fëmijë që u rritën pa praninë e tij….
Çdo segment i jetës së Musa Sinës është tragjedi dhe humor bashkë, humor dhe tragjedi n’ato përmasa që shpesh e bëjnë atë të jetojë në kufijtë e së pabesueshmes, pse është pothuaj e pamundur që njeriu të qeshë edhe kur jeton me vdekjen aq afër… e pra Musa Sina e kishte vdekjen aq afër, kudo nga shkonte, bile aty nga fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, nji mjeke dibrane në Lushnje, me grua nji shpirt humanitar të jashtzakonshëm, e quajtur Nyrten Hoxha, mbasi e kishte shtruar disa herë në dispanceri dhe i kishte ndihmuar për të fituar njifarë kempi mbasi mushkëritë nga vuajtjet dhe lagështia e burgjeve i kishte pothuaj shoshë, në nji nga vizitat që i kish bërë i pat thënë: “Or  Musë, mushkëritë e tua janë të marra fund, kështu që çdo ditë që jeton duhet t’i thuash falemnderit Zotit…!” Të njejtën gjë i kish thënë edhe doktor Shefqet Ndroqi në Senatoriumin e Tiranës…!! Pra nuk ishte çeshtje e ndonji gabimi mjeksor, por nji e vërtetë pothuaj e pabesueshme: që Zoti shpesh të jep fuqinë dhe humorit për ta përballuar edhe vdekjen, atë që shkenca s’gjen fuqi ta shpjegojë…

Berat 1946 - Familja Sina, e ëma me nëntë fëmijë në interrnim
Berat 1946 – Familja Sina, e ëma me nëntë fëmijë në interrnim

E pra ky njeri e jetoi çdo ditë të jetës së vet si të fundit, dhe s’i la vend as dhimbjes dhe as trishtimit në të përditshmen e tij po vetëm këngës dhe gallatës, dhe atij humori të veçantë të tij: talljes me komunizmin…!
Posa dilte nga dera e oborrit, ai ia niste këngës, a thua se gjithçka në jetën e tij ishte në rregull… a thua se në këngët aq të ëmbla të Fitnete Rexhës, ai gjente shpëtimin e tij, a mos ndoshta i jepte pak heroizëm vetes me këngën e Hajredin Pashës… askush nuk ka nji shpjegim, e vërteta është që atë çka i kishte falur Zoti, s’mund t’ia merrte askush…
Duke qenë se çdo ditë ai do të kalonte para derës së shtëpisë sime, krahas këngës që niste pa zbardhë drita, (kishte zakon të ngrihej gjithnji herët), dhe kur i shihte që njerzit e kampit nguteshin për në punë ai si me tallje u thoshte “Hajt burra se në punë po shkoni, jo në dasëm… merreni qetë!” dhe ia merrte kengës: “…me gëzim po shkoj në punë/ tuj kalu normën përditë…/ faqebardhë e lumja unë,/ jemi shembull për të rinjtë…” dhe befas  shpërthente e qeshura e tij e çlirtë dhe e hareshme…
E duke qenë se përballë shtëpisë sime ishte edhe Bide Nela, e cila kish qenë nuse në derën e Sinëve dhe shkonte aq mirë me Musën, po që s’kishin ditë që Bidja e Musa si dibranë që ishin, të mos hidhnin e prisnin romuze mes tyre… Bidja e kishte thumbin gati dhe Musa mezi ç’priste ta lëshonte batutën e radhës… Bidja kujdesej që Musa ta mbyllte gojën se do ta fusnin në burg dhe Musa ia kthente… “Oj Bide, po këta të fusin në burg e të pushkatojnë edhe sikur ma i miri botës të jeshë, se nuk turpnohen shumë, po edhe unë s’po e çaj bithën hiç… kur t’u mbushet mendja le të më fusin, edhe atje shokë e miq kam ma shumë se këtu…!”

***
Musa Sina ishte nji njeri i thjeshtë me shpirt të paepur, i pa shkollë, por me nji inteligjencë brilante, me nji mirnjoftje të thellë ndaj kujdo, po në veçanti ndaj priftave katolikë që në vuajtjet e gjatë të burgjeve kishin qenë për të mësuesa dhe edukuesa të mëdhenj, gjë të cilën ai e përsëriste shpesh. Gjithë tragjedinë e  tij personale, tragjedinë e tij familjare dhe atë të krejt nji populli qe përpjekur ta amortizonte nëpërmjet humorit, nëpërmjet asaj shpërfilljeje sistematike të fuqisë së shtetit dhe së keqes që kërcënonte gjithnji dhe gjithkënd me burg e me vuajtje… Në atë periudhë tragjike e të frikshme, ai njiherit ishte edhe njeri human edhe burrë fisnik… Ngado shkonte ai krijonte humor, e shetiste humorin kudo që trokiste… batutat e tij, talljet e tij, përsëriteshin gojë më gojë ngado që shkonte me këdo që fliste… dhe brenda pak kohe nji batutë e Musës kishte shetitur gjysmën e Savrës dhe me siguri qe nisur jashtë saj, më së pakut nëpër kampet e shumta të Lushnjes ku Musa Kishte miq e të afërm. Kjo mënyrë tregimi apo rrëfimi e tij, e ngre atë si nji personazh i papërsëritshëm, nji Nastradin antidiktaturë, sepse në çdo rast ai kishte diçka jo thjesht për të qeshur, por edhe për ta tallur regjimin. Sot mund të thuhet se Musa Sina gjithë vuajtjen e tij, gjithë tragjedinë e familjes së tij dhe atë të kohës ku jetoi e ka përcjellë me shumë humor…
Unë do të përpiqem t’i sjell ca grimca të këtij humori, të cilat në pjesën më të madhe të tyre  kam qenë vetë i pranishëm.

Musa Sina - Tirane 1992
Musa Sina – Tirane 1992

Grimca nga humori i dhimbjes i Musa Sinës

***  
Aty rreth vitit 1965, Musa doli nga burgu i dytë dhe nji nga problemet më të mëdha të tij ishte martesa. Mbas shumë peripecish, (mbasi 35 vjeçar s’të jepte kush nuse dhe në gjendje jo fort të mirë shëndetsore), nji miku i tij i burgut i kishte premtuar t’i jepte vajzën 16 vjeçe. Ndërkohë miku i tij ishte në burg, dhe familja e tij bënë rezistencë për të mos t’ia dhënë vajzën nji ish të burgosuri. Nejse gjithçka u sistemua dhe u vendos dita e dasmës. Pak ditë para dasme gjithë shoqëria e Musës u mblodhën, dhe i bënë nji guzhinë të vogël, ia pajisën shtëpinë dhe ia organizuan edhe dasmën. Praktikisht Musa i mbante veç me muhabet e këngë… të gjithë ata që punonin për të!! Ditën e dasmës, si interrnuar që ishte, nuk i dhanë as leje të shkonte ta merrte nusen, kështu që u desh dikush tjetër ta marrë përsipër rolin e dhëndrit dhe kështu me nji dhëndër të sajuar, diku aty mbasdreke taksia u nis për të marrë nusen…! Po shkonte ora tetë e mbrëmjes, po errej dhe nuse s’po dukej gjëkundi… të gjithë miqsi e krushqi nisën të prisnin me zemër të ngrirë, veç Musa s’e vriste mendjen fare… Bide Nela, nji e afërme e tij, e thrret Musën dhe i thotë…
-Or Musë marrja, a po vjen qajo shtreme a jo? Se na ke mbledhë tanë miletin e s’po marrim vesh gja ç’ka do bahet!!
-Po ku di unë oj Bide, – i thotë Musa – po erdhi mirë, po s’erdhi na plasi bitha… Me hangër e me pi kemi, po ulemi po pijmë e po këndojmë për qefin tonë…edhe pa nuse…!

