1941 – Përurimi i bustit të Gjergj Kastriot në Kërçovë – me rastin e ditës së Pavarësisë Kombëtare

Skënderbeu i Paskalit në Kalanë e Kërçovës - Foto Neli

Skënderbeu i Paskalit në Kalanë e Kërçovës – Foto Neli

1941 – Përurimi i bustit të Gjergj Kastriot në Kërçovë

me rastin e ditës së Pavarësisë Kombëtare

Nënprefekti i Kërçovës përshkruan festimet me rastin e 28 Nëntorit,
mbajtur për herë të parë në atë qytet. Kërçovë, më 02.12.1941
Mbretrija Shqiptare – N/Prefektura e Kërçovës
Nr. 260 – P. T. Prefekturës Dibër
.
Dita e Njizet e Tetë Nanduerit, përvjetori i pa mvarsis kombëtare u kremtue në kët qendër dhe në krahinë me atë solemnitet dhe me atë thjeshtësie që e lypin çasti dhe rrethanat. Nuk u vërtetue asnji ngjarje që mund të prishte rregullin dhe kuptimin e ditës. Populli i Kërçovës me autoritetet Civile dhe ushtarake muern pjesë me enthuzjasmë të disiplinuar në manifestimet dhe ceremonitë që u zhvilluen në dy faltoret. Për të vleftësuar këtë ditë historike dhe përkujtimore e para që vërtetohet në malet e ktyne visevet sa po të liruara nga robrija e dy kombeve azjatik. Popullata e gjithë krahinës dhe e qytetit çfaqi nji bust përmendore të Skënderbeut. Ky bust i skalitur prej skulptorit kombëtarë Odhise Paskalit, u ngrit në vendin ku deri at ditë qëndronte busti përmendor i Pjetrit të Parë të Serbies, i cilli ish ngrehur në kohën e sundimit serb në Kopshtin e kalasë që ngrihet përmbi qytet. Shpenzimet u përballuan nga populli i qytetit e i krahinës, i cilli me nji spontanitet i denjë për admirim mblodhi me anën të nji nënshkrimi popullor shumën e nevojshme për blemjen e Monumentit të vogël. Busti në fjalë u suell nga Tirana nga nji Komisjon i zgjedhur nga parija e vendit në të cillën merrte pjesë nji antarë i këshillit Bashkijak. Përmendorja në fjalë mbriti në këtë qytet bashkë me autorin Prof. Paskali, në mbrëmje të ditës 27 dhe para dreke të 28 Nanduerit u vendos në pjedestalin ku ngrihesh busti i Pjetrit të Serbies. Në zbulimin muernë pjesë gjithë autoritetet civile e ushtarake, Nëpunësat e shtetit, organizat e djelmërisë, fëmijët e Shkollës dhe popullata e qytetit. Në këtë rast, jashtëzakonisht solemn dhe i kuptimshëm, i nënshkruari mbajti nji fjalim të shkurtën në të cillin u theksua kuptimi i ditës Historike dhe përkujtimore dhe u ekzaltua ftyra e shkëlqyeshme, legjendare e të madhit Hero Kombëtar, duke përfituare nga dita dhe nga rasti u pa e arsyeshme dhe e domosdoshme zëvendësimi i një pllake të mermertë, e vendosur në qendër të qytetit që përkujtonte hyrjen e trupave Serbe në Kërçovë në vjetin 1912, me nji pllakate të mermertë në të cillën përkujtohej dita e hyrjes në këtë qytet të trupave Italjane e Shqiptare. Mbas kësaj ceremonije të thjeshtë, në të cilin mbaji nji fjalim të shkurtën Kryetar’i Bashkisë së vendit, u titullua nji rrugë e qytetit me emnin të Kolonel Barbarulit, i cili qe i pari komandant i fuqive Italjane që për të parën herë pat nderin të hyjë në kët qytet. Populli Kërçovës si sheje mirënjoftjeje desh të çfaqi me këtë gjeste kujtimplotë ndaj Komandantit të çquarë Italian dashurinë dhe kujtimin e tij për nji oficer që për veç ça u tha ma parë, ka zhvilluer gjatë tre muajve (kur pushtet civile ishin në dorë të autoriteteve ushtarake) një veprimtari të jashtëzakonëshme në dobi të popullatave Shqiptare dhe të qeverisë Mbretnore Shqiptare.
***
Asht rasti të nënvizojmë kuptimi i ditës dhe sidomos zëvendësimi i bustit të Pjetrit të Parë të Serbisë me atë të Gjergj Kastriotit që i dha kuptim të lartë ditës dhe afirmojë ma shumë se çdo veprim tjetër vullnetin e popullit të mbrojë të drejtat e veta dhe veçanërisht autoritetin e Qeverisë Shqiptare.
At ditë nji grup prej elementash reprezentativ Serbe dhe Bullgarësh duke komentuar zhvillimin e ceremonive dhe ngritjen e bustit, u shprehën në këtë mënyrë: “Tani me të vërtetë këtu qenka Shqipërie! Që kurse ngrihet Skënderbeu, dmth këtu mbeti përgjithnjë Shqipnia”.
Me të vërtetë ngritja e bustit enthuzjajzmojë dhe ngriti jashtëzakonisht moralin dhe ndjenjën patriotike të elementit shqiptar dhe dobësojë pretezat dhe shpresat e atyne që shpresojnë rikthimin e Serbëve ose ardhjen e Bullgarëve.
Lihet në gjykimin e titullarit të asaj P. T. Prefekture vlere e madhe politike e morale në dobien tonë në rastin e ngritjes të përmendores të Skënderbeut.
Nji tjetër gjest që tregon enthuzjazmin dhe gëzimin e Shqiptarvet u shpreh prej nji katundarit plak, i cili kur doli në dritë figura madhështore e Kastriotit me sy të lotur thirri: “Sod edhe unë do ta heq xhokën e zezë, nuk mbajë më zie pse u lirue Shqipërija dhe u ringjallë Skënderbeu!”
N/Prefekti – Eqerem Telhaj.
AQSH F. , D. 83, V. 1942, f. 3-4.
Burimi Oshtima
Ilmi Veliu - Himet Haxhi Limani, me kapelën në dorë, me mësuesit dhe mësueset nga Shqipëria. Afër tij, me uniformë të oficerit eshtë Mefail Sheh Zajazi, komandanti i ushtrisë shqiptare për të gjithë Kërçovën. Himeti ka qenë i shkolluar në Bukuresht dhe ka qenë sekretar i komunës.
Teuta Ademi -  Burri me republikë në dorë, është gjyshi im Himet Limani. Busti i Heroit kombëtar Skënderbeut, është vepër e skulptorit Odise Paskali…
 .
Marrë nga muri i Fb – Mehmedali Jashari – Të Bashkohemi Një Herë e Përgjithmonë
.
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook