back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Burrat që shpëtuen Shqipninë nga coptimi (1919-1920) nga Fritz Radovani

Gazeta

Bumçi - Wilson - Benedikti XV
Bumçi – Wilson – Benedikti XV

Burrat që shpëtuen Shqipninë nga coptimi (1919-1920)

nga Fritz Radovani

Imzot Luigj Bumçi – Presidenti Wilson – Papa Benedikt XV

Historia e shkrueme pa të Vërteten e saj, asht përrallë!..

Lufta e Parë Botnore në fund të vitit 1918, dukej, sikur kishte pushue. 
Edhe ata që e filluen Luftën Botnore ishin ma të sigurt në kenjen e tyne se Shteti Shqiptar. Ndonse Shqiptarët nuk kanë kercënue asnji shtet fqinj, të mëdhej e të vegjel u çuen me shkye nga nji copë, e sejcili tue kërkue me pushtue ma të madhen. Italia tue kenë andej detit kërkonte Vlonën. Greqia si gjithmonë, kërkonte Shqipninë e Jugut, ku përfshihej Korça e Gjinokastra. Serbia nuk ngopej vetëm me Vermoshin e Shkodrën… 
Pritej vendimi i Shteteve të Europës, që me 18 Janar 1919, u mblodhën në Paris, ku u hap Konferenca e Paqes.
Qeveria e Përkohshme e Durrësit, e kryesueme nga Turhan Pashë Përmeti, as nuk u përfill fare nga Lidhja e Kombeve. Në shkurt 1919, një delegacion shqiptarësh, u nis për Paris. Askush nuk ua hapi dyert e Konferencës. 
Deri këtu, edhe sot, dy “Akademitë e Shkencave Shqiptare”, ajo e Tiranës’’ dhe ajo e Prishtinës, mundohen me krijue “emna të përvetshëm”, të cilët, “arrijtën me një përkushtim të posaçëm me shpëtue Shqipninë nga nji coptim i sigurt!” Fatkeqsisht, pothuej, të gjitha tekstet e Historisë së Shqipnisë së këtyne “Akademive”, të formueme nga antishqiptarët edhe sot, nuk e shkruejnë të Vërtetën e Shpëtimit të Shtetit Shqiptar nga nji coptim i sigurt në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919-1920. 
E Vërteta asht vetëm nji! Kujt nuk i pëlqen të vazhdojnë me përtypë rrêna!
Në vitin 1999, ishte e para herë që kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka kumtesën “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, 1919-1920”, të thanun troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe Mihajl Turtullin…” 
Kur mbrrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga Ministri i Jashtëm i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme…” Pra, kishte shkue puna deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue për mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin asgja mangut komshijve tjerë! 
Ndërsa, mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot gati mbas 100 vjetësh, edhe pse bash atyne përçarësve përditë “u thuret lavdi” për damin e madh që i kanë ba Popullit e Shtetit Shqiptar, që ditën e Shpalljes së Pavarsisë në 1912. Këtë e vërteton qëndrimi i përfaqsuesve të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty sa me kërkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit shqiptar!” …Anglia, Franca e Italia ishin për coptimin e Shqipnisë. Qeveria e Durrësit vendosi të dërgojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës, Imzot Luigj Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj Fishta. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja. Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica.

Konferenca e Paqes - Paris 1919
Konferenca e Paqes – Paris 1919

Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, nji dashamirës i madh i Popullit Shqiptar. 
Mbas takimit me Papen, Imzot Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkëlqimi i dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshëm në Konferencën e Paqës. Imzot Luigj Bumçi, ishte nji përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imzot Bumçi takohet me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se, “Shqiptarët sot janë vërtetë pjesë e Europës së qytetnueme!”. Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë nji model i papërsëritshëm! 
Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyrën protestoi tek Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serbë për krimet e kryeme në Shqipninë Veriore, Plavë e Guci e Gjakovë. I kërkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e Rugovës. 
Protestoi tek Ministri i Jashtëm i Italisë Tittoni për marrveshjen me Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e Gjinokastrës Greqisë. 
Në muejn Tetor 1919, Imzot Bumçi u takue me përfaqsuesin e Francës Pichon, dhe kryetarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe Anglisë, të cilëve u kërkoi që të ndërhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor të Shtetit Shqiptar. 
Ndërsa At Gjergj Fishta, udhtoi për këto çeshtje drejtë Anglisë dhe SH.B.A. 
Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha për zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kërkoi nga Imzot Bumçi, në mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919, ndërhymjen urgjente të Tij tek Vatikani. Imzot Bumçi, si gjithmonë i gatshëm për me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan. Takimi i Imzot Bumçit me Papën Benedikti XV, u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vërtet nji takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi tek Papa.

Fishta-Bumçi-Berati… Paris 1919
Fishta-Bumçi-Berati… Paris 1919

Në kujtimet e Tij historike Imzot Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të gjith misat e Dërgatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman, më kan çue ktu përpara Shejtnisë S’Uej e të gjith për nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencën e madhe qi keni në botën marë, të na epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos!” 
Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?” 
U përgjegja (Imzot Bumçi): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’Amerikës!” 
Papa bâni buzën në gaz, e me i ‘herë më përgjegji: ké të drejtë. E pra, nesër do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të Bashkueme; e po t’ap fjalën se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provincet qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem për me Ju ndimue. Zoti ka m’e e ba mirë se prej Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira, pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’asht Zoti, drejtsija s’mundet me kênê!” Këtu u mbyll biseda.
 Imzot Bumçi në fund i la nji memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imzot Bumçi i vuni në dijeni për bisedën me Papën, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!”
Me datën 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue në Vatikan me Papen Benedikti XV, në Paris mbrrijti nji notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës “Integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve për vetvendosje!”, që favorizoi Shqipninë.
 Shteti i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12 Nandor 1920, emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imzot Ernesto Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë dhe në fund, me datën 28 Janar 1921, Imzot Cozzi mbrrijti zyrtarisht në Shqipni. 
Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugën e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njiherë e ma të forta ato lidhje që për sa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë!”.
Burrat që shpëtuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve, në vitin 1919-1920, ishin: Imzot Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson. 
Kjo asht e Verteta historike e kenjes së Shtetit Shqiptar.
Melbourne, Shtator 2014

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.