Savër 1966 - Musa ditën e dasmës
Savër 1966 – Musa ditën e dasmës

***
Nji nga personazhet që kishte më shumë konfidencë me Musën ishte Bide Nela. Bidja kishte qenë nuse në familjen e Sinëve, po mbas vrasjes së vëllait të Musës Rushitit, ajo për disa vite ndoqi fatin e kësaj familjeje më pas u martua… E vërteta është se ata e respektonin mjaft njëri tjetrin… po ama si dibranë, s’kishin rast të mos grriceshin mes tyre.
Donte s’donte Musa, do të kalonte çdo mëngjes para shtëpisë së Bides dhe si zakonisht Musa e niste ditën me këngë, a thua se gjithë bota ishte e tija. Bidja dilte në oborr, vinte dy duart në brez dhe e ndiqte me nji buzqeshje tallse at moskokçarjen klasike të Musës…
-Or Mous, për tej paska çenë kjo dinjo… Kangë e dyzen e paske pas çat shkretë menje… dhe Musa që e kishte gjithnji gati batutën…
-Po ma mirë me knu oj Bide, se me folë… se kta qena për nji fjalë t’fusin në burg…
-E ti je pi atine burrave që s’flet hiç… hahaha
-Hajt Bide, hajt se paske fejtë me bith zbulut sunte… dhe vazhdonte rrugën dhe këngën i patrazuar Musa…

***
Kur e arrestuan herën e fundit, aty rreth vitit 1980, i kishte të tre fëmijët e vegjël 13, 11 dhe 9 vjeç. Gjatë kohës së arrestimit në birucën ngjitë me të qe arrestuar edhe nji grua po nga Savra, për probleme grash, e cila gjatë gjithë natës qante dhe bërtiste duke përmendur fatin e fëmijëve të saj të vegjël të mbetur rrugave pa nënë…
Të nesërmen, hetuesi i bindur që Musa e kishte dëgjuar rënkimin e asaj gruaje i thotë:
-Të kemi arrestuar edhe gruan… pranoji akuzat që të lirojmë të paktën gruan, përndryshe do të jeni të dy në burg dhe fëmijët do mbeten rrugave…
-Or hetues, unë e di cili është dënimi im, jo gruan dhe fëmijët nuk i shpëtoj dot, po askënd në botë… Ato maskarallëqet që shkruani ju nëpër letra, unë nuk i firmos edhe sikur 100 vjet të më dënoni…
Dhe fakti është se ai nuk i firmosi asgjë hetuesit S.Z. dhe me që jemi te ky hetues, po tregoj edhe nji histori me të…

***

Mbas tetë muajsh hetuesi të rëndë, erdhi dita për të dalë në gjyq.
Ky njeri që kishte shpirt më pak se nji zog, përballë hetuesve bëhesh i paepur dhe luftonte me ta dhëmbë për dhëmbë edhe pse ata më pas përdornin edhe dhunën fizike ndaj tij…
Ditën e mbylljes së hetimeve hetuesi S. Z. u shfaq i qetë dhe u përpoq me qetësi ta bindtte Musën që të firmoste… sepse ishte në të mirë të tij, dhe se mund të kishte ndonjë lehtësi dënimi…!
Në mënyrën kategorike ai shpërfilli dhe refuzoi të nënshkruente.
Hetuesi mbasi qe përpjekur ta ruante qetësinë, befas në fund shpërtheu në një të sharë nga ato më të rëndat ndaj nënës së Musës…
-Unë jam me pranga në duar dhe ti mund të më shash e të më fyesh si të duash… ishin fjalët e fundit të Musës…
Dhjetë vjet më vonë Musa kishte dalë nga burgu dhe me të pyetur e gjen se hetuesi i tij (S. Z.) jetonte e punonte në Durrës… Nji ditë të bukur ai shkon dhe e gjen, e thërret në emër dhe e pyeti nëse e njeh a jo!
Si zakonisht ata që kujtojnë gjithçka, atë ditë nuk e kujtoi… dhe Musa i tha se kush ishte. Ai u pre. E di pse të kërkova – i tha Musa – Sepse ditën që ke mbyllë hetimet më ke sha aq rëndë me nanë. Nuk kam ardhë me marrë ndonji hak. Kam ardhë thjesht të më shpjegosh çfarë të bëra që me ka sha aq rëndë. Hetuesi, u përpoq ta marrë me qetësi… dhe të shpjegohej. “Dënimi yt qe vendosur, si ta firmosje si mos ta firmosje dosjen. Po ta firmosje unë do të merrja nji shpërblim prej 7500 lekësh dhe për mua nuk ishin pak…! Kjo është e gjitha!!
Paske qenë burrë i mirë fort, i tha Musa… Ju për lekë ç… nanën tuej e jo ma nanën time…! – i tha duke qeshë dhe iku i qetë në punë të vet…

