back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

14 Dhjetori, Dita që ndryshoi Fatin tim nga Mirush Osmani

Gazeta

Mirush Osmani ne vendlindjen e tij Kardhiq
Mirush Osmani ne vendlindjen e tij Kardhiq 

14 Dhjetori, Dita që ndryshoi Fatin tim…

nga Mirush Osmani

Sot është 14 dhjetor 2014, dhe unë përkujtoj jo pa entusiazëm ditën më të Shenjtë të jetës sime: 34 vjetorin e Arrestimit tim (pra të Shpëtimit Tim…!!!)
Dhe sot në kët ditë të shë(mt-n)uar… kam dëshirë të sjell ca dialogë, që edhe pse kanë kaluar 34 vite, nga ai 14 dhjetori i 1980, gjithçka e kam të freskët dhe të gjallë, si të ishte fjala për diçka të ndodhur dje:
-Kurrë nuk ke për ta parë dritën e diellit!! – ulurinte si bishë hetuesi i parë, Ylber Shehu.
-Do të ta hamë mishin pak nga pak! – shtonte hetuesi kanibal Special, Rrapi Mino.
-Nuk do ta shohësh kurrë më Gjirokastrën!… çirrej gjykatësi Sadik Qordukaj…
-I pandehur, je Armik i betuar i Partisë dhe i Popullit… e plotësonin kët atmosferë klithmat e Dhimitër Zhullës…
Oh, sot në kët ditë të shë(mt-n)uar timen ndjej shumë keqardhje për Ju persekutorët e mi, (dhe jo vetëm të mijtë), pse shumë nga ëndrrat tuaja “fisnike”, për fat të keq nuk u realizuan, e që ju ishit betuar para Partisë suaj Heroike, se do të zhduknit nga faqja e dheut një 20 vjeçar armik… Prandaj sot në kët ditë të shë(mt-n)uar timen, unë i lutem Zotit që t’ju falë e t’ju mëshirojë për krimet e shumta që ende jetojnë në shpirtrat tuaj…”

Drejtesi Komuniste!
Drejtesi Komuniste!

O Ylber Shehu: unë jo vetëm e pashë Dritën e Diellit shqiptar, po edhe atë grek, edhe atë italian, edhe atë gjerman dhe sot jam duke u ngrohur nën diellin francez… Gjithkund nga shkova gjeta të njëjtin diell që më ngrohu kudo… Po ti ku je fshehur, dhe pse i frikesh dritës së Diellit, bashkë me krimet e tua..??
Ju shoku Rrapi Mino, vërtet ca ditë të jetës sime m’i hëngërt, ama mishin s’ma hëngërt dot, diçka tjeter ndoshta, po jo aq sa duhet, për gjitha krimet e ndyra dhe vendimet kriminale që keni firmosur ndaj shumë të pafajshmëve… Hahahahahahahh…
O Sadik Qordukaj, unë jo vetëm e pashë Gjirokastrën time të ëmbël e të shtrenjtë, por sa herë që shetis kalldrëmeve të saj kujtoj sa sa e neveritshme ishte ajo shprehja juaj se: “Kurrë s’da ta shohësh qytetin e lindjes dhe të dashurisë tënde…!” E pra, kët gjë ju s’ma varrosët dot kurrë.
Po o shoku Prokuror, po o Dhimitër Zhuli… me fal Zhulla, ti je i vetmi që kishe të drejtë:
Unë isha dhe mbeta dhe do të vazhdoj të mbetem Armik i betuar e Partisë suaj Kriminale e Diktatoriale…
Prandaj them, shihe diellin edhe ti o Ylber Shehu, se nuk ishte krejt faji yt që u bëre kriminel, qe edhe faji i Diktaturës Komuniste që ju shplau trurin dhe ju bëri makina vrasëse…
Edhe ty o i zellshmi Rrapi Mino, të pyes: “A ke ngrënë ndonjëherë drekë i shoqëruar me klarinetat dhe buzukët e Grekut???!! me atë muzikë të degjeneruar Kapitaliste!!!!

Mirush Osmani pranë vatrës familjare
Mirush Osmani pranë vatrës familjare

Me sa të rrahura në minutë e keni pulsin o ju skllevër të Krimit?? Po mos u trembni!! Ju o troturuesit e mij, në këtë Ditë të Shenjtë timen, sepse shqiponja s’merret kurrë me krimbat. Dhe se unë nuk jam mësuar t’i “qahem” kundërshtarve të mi, as jam mësuar t’i mallkoj ata, as t’ua kërkoj atyre atë frazën për të cilën ata digjeshin dëshire ta dëgjonin nga goja ime: “Mëshirë zotërinj”, Jo, jo kurrë! E par, jam unë sot ai që i mëshiroj ata, pse janë bërë për t’u patur mëshirë.
Bile mundem të them se ju s’më vodhët asnjë ditë nga jeta, dhe se torturat fizike dhe psikologjike që Ju dhe diktatura Juaj ushtroi mbi personin tim, patën efekt totalisht pozitiv: “…ato më forcuan padashje karakterin dhe personalitetin tim”… E shihni edhe vetë…!! Sot, nuk jam unë që fshihem prej Jush, po ju që jeni shnërruar në hije të kësaj toke…” Unë jetoj në botën e madhe të Lirisë dhe ju botën “e vockël” të Mjerimit tuaj…
Një shëndet për Mjerimin tuaj, o hijena!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.