***
Musa ishte në burgun e Shënvasilit në Sarandë, ose siç i thonin asokohe Përparim…
Më të në burg ishin edhe mjaft të dënuar nga kampet e interrnimit që Musa i njifte mirë… Nji ndër ta ishe edhe malsori Nikollë Mërrnaçaj nga Selca e Vermoshit, i cili ashtu si edhe Musa kishte tre vëllezër në Nju Jork.
Ndërkohë nga qendra e zërit të kampit lajmërohet që: “I ka ardhë telegram Nikollës, ku lajmërohet vdekja e Dranes! Mund të vijë ta marri telegramin në drejtori…”
Si zakonisht në raste të tilla në burgje, miqtë dhe dashamirët e personit që kishte humbë njeriun e dashur mblidheshin e ngushëllonin dhe përpiqeshin me e mbajtë me gajret, po njiherit sillnin edhe paketa cigaresh apo kafe në respekt të të gjallit e në nderim të të vdekunit.
E mori vesh Nikolla vdekjen e së shoqes dhe ndonji pikë loti i pikonte prej syve dhe i rrëshqiste nëpër rrudhat e fytyrës e në mustaqe, mbasi ai ishte gati 70 vjeç. U hap morti te shtrati i Nikollës, mbasi edhe në kushtet e burgut  me mjete rrethanore bahej si të thuash ceremonia e kryeshndoshit.
Nikolla, megjithëse burrë me karakter malsori, u trishtue shumë për humbjen e së shoqes, por më shumë për fatin e dy fëmijve ende të parritun e pambështetje: Maries dhe Markut.
U mblodhën kështu mjaft burra ndër ta edhe po e mbajnë me gajret Nikollën… Ndërkohë vjen Musa:
-O Nikollë të rrosh vetë e me të dashtunit e tu dhe Dranja e shkretë e pastë të lehtë dheun. Ku paska qenë fati i sajë dhe i joni bashkë… Nikolla e falenderoj Musën, për pjesën e parë të ngushllimit, po Musa s’mund të ndalesh aty pa shtuar edhe nji pjesë të dytë…
-O Nikollë, po ti mos u mërzit mor burrë… Se kemi Myrveten time, ti e di që ajo është e re, dhe kur të dalim nga burgu e ndajmë përgjysë, nji herë mbaje ti e nji herë e mbaj unë…
I gjithë serioziteti, dhe trishtimi i atyre burrave malsorë u prish…
-O të vraftë Zoti or Musë, po çfarë hallesh kena ne, e ti vjen e na e heq të keqen si me dorë…
-Hajt Nikollë, se ba mos me qeshë, s’na ngelet tjetër veç me vra veten…
Të gjithë burrat qeshën…
Dhe vërtetë, Musa ua hoqi të keqen, sepse mbas pak qendra e zërit lajmëroi se ishte fjala për nji tjetër Drane, dhe nji tjetër Nikollë që kish humbë gruan…
-Nikollë mos më thuej… Unë të kam dalë borxhit! I tha Musa me atë të qeshurën e tij pickuese…Kur të duash Myrveten e kemi përgjysëm…

Musa Sina - Tiranë 1993
Musa Sina – Tiranë 1993

***
Musa në burg ishte nji nga njerzit më oportunistë. Fliste me të gjithë, tallesh me të gjithë, bënte gallatë me cilindo që i delte para…
Në mënyrë të veçantë kishte qejf të tallej me ata që kishin qenë në pushtet, e që për fatin e tyre të keq diktatori u kishte futur nga nji shqelm bythve dhe i kishte rrasë shumicën burgjeve. Vuajtjet e tyre në burgje ishin mjaft të mëdha për faktin se familjet e tyre për të shpëtuar të shpëtueshmen i braktisnin të parat… dhe për ta nuk kujdesej pothuaj askush… Kurse familjet armiqve të dikurshëm ishin me solide dhe më të sakrificës. Ishte dhimbje e madhe – tregonte Musa – t’i shihje ata gjenaralë që dikur të kallnin frikë, tek zvarriteshin si vemje burgjeve…
Për ta ilustruar këtë shembull Musa kishte nji histori me gjeneralin Dashnor Mamaqi…
Ndërsa rrinin nji ditë bashkë Dashnori i thotë:
“Sa mirë ty o Musë, të vjen familja, të vijnë të afërmit, të shkruajnë letra, fëmijtë, të kujtojnë vazhdimisht pra të ndihmojnë, kurse ne të tjerëve, për të shpëtuar çka mund të shpëtohet, familja na ka braktisur…
-Or Dashnor, – i thotë si me të qeshur Musa – Po t’i thuash gjithë jetën fëmijve që nanë keni Partinë, Babën e gjejnë vetë ata se cili është. Unë fëmijve të mi, s’u kam thënë asnjiherë keni nënë Partinë dhe babë Enverin. U kam thënë që nëna juaj është kjo dhe babai juaj jam unë. Dhe ata s’kanë rrugë tjetër veçse po të më gjejë halli mua vijnë te unë, dhe po ta zejë halli gruan, shkojnë te nëna e tyre.
-Ke shumë të drejtë o Musë, – i tha Dashnori dhe e uli kokën… kët që the ti, sot ne po e paguajmë shtrenjtë…

*** 

Mbas 1991, Musa u largua nga kampi i Savrës dhe u vendos në Tiranë, diku aty te Porcelani, dhe pallati ku jetonte qe diku afër Lanës… Musës përditë i duhej të kalonte midis nji lagjeje ciganësh, ku vajzat e reja dilnin shpesh para portave dhe avllive dhe flisnin e qeshnin mes tyre. Ashtu të reja e të bukura siç ishin ciganet, Musa që kalonte dy-tri herë në ditë nuk bënte vaki të mos i ngacmonte e t’u hidhte ndonjë fjalë… gjithnji me humor po edhe me pak provokim.
Kalonte gjithnji mes tyre i veshur mirë, i hekurosur me kostum e me kapele republike, me nji fjalë si bos… nji ditë njëra prej tyre se nga e kish marrë vesh dhe thotë mes nji grupi grash…
“E shikoni atë plakun që po kalon, ai ka tre vllezër në Amerikë dhe është bos… ka lekë sa të duash…”
“Jo ore…!!” – bënë ciganet në kor
“Ma tregoi mua nji ditë gjithë historinë e tij…”
Dhe ciganet e ndoqën me njifarë zilie plakun e veshur me kostum e me kapele republike derisa u zhduk te kthesa e rrugës së tij”
Të nesërmën, ndërsa kthehej në shtëpi ashtu serbes serbes, nji cigane e re kish dalë dhe rrinte te porta. Musa e pa dhe si zakonisht e ngacmoi duke i thënë: “Ah sa e bukur që je! T’kishte të puthte xhaxhi njiherë sa mirë do të ishte!!”
Po mirë po vij, – i tha cigania me qetësi dhe u ngrit e nisi të ecte mbas tij… Musa para ajo pas… derisa mori teposhtën e pallatit ku banonte, kur sheh ciganen nji hap mbas atij i habitur e pyet.
“Po ti, ku po shkon me xhaxhin?”,
“A më the hajde te shpia, po vij?”
“Po jo moj shpirt, – i tha Musa – Se unë bëj shaka!”
“Jo o xhaxhi, s’po bën shaka… A më thirre, tashti unë po vij!”
“Ik me xhaxhin, se unë jam borxh në shpinë time, dhe jo ma në mëhallë!” – dhe nxorri nga xhepi nji pesëmijë lekshe dhe ia fali ciganes… Të nesërmen historia e ciganes shetiste bashkë me Musën…

***
Nji kënaqsi e veçantë e Musës ishte t’i ngacmonte nuset për vjerrat dhe vjerrat për nuset, duke u bërë herë me njerën e herë me tjetrën palë.
Sa herë takonte ndonji nuse të re në familjet ku ai hynte dhe kishte konfidencë, futesh gjithnji te ai ping-pongu hidh e prit midis nuseve dhe vjerrave.
Nuseve u thoshte: “Për Zotin se si e shtyn ti me atë vjehrrë, veç ti e di… Nuk ka lënë gjë pa thënë për ty… dhe e mbushte nusen derisa ajo ta thoshte ndonjë fjalë për vjerrën, po të njëjtën gjë bënte edhe me vjehrrat: “Pasha Zotin oj filane, nusja jote ankohet te çezma, se nuk i jep as bukë me hangër, dhe s’kam mjaft fëmijët dhe burrin po më duhet më i bë hyzmet edhe vjerrës, që është si shtrigë…”
Ndodhte që nuseve në konfidencë u thoshte se nëse kishin nevojë, ai ua gjente shpëtimin nga vjerrat…!!
Nji ditë po fliste me vajzën e nji mikut të vet në Tiranë dhe po i thoshte… “Vjehrrja jote po ta bën gropën po ki kujdes… Po jo o xhaxhi Musa… Jo o xhaxhi Musa… s’është vjerra ime ashtu o xhaxhi Musa… Vjerra ime sillet shumë mirë… vazhdonte vajza…
“Mirë, mirë, – i thotë Musa – mbroje sa të duash, po unë po të tregoj nji sekret, sepse e di që të bie më qafë vjehrra. Po ndigjo, kam sjellë nji kokërr  nga Amerika, që ia fut vjerrës në gjellë, dhe pa u marrë vesh fare për gjashtë muaj e çon në atë botë…”
Vajza e skuqur dhe e tmerruar, nga ky mendim vazhdonte me insistim atë Jo-në e saj…
-Mirë – i thotë Musa – Mos më thuaj që s’të thashë!!
Kaluan dy-tre muaj, dhe ajo vajza e gjen Musën dhe i thotë…
-Xhaxhi Musa, ka ditë që të kërkoj. A e mban mend at historinë e kokrrës që më premtove… at kokrrën që ke sjellë nga Amerika…
-Po, – i thotë Musa – si nuk e mbaj mend!
-Tashti më duhet ajo kokrra!
Musa siç ishte vuri duart në brez dhe ia fut nji të qeshure me lot… Ah moj bijë, – i thotë – dje e mbarova kokrrën e fundit… Je kujtue me vonesë… dhe qeshte e qeshte me lot…
-Paske qenë budalle e madhe, moj ti bijë… Pse a vërtet besoje se kisha kokrra!!! – i tha, po tashmë historia kokrrës kish marrë dhenë…

***
Nji ditë mbasi ishte kthyer nga njerzit e saj në Kurjani, e shoqja e Musës pak e nxehur i drejtohet gjithë zemërim atij:
-Ore Mustë, po qysh nuk të vje një çikë turp ty ore… Po kur kishe qenë në Kurjan e kishe pjerdhur nënen time ti re??
-E kush të tha ty?
-Po ja, nënja më tha. Kur kishe qenë herën e fundit ti atje në fshat, dhe duke bërë muhabet, e kishe pjerdhur nënen që është edhe grua plakë… s’ke një çikë turp, je dhe burrë zotrote…
-Po jo, moj jo. Ku bëj unë nga kto gjëra – i thotë Musa duke u justifikuar dhe duke vënë buzën në gaz.
-Po kshu tha ajo, bile u kish thënë dhe çunave. “Erdhi gega i qënit dhe vap vap ia futi pordhës, mu në sy tim.”
-Ore me nënen tënde fola një orë dhe nuk mori vesh asgjë çfarë i thoja, veç ma bënte me shenjë që s’dëgjonte e s’kuptonte asgjë… Atherë ja futa nja dy pordhë të vogla, meqë nënja nuk dëgjonte… Ore është shurdhe nënja jote, apo bën si shurdhe…
-Po ç’ke ti re, është shurdhe, s’është shurdhe nënja ime, ti mos t’ma pirdhje nënen… se ta kanë bërë benë dhe çunat…
-E po kjo s’ka bërë vaki – ia ktheu Musa – për muhabet ju kurjanjotët qenke shurdhër, për pordhë i paski veshët pipëz…

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.